“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Isai a.s. e ka ftuar popullin e tij Israilit për të adhuruar vetëm Allahun. Disa prej tyre i besuan, të tjerët e refuzuan, për këtë arsye prej tyre përjetoi vuajtje dhe mori kërcënim për vrasje. Allahu e ka shpëtuar prej tyre. U ka premtuar shpërblime besimtarëve me kënaqësi të Allahut, ndërsa pabesimtarëve ua ka tërheqë vërejtjen me dënim të dhimbshëm.
Allahu ka reaguar ndaj atyre të cilët pretendojnë se Isai është Zot, nga shkaku se shembulli i tij është sikurse shembulli i Ademit, është krijuar me fjalën e Allahut për t’u krijuar, ndërsa kundërshtarëve u ka kërkuar që të bëhet lutje mallkimi për gënjeshtarët. Kjo tregohet në ajetet në vijim:
Ajetet 52-63:
E kur e kuptoi Isai vendosmërinë e tyre në mosbesim (dhe qëllimin që ta mbysin), tha: ‘Kush janë ndihmëtarët e mi për në rrugë të Allahut?’ Havarijunët thanë: ‘Ne jemi ndihmëtarë të fesë së Allahut, ne i besuam Allahut, e ti dëshmo për ne se jemi muslimanë (të bindur, të dorëzuar)! (52) Zoti ynë, ne e besuam atë që e zbrite (shpalljen), e pasuam të dërguarin (Isain), pra shënona bashkë me ata që dëshmojnë (besimin e drejtë)!’ (53) E, ata (jehudët) i kurdisën një dredhi (mbytjen e Isait), Allahu iu kundërvu dredhisë së tyre, Allahu është asgjësuesi më i fuqishëm kundër atyre që bëjnë dredhi. (54) (Përkujto, o i dërguar) Kur Allahu tha: ‘O Isa, Unë po të marr ty, po të ngriti te Unë, po të shpëtoj prej sherrit të atyre që nuk besuan. E ata që të besuan ty, do t’i ngriti lart mbi ata që nuk besuan deri në ditën e kijametit, pastaj vetëm te Unë është kthimi juaj, Unë gjykoj mes jush për atë që kundërshtoheshit. (55) Për sa u përket atyre që nuk besuan, Unë do t’i ndëshkoj me një ndëshkim të ashpër në këtë botë dhe në botën tjetër, dhe ata nuk do të kenë ndihmëtarë. (56) E për sa u përket atyre që besuan dhe bënë vepra të mira, atyre u japë shpërblim të plotë. Allahu nuk i do të padrejtit. (57) Këto që po t’i lexojmë ty (o i dërguar) janë nga ajetet, janë nga Kur’ani i pa të meta (i rezistueshëm). (58) Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) te Allahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i tha “Bëhu!” ai u bë. (59) E vërtetë është (kjo) nga Zoti yt, e ti kurrsesi mos u bën nga ata që dyshojnë. (60) E kush të kundërshton ty në çështjen e tij (Isait) pasi të është bërë e ditur e vërteta, ti thuaj: ‘Ejani i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vet ju, mandej sinqerisht të lutemi për mallkim, dhe mallkimin nga ana e Allahut ta hedhim kundër gënjeshtarëve. (61) S’ka dyshim, ky është lajm i vërtetë. Nuk ka asnjë të adhuruar tjetër pos Allahut. Allahu është Ai, i plotfuqishmi, i vetëdijshmi. (62) E nëse ata refuzojnë (besimin e drejtë), ata janë ngatërrestarë, për të cilët Allahu e di shumë mirë. (63)
Ibn Hatemi e ka regjistruar hadithin nga Hasan el-Basriju ku: Dy priftërinj nga Nexhrani shkojnë te Muhamedi a.s. dhe i thonë: Cili është baba i Isait?
Muhamedi a.s. nuk përshpejtonte derisa e urdhëronte Zoti i tij, kështu që zbriti ajeti:
“Këto që po t’i lexojmë ty (o i dërguar) janë nga ajetet, janë nga Kur’ani i pa të meta (i rezistueshëm). Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) te Allahu është sikurse çështja e Ademit. Atë e krijoi Ai nga dheu, e pastaj atij i tha “Bëhu!” ai u bë. E vërtetë është (kjo) nga Zoti yt, e ti kurrsesi mos u bën nga ata që dyshojnë.” (Ali Imran: 58-60)
Komentuesit thonë se një delegacion nga Nexhrani i kanë thënë pejgamberit a.s.: Pse po e ofendon shokun tonë?
Thotë: Çka jam duke thënë?
I thonë: Ai është rob.
Po – u përgjigjet ai – ai është rob i Allahut dhe i dërguari i Tij dhe i ardhur prej fjalës “Bëhu” nëpërmjet virgjëreshës së pastër.
Ata pastaj janë hidhëruar dhe kanë thënë: A ke parë ndonjëherë ndonjë njeri pa baba. Nëse e thua të vërtetën na trego diçka të ngjashme.
Atëherë Allahu ka zbritur ajetin: “Padyshim se shembulli i Isait te Allahu i ngjanë shembullit të Ademit.”
