“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Pasi është dërguar Muhamedi a.s. pejgamber, ka qenë e natyrshme të zhvillohen debate në mes të pejgamberit dhe pasuesve të librit. Ata kanë qenë pasues të fesë së mëhershme, ata kanë pasur njohuritë dhe traditat e tyre, shkaktonin dyshime ashtu siç kishin shkaktuar dyshime në ndalimin e konsumimit të mishit të devesë dhe qumështit të saj, njësoj kanë shkaktuar dyshime edhe për atë se cila ka vlerë më të madhe: Mesxhidi Aksaja apo Mesxhidi Harami (Qabeja)!??.
Pasuesit e librit i kanë thënë Muhamedit a.s.: Si është e mundur që ti të thërrasësh në fenë e Ibrahimit dhe se ti ke përparësi në fenë e Ibrahimit, Is’hakut dhe pejgamberët tjerë pas tyre, përderisa ata madhëronin Mesxhidi Aksanë dhe faleshin në të. Po të ishe në atë që ata ishin do ta madhëroje Mesxhidi Aksanë, nuk do ta ndërroje drejtimin nga Mesxhidi Aksaja në drejtim të Qabes, nuk do të ishe në kundërshtim me të gjitha veprimtaritë e tyre.
Muxhahidi ka thënë: Muslimanët dhe Jehudët Kanë debatuar:
– Jehudët kanë thënë: Mesxhidi Aksaja është më e vlefshme dhe më madhështore se Qabja sepse aty në atë vend të shenjtë kanë migruar pejgamberët.
– Muslimanët kanë thënë: Qabja është më e vlefshme.
Për këtë shkak ka zbritur ajeti:
Ajetet 96 dhe 97:
Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekë), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. (96) Aty ka shenja të qarta: vendi i Ibrahimit, dhe kush hyn në të, ai është i sigurt. Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); Allahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që e bëjnë) njerëzit. (97)
Këto dy ajete tregojnë për vlerën e Qabes dhe specifikat e saj.
Specifika e parë: Qabja është shtëpia e parë e cila është vendosur për adhurim. E para në aspekt kronologjik. Kjo nënkupton se është e para për nga vlera dhe rëndësia. E ka ndërtuar Ibrahimi dhe Ismaili.
Allahu i Madhërishëm thotë:
“Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabes luteshin): “Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di!” (El-Bekare: 127)
Pas kësaj është ndërtuar “Mesxhidi Aksaja” pas 40 viteve dhe e ka rindërtuar pas shumë shekujve Sulejmani i biri i Davudit.
Ebu Dherri e ka pyetur pejgamberin a.s. duke i thënë: O i dërguar i Allahut, cila xhami është e para?
Është përgjigjur: Mesxhidi Harami.
Pas kësaj, cila xhami?
Mesxhidi Aksaja – është përgjigjur.
Sa është distanca në mes tyre?
40 vite – është përgjigjur.
Specifika e dytë: Qabja është e bekuar, ka të mira të shumta dhe begati materiale, pasi që është në vend shkretinor dhe i shkojnë frytet nga të gjitha anët dhe të gjitha prodhimet e botës. Po ashtu ka shumë begati në shpërblime.
Specifika e tretë: Vendi i saj është udhëzim për njerëzimin, saqë dituritë janë thirrur prej saj dhe janë përgjigjur pozitivisht dhe në lutjet e tyre dhe në namazet e tyre drejtohen në drejtim të saj dhe zemrat e tyre anojnë në drejtim të saj si burim udhëzimi i zemrave ku kryhet haxhi dhe umreja.
Specifika e katërt: Në të ka argumente të qarta të cilat nuk mund t’i mohon askush prej tyre. Mekami Ibrahimi (vendqëndrimi i Ibrahimit a.s.) për namaz dhe adhurim, në të është shkëmbi në të cilën janë gjurmët e këmbëve fisnike të tij (Ibrahimit). Ai i cili shkon në Qabe është i sigurt vetja e tij, është e sigurt pasuria e tij, derisa edhe nëse e meriton (ndëshkimin), kjo është e njohur në kohën e injorancës dhe islamit.
Përderisa, sa i përket disa mospajtimeve, ngatërresave dhe ndonjë gjakderdhjeje, kjo konsiderohet vepër penale dhe mëkat i madh dhe e vepron vetëm ndonjë arrogant ose ndonjë injorant i madh.
Në të është Guri i zi, i cili njihet si pikënisje e Tavafit rreth Qabes.
Në të është Uji i bekuar i Zemzemit, i cili është i dobishëm për shëndetin.
Specifika e pestë: Është vend i haxhillëkut dhe i umres. Haxhi në Qabe është obligativ për personin i cili ka mundësi dhe është shtyllë prej shtyllave të fesë.
Mundësia për haxh është dy llojesh: Mundësia fizike dhe ekonomike. Është obligim për atë i cili ka mjet udhëtimi, kur rruga të jetë e sigurt dhe kur ekziston mundësia për të udhëtuar.
Kush i mohon këto specifika dhe nuk e zbaton urdhrin e Allahut për të kryer haxhin dhe umren, atëherë Allahu është i pasur dhe i pavarur nga të gjitha botët. Nuk i bën dobi dëgjimi ndaj Tij.
Tirmidhiu dhe Bejhekiu transmetojnë hadithin nga Aliu r.a. se ka thënë: Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush posedon mjete ekonomike dhe mjet transporti dhe nuk shkon në haxh, ai ka mundësi të vdes vdekje të jehudit ose të krishterit”.
Specifika më e rëndësishme e Qabes është se:
– Bën bashkimin e muslimanëve nga të gjitha anët e botës.
– Të gjithë muslimanët orientohen në namaz në drejtim të saj.
– Është vend i paqes dhe sigurisë për ata të cilët shkojnë atje.
Përderisa kibleja e muslimanëve është Një, në bindjen më të shenjtë të tyre siç është namazi – i cili vjen pas besimit – atëherë a mund të jetë i pranueshëm konflikti dhe armiqësia në mes tyre!!? A ju përshtatet atyre që të luftojnë mes vete, përderisa janë umet i Kur’anit dhe kësisoj të rreshtohen në rreshtin e armiqve!!?. Nëse ndodhë ndonjë mospajtim, pse nuk shikojnë dhe pse nuk e analizojnë shkakun e mospajtimit, pse nuk e harrojnë të kaluarën dhe nuk shikojnë ardhmërinë, deri sa të ngjiten në nivelin e krenarisë dhe të jenë të fuqishëm ndaj armikut.