“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Tregimet e Kur’anit janë impresionuese, të shpijnë në besim, meditim, në analizë dhe përfitim mësimi.
Në të shumtën e rasteve janë tregime të pejgamberëve dhe të dërguarve, të cilëve u bashkëngjiten mrekulli të cilat tregojnë vërtetësinë e shpalljes dhe identifikimin e pejgamberisë.
Na tregojnë për fuqinë e Allahut, se Allahu me fuqinë e Tij bën përjashtime nga rastet e rëndomta, ashtu që Allahu i Madhërishëm i jep mrekulli mbinatyrore pejgamberit ose të dërguarit, që të dëshmojë për sinqeritetin e tij në atë që fton dhe në atë se është i dërguar apo pejgamber.
Prej atyre tregimeve është ajo që treguam për tregimet e Zekerijait, Jahjait dhe Merjemes dhe atë që do të tregojmë për lindjen e Isait pa babë dhe mrekullitë e Tij dhe se si Allahu ia ka mësuar librin (shkrimin) dhe urtësinë (dituri dobiprurëse), Tevratin dhe Inxhilin. Këtë e tregojnë ajetet në vijim:
Ajetet 45-51:
Përkujto kur engjëjt i thanë: “Oj Merjeme, Allahu të përgëzon me fjalën e vet (me lindjen e një fëmije si rezultat i fjalës së Zotit). (45) E që duke qenë në djep (foshnje) u flet njerëzve, e edhe si i rritur e që është nga të përsosurit. (46) Ajo tha: “Zoti im, si mund të kem unë djalë e mua s’më ka prekur njeri (nuk jam e martuar)? Ai (Allahu) tha: “Ja, kështu, Allahu krijon çka të dojë. Kur Ai vendos për një çështje, vetëm i thotë: Bëhu! Ajo menjëherë bëhet. (47) Ai (Allahu) ia mëson atij librin (besimin), urtësinë, Tevratin dhe Inxhilin. (48) Dhe, të dërguar te bijtë e Israilit: unë kam ardhur nga Zoti juaj me argument, unë nga balta ju bëj diç si shpendi, i fryj atij dhe ai me lejen e Allahut bëhet shpend, unë i shëroj të verbrit, të sëmurit në lëkurë, dhe unë me lejen e Allahut ngjalli të vdekurit: unë ju tregoj për atë që e hani dhe për atë që e depononi në shtëpitë tuaja. Vërtetë, ky është fakt për ju nëse jeni besimtarë. (49) Dhe (kam ardhur) që t’ju vërtetoj Tevratin që e keni para duarsh, t’ju lejoj disa që u ishin ndaluar juve, kam ardhur me argument nga Zoti juaj, pra kijeni frikë Allahun dhe më dëgjoni mua. (50) Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj. Adhurojeni Atë; kjo është rrugë më e drejtë! (51)
O pejgamber, përkujtoje historinë kur melekët kanë thënë: Vërtet Allahu ju përgëzon për një lindje nga ti pa pasur babë dhe ai është djalë fjale, që do të thotë se do të lind prej fjalës “Bëhu” dhe ai bëhet, bëhet prej Allahut, pa ndërmjetësim të njeriut, emri i tij do të jetë Mesih, Isa djali i Merjemes, ai është prej teje dhe cilësohet me termin “Mesijh” sepse lëmohet me begati ose me ngjyrën me të cilën ngjyrë janë të lëmuar (cilësuar – brumosur) pejgamberët. Ai do të jetë autoritativ në këtë botë me pejgamberinë e tij dhe në botën tjetër do të ndërmjetësoj dhe do të ketë pozitë të lartë dhe do të jetë prej të afërmve të Allahut në Ditën e gjykimit.
Ai do t’u flasë njerëzve duke qenë fëmijë në djep, kur fëmija është në lulak, i shtrirë, duke thith qumësht prej nëne, por edhe në moshën e pjekurisë, kjo moshë i përket moshës 30 vjeçare apo 40 vjeçare deri në pleqëri. Pra, do t’ju flet njerëzve në dy mënyra:
– me të folurit e shpalljes; dhe
– me të folurit si rob i mirë.
Merjemja i thotë, duke e anashkaluar çështjen e rëndomtë: Po si mund të kem unë fëmijë, kur nuk më është afruar njeri?
Nëpërmjet shpalljes i paraqitet inspirimi. Ashtu siç krijon Allahu çka të dëshiron prej asgjëje me fuqinë dhe me urtësinë e tij. Nëse dëshiron të krijojë diçka, ai e krijon me fjalën “Bëhu” dhe bëhet ashtu siç dëshiron.
Allahu do t’ia mësojë Isait librin dhe fatin, diturinë e dobishme dhe të kuptuarit e sekretit të çështjeve, Tevratin të cilin libër ia ka zbritur Musait dhe Inxhilin i cili do t’i shpallet.
(Isai a.s. ka thënë) Allahu më ka dërguar pejgamber te bijtë e Israilit dhe unë jua tregoj shenjat të cilat tregojnë për vërtetësinë e pejgamberisë dhe shpalljes sime, e ato janë:
– Unë para juve formësoj prej balte diçka si formë shpendi, i fryj, dhe bëhet i gjallë sikurse shpendët tjerë, por me dëshirën e Allahut. E krijuara e vërtetë është prej Allahut.
– I shëroj të verbrit, të cilët lindin të verbër;
– I shëroj të zgjebosurit; është ngjyra e bardhë e cila paraqitet në lëkurë;
I ka specifikuar këto dy lloj sëmundjeje, për shkak se zakonisht janë të pashërueshme ose shërohen me vështirësi.
– I ngjalli të vdekurit;
Të gjitha këto me dëshirën e Zotit.
– Po ashtu ju tregoj (ju lajmëroj) se me çka ushqeheni dhe çka rezervoni dhe përgatitni prej drithërave e ushqimeve tjera, të cilat normalisht nuk mund t’i dijë askush.
Të gjitha këto të cilat i treguam janë dëshmi e fortë dhe argument i qartë për vërtetësinë e pejgamberisë sime, nëse besoni në shpalljet e Zotit.
Kam ardhur te ju për të vërtetuar atë çka ka qenë shpallje para meje -prej Tevratit, duke e zbatuar atë, duke i lehtësuar disa ligje të saj, duke jua lejuar disa ligje të saj, duke jua lejuar disa të mira të cilat të mira kanë qenë të ndaluara për ju në Tevrat si f.v. mishrat, yndyrat e bagëtive.
Kam ardhur për të dëshmuar vërtetësinë time prej Allahut dhe kini frikë dënimit të Tij dhe më dëgjon për çka ju ftoj, më pasoni mua në fenë time duke besuar në vetëm në një Zot.
Pa dyshim se Allahu është Zoti im dhe Zot i juaji. Nuk ka Zot tjetër përveç tij dhe unë jam rob i Tij. Adhurojeni vetëm Atë, mos i përshkruani Zot tjetër. Kjo është rruga ime e drejtë, e qartë dhe e cila nuk pranon devijime.