Kur Isai e vëren se populli i tij prej bijve të Israilit janë duke përgatitur sistemin e pabesimit, thotë: Kush më ndihmon në ftesën e Allahut dhe për të transmetuar shpalljen te njerëzit.
Havarijunët (ndihmëtarët dhe nxënësit e tij) – të cilët ishin 12 persona – thanë: Ne jemi ndihmëtarë të fesë së Allahut dhe të dërguarit të Tij. Besojmë në të vetmin Zot. O Isa, dëshmo se ne jemi të sinqertë në besimin tonë, e pranojmë shpalljen tënde dhe dëgjojmë urdhrat nga ju.
Zoti ynë, ne vërtetojmë shpalljen që ka zbritur te pejgamberi Yt, i zbatojmë urdhrat Tu. Na bëj që të jemi dëshmitarë në Ditën e gjykimit se kemi dëshmuar me sinqeritet për pejgamberin tënd dhe për Ty se je i vetmi Zot.
O pejgamber përkujtoje kur Allahu ka thënë: O Isa, Unë e plotësoj caktimin e jetës tënde në këtë botë, do të marr ty dhe do të bëj që të vdesësh me vdekje normale dhe do të të ngriti ty me shpirtin dhe me trupin tënd dhe do të të niveloj ty lart me nivelin e Idrisit dhe të mirëve, do të të pastroj ty prej të këqijave të pabesimtarëve dhe tradhtive të tyre dhe do të të largoj nga e keqja e veprave të tyre dhe do të bëj që ata të cilët të pasojnë, që besojnë në shpalljen e cila të është shpallur ty të jenë mbi ata të cilët kanë mohuar Ditën e gjykimit. Kjo është ngritje e vlerës dhe e moralit, ngritje e argumenteve. Nga këta pasues janë: muslimanët të cilët kanë besuar në pejgamberinë e Isait dhe në atë vlerë të cilën e meriton, por pa e tepruar, pastaj kur të jetë në mesin e të gjithë juve do të gjykojë në mes të besimtarëve pasues dhe mohuesve, për atë që kanë kundërshtuar në çështjen e Mesihut, në kryqëzimin e tij dhe për të gjitha çështjet e fesë.
Sa i përket mohuesve, ata do të kenë dënim të ashpër në këtë botë me lloje të ndryshme të ndëshkimeve, ndërsa në botën tjetër me zjarr të xhehenemit, ata nuk mund të kenë ndihmëtarë për të ju ndihmuar dhe as nuk mund t’i shpëtojnë ata nga dënimi.
Sa i përket besimtarëve të cilët veprojnë punë të mira të cilat punë të mira i ka urdhëruar Allahu, Allahu i shpërblen veprat e tyre me shpërblim të mirë.
Allahu i dënon ata të cilët i bëjnë padrejtësi vetes së tyre dhe ata të cilët i kundërshtojnë urdhrat e tyre.
Kjo është përmendur në lajmet e Isait, birit të Merjemes, të cilat lajme t’i tregojmë o pejgamber nëpërmjet ajeteve dhe shenjave të cilat dëshmojnë pejgamberinë tënde dhe nëpërmjet Kur’anit të përsosur në të cilin nuk ka mangësi.
Çështja e veçantë e Isait është e ngjashme me çështjen e Ademit të cilin Allahu e ka krijuar prej dheut, pastaj e ka përdorur fjalën “Bëhu njeri”, bile çështja e Ademit është edhe më e veçantë. Ai nuk ka as nënë dhe as baba pasi që është i krijuar prej dheut.
Kjo shpallje e cila të është shpallur o pejgamber, është e vërtetë e dokumentuar nga Zoti yt, andaj mos u bëj prej dyshuesve. Ndalesa për pejgamberin a.s. në fakt tregon shtesë të vërtetësisë sepse ai është sikurse çdokush i cili dëgjon dhe analizon.
Kush polemizon për çështje të Isait padrejtësisht, pasi që të ka ardhur shpallja dhe informata për të vërtetën e çështjes, thuaju atyre: Ejani që të gjithë të tubohemi me gra dhe fëmijë, pastaj t’i lutemi Zotit përulësisht dhe të themi: O Zot, mallkoje përgënjeshtruesin për çështjen e Isait.
Kjo ngjarje e cila është treguar për çështjen e Isait është ngjarje reale e lindjes së Isait a.s., zanafilla e tij, programi i tij dhe thirrja e tij. Nuk ka Zot i cili duhet të adhurohet përpos Allahut të vetëm, Krijues i gjithçkaje. Allahu është i fuqishëm, triumfon në gjithësi, i Urtë në krijimtari dhe planifikim.
Nëse e refuzojnë këtë të vërtetë të pamohueshme dhe e refuzojnë besimin e njëshmërisë për të cilën kanë thirrur të gjithë pejgamberët, atëherë vetëm refuzimi shkakton çrregullim në vetvete, sepse llogaritet idhujtari dhe mohim. Allahu i di çrregulluesit dhe do t’i ndëshkojë për çrregullimin e tyre.