Qëndrimi i pasuesve të librit ndaj islamit dhe kujdesi i muslimanëve për të mos i dëgjuar ata

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Në Kur’anin fisnik, Allahu i Madhërishëm i ka kritikuar pasuesit e librit se pse nuk e besojnë shpalljen e Muhamedit a.s. edhe pse pejgamberi posedonte shenja të qarta, mrekulli mbinatyrore dhe argumente të prera për vërtetësinë e tij. Me qëndrimin e tyre ata tentonin t’i pengonin njerëzit për të pranuar islamin dhe për të besuar Kur’anin. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 98 dhe 99:

Thuaj: “O ithtarë të librit, përse i mohoni ajetet (argumentet) e Allahut? E Allahu mbikëqyr atë që veproni. (98) Thuaj: “O ithtarë të librit, përse e pengoni atë që besoni nga rruga e Allahut, duke u angazhuar që ta paraqitni atë të shtrembër, ndërsa vetë ju, jeni dëshmues se është e vërtetë! Veprimi juaj nuk mund t’i shmanget mbikëqyrjes së Allahut. (99)

Ajeti kritikon butësisht dhe fton lehtësisht për të besuar Kur’anin. O ju pasues të librit, pse po i mohoni argumentet? Paraqitni argumentet tuaja për të vërtetuar atë që e thoni. Nëse nuk keni fakte dhe dëshmi logjike dhe fetare, duhet ta dini se Allahu është dëshmitar kundër jush. Do ta zbulojë të vërtetën, do t’u dënojë për atë që e veproni.

 O ju pasues të librit, pse pengoni në rrugën e Allahut atë i cili ka besuar në Muhamedin, duke tentuar që rrugën e Allahut ta paraqisni si jotërheqëse, si jo të drejtë dhe joudhëzuese. Dëshironi që feja e Allahut të ketë devijime dhe shtrembërime nga e vërteta dhe qëllimi i shëndoshë. E vërteta është se, ju dëshmoni nga thellësia e zemrës për vërtetësinë e Muhamedit, ju jeni dëshmitarë të së drejtës te populli i juaj. Mos mendoni se Allahu nuk di se çka fshihni në zemrat tuaja dhe si i fshihni veprimet tuaja dhe për atë do të merrni çmimin e merituar.

Pastaj Allahu ua tërheq vërejtjen besimtarëve për komplotet dhe kurthet e pasuesve të librit dhe tentimet e tyre për të krijuar përçarje dhe armiqësi mes muslimanëve dhe për mbjelljen e farës së përçarjes së rreshtave dhe asaj përhapjes së mosbesimit në Allahun, në fe dhe në moral:

“Shumë ithtarë të librit (jehudi, krishterë), edhe pasiqë iu është bërë e qartë e vërteta, nga vetë zilia e tyre personale dëshiruan që pas besimit tuaj t’iu kthejnë në mosbesimtarë, pra ju lini dhe largohuni prej tyre derisa Allahu ta sjellë urdhrin e vet. Allahu ka mundësi për çdo send. “(El-Bekare: 109)

O ju besimtarë, si e mohoni Allahun dhe si i dëgjoni të tjerët në atë që sinjalizojnë dhe thonë, përderisa pozita juaj është se, juve u lexohen ajetet e Allahut, në të cilat keni udhëzimin, të mirën, dashurinë dhe sqarimet e bazave të fesë, po ashtu në mesin tuaj është i dërguari i Allahut, i dashuri, e mira, bashkëveprimi dhe udhëzimi.

Si është e mundur që ju të pasoni epshet e popujve tjerë, të cilët nuk ua duan të mirën juve. Kush bazohet në Allahun, në librin e Tij dhe pejgamberin e Tij, ai ka arritur udhëzimin dhe kurrë nuk humb dhe është në rrugë të drejtë. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 100 dhe 101:

O ju që besuat, në qoftë se ju i bindeni një grupi të atyre që iu është dhënë libri, ata, do t’ju kthejnë në mosbesimtarë. (100) Si bën të mos besoni, kur juve janë duke iu lexuar (duke iu shpallur) ajetet e Allahut dhe kur në mesin tuaj gjendet i dërguari i Tij? E kush i përmbahet fesë së Allahut, ai padyshim është i udhëzuar në rrugën e drejtë. (101)

Shkaku i zbritjes së këtyre dy ajeteve

Shkaku i zbritjes së këtyre dy ajeteve është jehudiu me emrin Shas bin Kajsi, i cili kalon pranë një tubimi ku ishin duke biseduar mes vete fisi Evz dhe Hazrexh. Ai ulet në mesin e tyre dhe e urren (xhelozon) unitetin dhe ndërlidhjen e tyre. Atë e mundonte fakti se pse nuk ishin të ndarë, pse nuk ishin të përçarë dhe pse nuk konfrontoheshin si në kohën e injorancës. Ai mendon në vetvete: Nëse vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar nuk do të kemi vlerë. Një djalë të ri jehud i cili ishte me të, e urdhëron që t’ua përkujtojë atyre ditën “Biath” dhe poezitë e thurura në përkujtim të asaj dite. (Ai ua përkujton) Dhe atëherë fillojnë të konfrontohen dhe të krenohen, saqë i marrin shpatat dhe armët për të luftuar mes vete. Lajmi arrin te pejgamberi a.s., i cili shkon te ata – dhe së bashku me të disa muhaxhir – dhe u thotë: O ju muslimanë, për Zotin çka është me ju? Ju shikoni kohën e injorancës përderisa unë jam në mesin tuaj dhe ju këshilloj. Atëherë ata e kuptojnë se kanë rënë në grackën e shejtanit. I hedhin armët, fillojnë të qajnë dhe përqafohen dhe shkojnë me të dërguarin e Allahut duke e dëgjuar dhe respektuar. Kështu pra, Allahu ka zbritur këto ajete për shkak të veprimit dhe angazhimit të Shas bin Kajsit.

Kjo formë e nxitjes së trazirave dhe mbjelljes së farës së përçarjes në mes muslimanëve nga të tjerët, na jep argument të qartë dhe shembull tipik se logjika, përvoja dhe interesi i përgjithshëm janë arsyetim se duhet pasur kujdes nga armiqtë dhe duhet pasur kujdes nga rreziqet dhe llojet e grackave dhe të komploteve dhe ndonjëherë keqkuptimet mund të shkaktojnë dëm, ndërsa mendimi i mirë dhe pakujdesia ndaj kurtheve të armiqve janë lloj që mund të shkaktojnë rrezik. A duhet të llogaritet vetëm si një ngjarje e rëndomtë apo duhet marrë mësim për çdo rast, përderisa raste të tilla janë paraqitur vazhdimisht kur kemi vepruar me të tjerët!!!.

Lini një koment