“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Allahu Famëlartë ka dashur që popujt t’i bashkojë në një fe, e ajo fe është besimi në një Zot. Fe në të cilën nuk mund të ketë shumë zota. Nuk mund të ketë idhujtari, nuk mund të ketë as zot At, as zot Bir. Kjo çështje kuptohet lehtë dhe ka qëllime të larta dhe fisnike. Më e rëndësishmja është se feja është pengesë e polemikave dhe hasmërive në mes njerëzve, përhap dashurinë dhe afrimin në mes tyre. Për këtë arsye, Allahu e ka urdhëruar pejgamberin e tij që të thërret njerëzit për drejtësi, për unifikimin në një fjalë dhe për mesataren, e ajo është që të gjithë së bashku të adhurojnë vetëm Allahun dhe që të mos i përshkruhet ortak Atij, që të mos marrin për Zot tjetërkënd pos Allahut.
Sa i përket besimit në një Zot, pra, në Allahun e Madhërishëm, asnjë fe qiellore nuk dallon nga tjetra. Përderisa çështja qëndron në bazë të këtij programi mesatar, ejani te ne që të gjithë që ta proklamojmë, ta pasojmë dhe dallimet t’i shkrijmë në besimin në një Zot. Nëse kundërshtohemi për diçka për shkak të ndonjë keqkuptimi dhe mospajtimi atëherë patjetër duhet të kthehemi te baza e besimit në një Zot dhe te fjala se: “Asnjë njeri nuk duhet të thotë se ndonjë njeri është djalë i Zotit”. Nëse idhujtarët dhe pasuesit e librit e kundërshtojnë dhe nuk e pranojnë këtë ftesë të qartë, atëherë o ju besimtarë thoni: Ne dëshmojmë se jemi muslimanë të vërtetë, i mbështetemi Zotit, e adhurojmë sinqerisht vetëm Atë, përderisa ju nuk jeni kështu. Duke e vendosur këtë program mesatar Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 64:
Thuaju (o i dërguar): “O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: të mos adhurojmë, pos Allahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos konsiderojmë njëri – tjetrin zota pos Allahut!” E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: “Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)!” (64)
Pejgamberi a.s. i është përmbajt kësaj fjale (shkrese) të përsosur. Këtë fjalë (shkresë) ia ka dërguar Herakliut të madh romak dhe udhëheqësve të tjerë botëror. Me këtë fjalë i ka ftuar arabët e gadishullit arabik, kështu duhet ftuar pasuesit e librit deri në Ditën e gjykimit.
Pastaj, Kur’ani sqaron esencën e fesë së Ibrahimit a.s., ajo fe është feja e besimit në një Zot e cila ka ardhur për çështjen e Ibrahimit dhe ai ka qenë para zbritjes së Tevratit dhe Inxhilit. Ibrahimi nuk ka qenë as jehudi, as i krishterë, por ka qenë i pastër, pra nuk ka anuar në idhujtari të putave dhe nuk i ka përshkruar Allahut ortak. Ai ka qenë musliman, që do të thotë, ka besuar në Allahun e Madhërishëm. Nuk ka qenë idhujtar si idhujtarët arab.
Njeriu më prioritar për t’i takuar Ibrahimit është Muhamedi, i dërguari i Allahut, dhe besimtarët, të cilët me ftesën e tyre janë pasues të vërtetë të Ibrahimit, pasi që janë të njëjtë në besimin në një Zot dhe madhërimin e Allahut. Allahu është dashamir dhe ndihmëtar i besimtarëve.
Duke sqaruar thënien e prerë për fenë e Ibrahimit dhe për polemikën e cila ka ndodhur rreth tij, Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 65-68:
(madje thuaju): “O ithtarë të librit, pse po polemizoni me ne rreth Ibrahimit? E, nuk janë shpallur as Tevrati as Inxhilli, vetëm se pas tij?! A nuk e kuptoni (gënjeshtrën tuaj)?” (65) Ja ju jeni ata që polemizuat edhe për atë që e dinit (për Isain) e përse polemizoni për atë që s’keni kurrfarë dije (për Ibrahimin)? Allahu e di të vërtetën e ju nuk e dini. (66) Ibrahimi nuk ka qenë as jehudi as i krishterë, por ai ishte larg besimeve të kota, ishte musliman dhe nuk ishte prej idhujtarëve. (67) Njerëzit më me meritë për t’u thirrur në Ibrahimin, ishin ata që e ndoqën atë (besimin e tij) dhe ky Pejgamber me ata që besuan (umeti i këtij). Allahu është mbrojtës i besimtarëve. (68)
Shkaku i zbritjes së këtij ajeti
Jehudët e kanë pyetur pejgamberin a.s.: O Muhamed, për Zotin ti e di se ne kemi prioritet për fenë e Ibrahimit më shumë se ti dhe të tjerët. Ai ka qenë jehudi. Ti vetëm se na ke zili. Atëherë ka zbritur ajeti:
“Njerëzit më me meritë për t’u thirrur në Ibrahimin, ishin ata që e ndoqën atë (besimin e tij) dhe ky Pejgamber me ata që besuan (umeti i këtij). Allahu është mbrojtës i besimtarëve.” (Ali Imranë: 68)
Në hadithin të cilin e transmeton Said bin Mensuri nga Ibn Mes’udi, Muhamedi a.s. ka thënë: Secili pejgamber e ka lozën prej pejgamberëve. Loza ime ndërlidhet me dashamirin (Halilullah) e Zotit tim Famëlartë (Ibrahimin a.s.) dhe e ka kënduar këtë ajet (të lartcekur).