“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Programi bazë islam në forcimin e besimit është vërtetimi i së vërtetës, vërtetimi dhe proklamimi simboleve të tij, në anën tjetër, zhvlerësimi i idhujtarisë dhe çrrënjosja e tij.
Për shoqërinë, nuk ka çështje më të rrezikshme se të baltoset besimi i tij, të shtrembërohet libri i Allahut dhe interpretimi i fjalëve të librit të tij të bëhet në mënyrë të gabuar.
Po ashtu për njeriun, nuk ka rrezik më të madh se paganizmi, idhujtaria dhe adhurimi i idhujve në vend të Allahut, e cila është padrejtësi e madhe dhe trillim i paskrupullt.
Kanë devijuar disa dijetarë të pasuesve të librit dhe disa priftërinj të cilët e kanë baltosur me gjuhët e tyre librin e Allahut, duke devijuar nga ajetet e sakta të zbritura, me shprehje zëvendësuese, ata kanë shtuar në librin e Allahut, kanë lënë mangë (kanë fshirë) nga libri i Allahut ose e kanë devijuar fjalën nga kuptimi i tij ose kanë lexuar shtrembër dhe nuk kanë lexuar drejtë, me qëllim që njerëzit të mendojnë se është Tevrat dhe se libri ka ardhur për atë që muslimanët ta mendojnë si të vërtetë dhe të saktë, por e vërteta është se nuk ishte fjalë e Allahut por përgënjeshtronin në emër të Allahut edhe pse e dinin se është e shpikur, e devijuar dhe e shtrembëruar, nuk ishte prej Allahut, por ishte prej epsheve dhe prej shejtanit dhe ai veprim nuk ishte veprim vetëm me shenja dhe simbole, por e tregonin zëshëm dhe haptazi. Kjo për shkak të zemrave të egra të tyre dhe për shkak të hidhërimit ndaj Allahut. Duke e sqaruar këtë qëndrim Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 78:
Në të vërrtetë, një grup prej tyre janë ata që pështjellojnë gjuhët e tyre kur lexojnë librin (për të deformuar kuptimin) ashtuqë ju të mendoni se ajo (shprehje) është nga libri, po ajo nuk është (i vërtetë), madje thonë: Kjo është nga Allahu!” Po ajo nuk është nga Allahu. Ata duke ditur thonë gënjeshtra për Allahun. (78)
Pastaj Allahu tregon qëndrimin tjetër i cili vërteton besimin në Allahun, të vetmin Zot, asimilimin e idhujtarisë dhe largimin e çdo shenje të idhujtarisë. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 79 dhe 80:
S’është e drejtë as nuk i takoi asnjë njeriu që t’i ketë dhënë Allahu librin, urtësinë dhe pejgamberinë, e pastaj ai t’u thotë njerëzve:” Bëhuni rob të mi (adhuromëni mua) e jo të Allahut!” por (ju thotë):” Bëhuni dijetarë të mësimeve të Zotit, ngase ua keni mësuar njerëzve librin dhe e keni studiuar atë. (79) Dhe as që ju urdhëron ai (pejgamberi) që të adhuroni engjëjt, as pejgamberët për zota. Vallë, a ju urdhëroi ai juve mosbesimin pasiqë ju jeni muslimanë? (80)
Ibn Abasi thotë: Shkak i zbritjes së këtij ajeti është si në vijim: Kur ishin tubuar rabinët jehud dhe një delegacion i krishterë nga Nexhrani Eba Rafiu el-Kardhiju i ka thënë pejgamberit a.s.: O Muhamed, a dëshiron që të adhurojmë dhe të të konsiderojmë Zot? Atëherë pejgamberi a.s. u thotë: Zoti më mbrojttë nga ajo që të adhurohet dikush tjetër pos Allahut. Nuk më ka dërguar për këtë çështje, as nuk më ka urdhëruar për këtë. Atëherë Allahu e ka zbritur ajetin e lartpërmendur.
Hasan Basriju ka thënë: Më kanë treguar se një njeri ka thënë: O i dërguar i Allahut, të dorëzohemi ty ashtu siç i dorëzohemi njëri-tjetrit. Po të përulemi ty. Muhamedi a.s. thotë: Përpos Zotit nuk lejohet askujt t’i përulet njeriu, por nderoni pejgamberin tuaj dhe dijeni vlerën e tij. Për këtë arsye ka zbritur ajeti i lartpërmendur.
Nuk është e drejtë që njeriu, të cilin Allahu e ka caktuar që t’i zbret librin, ta udhëzojë, t’i jep urtësi të kuptojë të drejtën dhe të kuptojë atë çka i ka zbritur Allahu, ta gradojë me shpallje dhe pejgamberi, e ai pastaj të kërkojë prej njerëzve që ta adhurojnë atë ose njëkohësisht ta adhurojnë atë me Allahun. Kjo është vet idhujtaria, mirëpo ai duhet të thotë: O ju njerëz, bëhuni të devotshëm dhe përmbajuni fesë, dëgjojeni Allahun plotësisht për shkak se ju e mësoni librin prej tjerëve dhe për shkak se ju e mësoni dhe e studioni librin, ju e dini se është e palogjikshme që pejgamberi të urdhërojë që t’i adhuroni melekët dhe pejgamberët për Zot në vend të Allahut. E gjithë kjo llogaritet pabesim, arrogancë dhe padëgjueshmëri. Nuk përshtatet me islamin dhe me besimin në Allahun. Nuk përshtatet me natyrshmërinë e njeriut, në të cilën natyrshmëri janë krijuar njerëzit.