“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Islami, në fazën e parë të tij ka përjetuar momente dhe ngjarje të vështira prej pasuesve të librit, të cilët tentonin t’i devijonin muslimanët nga rruga e drejtë, të cilët i kishin kundërshtuar ajetet e Allahut në Tevratë dhe Inxhilë dhe nuk vepronin sipas tyre, të cilët e kishin përzier të vërtetën me të pavërtetën, duke besuar në disa pjesë të librit ose Kur’anit dhe duke i refuzuar disa pjesë tjera. Përzierja e fjalës së Allahut me fjalë njeriu është shpikje e paskrupullt, në anën tjetër është fshehur e vërteta e qartë, e ajo e vërtetë ka qenë përgëzimi për pejgamberin Muhamed a.s., i cili ka qenë në librat e mëhershme.
Këtë qëndrim të pasuesve të librit e ka përshkruar Kur’ani fisnik.
Transmeton Muadh bin Xhebeli dhe Hudhejfete bin Jamani dhe Amar bin Jasiri, ftesën e jehudëve për fenë e tyre dhe largimin nga islami, atëherë ka zbritur ajeti në vijim:
Ajeti 69:
Një grup nga ithtarët e librit kishin dëshirë t’u shpijnë në rrugë të gabuar por ata nuk mashtrojnë tjetërkënd pos vetes së tyre, dhe nuk e vërejnë. (69)
Ky është argument se ata kanë dashur që të krijojnë huti te muslimanët dhe t’i largojnë nga feja e tyre.
Pastaj Allahu nëpërmjet gjuhës së pejgamberit a.s. i ka këshilluar ata duke u thënë: Për çfarë arsye i mohoni ajetet e Allahut, të cilat ajete janë në Kur’an, përderisa ju e dëshmoni çështjen e Muhamedit dhe cilësitë e tij, të cilat argumente i keni në librin tuaj. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 70 dhe 71:
O ithtarë të librit, përse nuk i besoni ajetet (Kur’anin) e Allahut, e duke e ditur të vërtetën? (70) O ithtarët e librit, përse, duke qenë se ju e dini të vërtetën, e ngatërroni me gënjeshtrën dhe fshihni realitetin? (71)
Kjo nënkupton se, edhe pse ju e dini çështjen e Muhamedit a.s. ju mbani haptazi qëndrim të zilisë.
Pastaj Allahu tregon qëndrimin tjetër ekstrem të jehudëve, e ai qëndrim është se, disa rabin jehud të Hajberit kanë dashur t’i tradhtojnë muslimanët. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 72-74:
Një grup nga ithtarët e librit thanë (të vetëve): “Besoni para dite në atë që u është shpallur atyre që besuan (muslimanëve), e pasdite mos e besoni, e ndoshta edhe ata (muslimanët), do të zmbrapsen (nga besimi i tyre). (72) Dhe (u thoshin): Mos i besoni askujt përveç atij që është në fenë tuaj!” Thuaj (o i dërguar):” I vetmi udhëzim është udhëzimi nga Allahu!” (u thoni të vetëve mos besoni nga droja) Se po i jepet ndokujt (pejgamberia) sikurse u është dhënë juve dhe (nga droja) se t’ju paraqesin fakte (muslimanët) para Zotit tuaj (Ditën e gjykimit). Thuaju: “E tërë e mira është në duar të Allahut, Ai ia jep atë kujt të dojë; Allahu është dhurues i gjerë, i gjithëdijshëm” (73) Ai veçon me mëshirën e vet (me pejgamberi) kë të dojë. Allahu është Zot i mirësisë së madhe. (74)
Koncepti
Një pjesë e pasuesve të librit dhe pasues të tyre kanë thënë: Në fillim të ditës besojeni Muhamedin, pastaj në fund të ditës mohojeni. Nëse ju pyesin për shkakun, ju thoni: Ne besuam derisa u kthyem në Tevrat dhe Inxhilë dhe shikuam aty, mirëpo nga aty kuptuam se ky (Muhamedi) nuk është pejgamberi i paralajmëruar në Tevratë, ndoshta ky është fati dhe duhet larguar nga besimi i atyre të cilët besojnë Muhamedin dhe nga feja e tij.
Po ashtu u thoshin pasuesve të tyre: Mos përgëzoni ose mos e zbuloni sekretin përpos ndaj atyre që pasojnë fenë tuaj. Sekretet tuaja mos ua tregoni muslimanëve, mos të besojnë dhe mos të argumentohen me qëndrimet tuaja. Mos ua tregoni muslimanëve atë çka keni në zemrat tuaja dhe mos ta mësojnë prej juve të vërtetën e të ju përdorin si kundërargument në vend se të ju marrin si argument, pasi që atëherë do të triumfojnë me argumente kundër jush edhe në këtë botë edhe në botën tjetër.
Allahu u kundërpërgjigjet atyre në atë se, Allahu është Ai i Cili udhëzon zemrat e besimtarëve në besim, në atë që ka zbritur te i dërguari i Tij prej ajeteve të qarta. Pra, nuk është çështja juaj për ta thënë të vërtetën apo për ta fshehur atë për atë i cili veç është udhëzuar sepse udhëzimi është prej Allahut dhe suksesi për udhëzim është prej Allahut. E mira është prej Allahut, i jep të mira cilit do Ai dhe me mëshirën e Tij e veçon cilin do Ai, si f.v.: specifikimin e Muhamedit a.s. për pejgamber. Allahu gjithmonë vlerëson shumë dhe jep shumë të mira.
Kjo qasje është përgënjeshtrim për jehudët të cilët thonë: Pejgamberia e Musait është e përgjithmonshme dhe se Allahu nuk i jep askujt atë që u ka dhënë bijve të Israilit, pra nderin dhe pejgamberinë.
Allahu i përzgjedh dhe i dallon pejgamberët dhe nuk ka të bëjë me interesin e askujt, por për interes të përgjithshëm.