Israili (Jakubi) ia ka ndaluar vetes disa ushqime

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Jakubi është prej bijve (nipërve) të Ibrahimit a.s. Ai e ka pas nofkën Israil (që ka kuptimin udhëheqës i luftës për Allah). Ka qenë i plagosur dhe i ka zgjatur shërimi i plagës. Ai e donte ushqimin e devesë, qumështin e saj dhe është zotuar se nëse e shëron Zoti do të ia ndalon vetes së tij ushqimin e devesë, qumështin e saj, do të jetë falënderues ndaj Tij, me qëllim që të privohet nga jeta luksoze dhe të orientohet në misticizëm në këtë botë. Kjo pastaj mori përmasa ligjore në sheriatin e tij, pastaj kjo ndalesë vazhdon te bijtë e Israilit. Kjo tregon se pejgamberët kanë vendosur (miratuar) ligje ndalesore me ixhtihadin e tyre. Kjo, nëse kanë vërejtur se mund të ketë dobi ose si masë e afrimit me Allahun ose si formë devotshmërie. Në këtë mënyrë ka vepruar edhe Muhamedi a.s. kur e ka ndaluar “ëmbëlsirën e mjaltit” apo e ka ndaluar veten nga Maria Koptije e cila është nëna e Ibrahimit (birit të Muhamedit a.s.). Për këtë veprim Allahu e ka kritikuar sepse me këtë veprim e ka ndaluar të lejuarën, ku thotë: “O pejgamber, pse e ndalon atë që Allahu ta ka lejuar ty.” (Et-Tehrimë: 1) ndërsa nuk e ka kritikuar Jakubin për ndalesën të cilën e përmendëm më lartë.

Jehudët pretendojnë se, ndalimi i mishit të devesë dhe qumështit është prej fesë së Ibrahimit dhe sheriatit në Tevratë.

Ebu Ruki dhe Kelbiju kanë thënë: Kur pejgamberi a.s. ka thënë: Unë jam në fenë e Ibrahimit.

Jehudët kanë thënë: Si mund të jesh në fenë e Ibrahimit, kur ti e konsumon mishin e devesë dhe qumështin e saj.

Pejgamberi a.s. u thotë: Kjo ka qenë e lejuar për Ibrahimin, e ne jemi prej lozës së tij.

Jehudët kanë thënë: Çdo gjë e sodit te ne është e ndaluar nga shkaku se ka qenë e ndaluar për Nuhun dhe Ibrahimin deri tek ne.

Për këtë shkak ka zbritur ajeti, për t’i përgënjeshtruar ata:

Ajetet 93-95:

I tërë ushqimi ishte i lejuar për bijtë e israilit, përveç atij që Israili (Jakubi) para se të zbriste Tevrati, ia ndaloi vetvetes. Thuaju: “Silleni pra një Tevrat dhe lexojeni atë, nëse jeni të vërtetë (në çka thoni)? (93) Ai që edhe pas kësaj shpif gënjeshtra kundër Allahut, ata vërtet janë mizorë. (94) Thuaj: “Allahu e tha të vërtetën, pra ndiqeni fenë e pastër të Ibrahimit, sepse ai nuk u takonte idhujtarëve. (95)

Koncepti

Të gjitha llojet e ushqimit kanë qenë të lejuara për bijtë e Israilit, përpos asaj që Israili e ka ndaluar posaçërisht për veten e tij, e ajo ndalesë ka qenë të ndaluarit e konsumimit të mishit të devesë dhe qumështit të saj dhe kjo para se të zbriste Tevrati. Në ligjin e Tevratit nuk ekziston një ndalesë e tillë. O Muhamed thuaju atyre: Më sillni Tevratin, librin tuaj dhe lexoni aty, nëse me të vërtet ekziston ajo që thoni ju. Mos u frikësoni nëse do të përgënjeshtroheni. Çdokush i cili shpif për Allahun dhe pretendon për diçka që Allahu nuk e ka zbritur, ai është kriminel nga shkaku se ka shtrembëruar të vërtetën. Fabrikim gënjeshtre ndaj Allahut është atëherë kur ndalohet ajo çka Allahu nuk e ka ndaluar.

Po ashtu, o Muhamed, thuaju atyre: Allahu e ka thënë të vërtetën kur më ka informuar se jam në fenë e Ibrahimit dhe unë më së shumti kam përparësi te ai dhe se Allahu nuk ka ndaluar diçka për Israilin para se të shpallej Tevrati edhe pse çështja qëndron ashtu. Pasojeni fenë e Ibrahimit, në të cilën po ju ftoj juve. Është fe mesatare, nuk lë mangë dhe nuk shton asgjë. Ibrahimi nuk ka qenë idhujtar.

Ky është argument i qartë për vërtetësinë e pejgamberisë së Muhamedit a.s. dhe se ai e di se çka ka pasur në Tevratë dhe Tevrati është në harmoni me atë që është në Kur’an dhe se pejgamberi ka prioritet në Ibrahimin dhe në fenë e tij, nuk dallon nga feja e tij. Çdonjëri, si Ibrahimi ashtu edhe Muhamedi a.s., e mënjanojnë të padrejtën dhe e vendosin të drejtën. Ajo çka është e lejuar te Ibrahimi është e lejuar edhe te muslimanët.

Ndalimi i konsumimit të mishit të devesë dhe qumështit të saj ka vazhduar te jehudët si mbështetje e asaj që ka vepruar Jakubi, pastaj Allahu në Tevratë ua ka ndaluar disa të mira si ndëshkim ndaj veprimit të tyre. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Dhe për shkak të mizorisë së tyre, që ishin jehudi, dhe për shkak se penguan shumë nga rruga e Allahut, Ne ua ndaluam (ua bëmë haram) disa (lloje ushqimesh) të mira që u ishin të lejuara.” (En-Nisa: 160)

Po ashtu Allahu i Madhërishëm ka thënë:

“E (posaçërisht) ndaj atyre që janë jehudi Ne kemi ndaluar çdo (kafshë) thundrake: nga lopët dhe delet u kemi ndaluar dhjamin e tyre, pos atij (dhjami) në shpinën dhe në zorrët e tyre dhe pos atij të përzier me ndonjë asht. Këtë (masë-ndalesë) e morëm si ndëshkim ndaj mëkatit të tyre. S’ka dyshim, Ne jemi të vërtetë (në çka ju rrëfejmë).” (El-En’am: 146)

Lejimi dhe ndalimi i konsumimit të ushqimit në sqarimin e Zotit bazohet mbi parimin e njëjtë i cili nuk ndryshon. Çka është e mirë, e dobishme dhe që nuk është e dëmshme është e lejuar. Çka është e keqe dhe e dëmshme për shëndetin e njeriut është e ndaluar.

Në këtë aspekt nuk ka papajtueshmëri në mes të programit islam dhe programit të çdo feje tjetër në lejimin ose ndalimin. Ky është një shkak tjetër i cili nga njerëzimi kërkon pajtueshmëri, afrim, vëllazërim dhe bashkëpunim dhe largim nga çështjet që shkaktojnë ndarje, urrejtje dhe konfrontim.

Umeti i Kur’anit duhet të qëndrojë në ballë të bashkimit të ndjenjave njerëzore dhe të jetë i butë me ta, të anashkalojë zënkat të cilat cenojnë unitetin dhe përkeqësojnë nderin dhe vlerat e tyre.

Lini një koment