Tregimi për Zekerijain dhe Jahjain a.s. dhe përzgjedhja e Merjemes

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Zekerijai a.s. është mahnitur me sjelljen e Merjemes, e cila ishte e përqendruar dhe e izoluar në adhurim dhe nga fakti se si ajo e kishte siguruar furnizimin, për këtë arsye, e luti Zotin që ta furnizoj me një fëmijë të mirë prej fëmijëve të Jakubit a.s. dhe deri sa ishte duke u falur në mihrab, shkojnë melekët dhe e përgëzojnë për Jahjain:

Ajetet 38-44:

Aty në atë moment Zekerijai e lut Zotin e tij e thotë: “Zoti im, falmë edhe mua nga ana juaj një pasardhës (fëmijë) të mirë, vërtet, Ti je dëgjues i lutjes”! (38) E duke u falur ai në faltore engjëjt e thërrasin: “Allahu të përgëzon ty me Jahjanë, që do të vërtetojë fjalën (Isain) e ardhur nga Allahu, e që do të jetë prijës i matur dhe pejgamber nga të dalluarit!” (39) Ai (Zekerijai) tha: “Zoti im, si mund të kem unë djalë kur mua më ka arritur pleqëria dhe shoqja ime beronjë (sterile)?” Tha (Allahu): “Kështu, Allahu punon çka të dojë!” (40) Ai (Zekerijai) tha: “Zoti im më jep mua një shenjë!” Shenja e jote – tha Ai – është që tri ditë nuk do të mund t’u flasësh njerëzve, pos me gjeste (mimikë), e ti përmende shumë Zotin tënd dhe madhëroje mbrëmje e mëngjes!” (41) Përkujto kur engjëjt i thanë:” Oj Merjeme, Allahu të dalloi ty (me besim e karakter), dhe të lartësoi mbi gratë e botës. (42) Oj Merjeme, vazhdoje adhurimin ndaj Zotit tënd, bën sexhde dhe falu për Zotin bashkë me ata që falen! (43) Këto janë nga lajmet e fshehta (të hershme) që po t’i shpallim ty. Ti nuk ishe ndër ta kur i hidhnin shortet se kush prej tyre do të bëhej kujdestar i Merjemes, nuk ishe pranë tyre as kur ata ziheshin mes vete. (44)

Zekerijai a.s. i është lutur Zotit për një fëmijë të mirë sikurse rasti i lindjes së Merjemes nga familja e Jakubit a.s. duke thënë: O Zoti im, më jep fëmijë të mirë sepse ata janë dritë e syve dhe qetësim i shpirtit. Ti e dëgjon fjalën e folësit, pranon lutjen e çdo lutësi të mirë.

Melekët i kanë folur me fjalë të ëmbla, e ai melek është Xhibrili dhe ai i ka folur derisa ishte në namaz, duke iu lutur Allahut dhe duke iu lutur në mihrab ku i thotë: Allahu të përgëzon me një djalë, emri i tij do të jetë Jahja, i cili do të vërtetojë Isain a.s. i cili do të lind prej një fjale të Allahut “Bëhu” dhe jo nëpërmjet rrugës së zakonshme të lindjes prej një nëne dhe babe, ai do të jetë zotëria i popullit të tij, mistik, i cili do të ndalojë (privojë) veten e tij nga epshet dhe do të gradohet me titullin e pejgamberit të cilit do t’i shpallet shpallja.

Përgëzimi tjetër është se Jahjai do të jetë zotëria i popullit të tij, i siguruar prej mëkateve dha ndalues (privues) i vetes nga dëshirat, ai do të jetë pejgamber i mirë i cili do të ketë shpallje. Ky është përgëzimi i dytë, pra përgëzimi për pejgamberinë e Jahjait a.s. pasi që të lind ai.

Zekerijai a.s. mahnitet nga këto dy përgëzime dhe thotë: Si është e mundur të kem fëmijë, kur tani veç jam plakur, po ashtu edhe gruaja ime është shterpë, nuk lind.

Melekët i përgjigjen: Kështu, Allahu vepron si do Ai, që nënkuptohet se, sikurse krijesa (lindja e një fëmije) e cila mund të formohet në mënyrë të jashtëzakonshme nga gruaja e Imranit, Allahu vepron në gjithësi. Zekerijai kërkon nga Zoti i tij që t’ia jep një shenjë për ekzistimin e shtatzënisë dhe se do të ketë fëmijë për t’ia përshpejtuar lumturinë ose që të falënderojë për atë begati. Allahu e cakton një shenjë ashtu që ai të mos ketë mundësi të ju flas njerëzve tri ditë radhazi, por do të ketë mundësi vetëm të sinjalizon me shenja ose me shenja të duarve ose me lëvizje të kokës e të ngjashme.

 Po ashtu, Allahu e urdhëron Zekerijanë a.s. që ta përmend Zotin e tij dhe ta madhëron vazhdimisht dhe pandërprerë, ta lartëson dhe ta veçon prej cilësive të cilat nuk i takojnë Atij, e këtë ta bëjë gjatë tërë kohës, posaçërisht në mëngjes dhe në mbrëmje.

O i dërguar, përkujtoje kur melekët i kanë thënë Merjemes: Oj Merjeme, për shkak të devotshmërisë tënde Allahu të ka përzgjedhur shenja të moralit të lartë dhe cilësi të larta, të ka pastruar nga çdo e metë, nga çdo vesvese dhe çdo dyshim, të ka pastruar nga gjendjet e rëndomta të grave, si f.v. nga menstruacioni, nga lehonia dhe ka bërë që të mund të lindësh pa pasur kontaktim seksual dhe të ka dalluar nga gratë e botës në kohën në të cilën jeton.

Oj Merjeme, përmbaju devotshmërisë dhe përuljes ndaj Allahut, bëji sexhde Atij duke e madhëruar dhe falu me xhematë me falësit.

O pejgamber, këto ngjarje të cilat t’i kemi treguar duke filluar prej ngjarjes së Zekerijait, Jahjait, pastaj Merjemes, janë prej ngjarjeve që janë mbajtur të fshehta dhe nuk të janë shpalosur as ty më herët dhe as ndonjërit prej popullit tënd, por janë prej shpalljes të cilat t’i shpallim ty nëpërmjet Xhibrilit besnik.

Ti nuk ke qenë në prezencën e tyre kur gruaja e Imranit e vendosi Merjemen në Mesxhidi Aksa dhe kur priftërinjtë janë konfrontuar për përkujdesjen ndaj saj dhe për t’i shërbyer asaj.

Po ashtu, ti nuk ke prezantuar kur janë konfrontuar për mbikëqyrjen e saj dhe kanë vendosur që të qesin short se kush do ta fitojë të drejtën e mbikëqyrjes së saj sepse ti je analfabet dhe nuk të mbetur asnjë rrugë tjetër e diturisë për të ditur përpos shpalljes e cila të shpallet nga Allahu i Madhërishëm.

Lini një koment