“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Kur’ani fisnik i ka ndarë jehudët në dy grupe. Ka treguar se sa i përket emanetit dhe thyerjes së premtimit, ata janë dy grupe:
– Një grup prej tyre cilësohet se e kryejnë plotësisht emanetin;
– Një grup prej tyre cilësohet për tradhti dhe moszbatim të marrëveshjeve dhe lejim të ngrënies së pasurisë së arabëve.
– Grupi i parë përbetohet në Allahun me sinqeritet;
– Grupi dytë përbetohet në Allahun rrejshëm dhe duke shpifur për Të.
Allahu i Madhërishëm në librin e Tij Famëlartë ka zbritur ajetet për të shprehur realitetin e dy grupeve dhe tregon për cilësinë e emanetit dhe tradhtisë, për besatimet e rrejshme dhe prishjen e marrëveshjeve Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 75-77:
Ndër ithtarë të librit ka aso që po ia besove një sasi të madhe (ari), ai ta kthen ty atë, por ka të atillë që po ia besove një dinarë, ai nuk ta kthen ty atë, përveç nëse gjithnjë i rri gati (ia kërkon pajanda). Këtë (e bëjnë) për arsye se ata thoshin:” Ne nuk kemi kurrfarë përgjegjësie ndaj (pasurisë që u marrim) të paditurve (arabëve analfabetë). Pra duke e ditur të vërtetën, ata bëjnë gënjeshtër ndaj Allahut. (75) Jo, (nuk është ashtu si thonë ata) po kush e përmbush emanetin e vet (është besnik) dhe ruhet nga mëkatet, s’ka dyshim, Allahu i do ata që ruhen. (76) Ata që për një vlerë të paktë e shesin besën e dhënë Allahut, ndryshojnë edhe zotimet e tyre, të tillët nuk kanë pjesë (mëshirë) në botën tjetër, dhe në ditën e kijametit Allahu nuk u flet atyre, nuk i shikon ata dhe nuk i pastron (prej barrës së gabimeve), ata kanë një dënim të dhembshëm. (77)
Sa i përket ajetit të parë, ajeti tregon se disa pasues të librit prej jehudëve, e lejojnë ngrënien e pasurisë e cila nuk është e jehudëve, duke pretenduar se Tevrati ua ndalon atyre tradhtinë vetëm ndaj bijve të Israilit, përderisa sa i përket analfabetëve arab dhe jo arab nuk kanë mëkat nëse keqpërdorin pasurinë e tyre, për shkak se e konsiderojnë veten se janë popull i përzgjedhur, ndërsa, për të tjerët tyre nuk është e ndaluar për ta prej Allahut, ata janë të urryer, nuk kanë të drejta dhe nuk ka ndalesa ndaj tyre, kështu që lejohet keqpërdorimi i pasurisë së tyre. Në këtë çështje ata trillojnë gënjeshtra për Allahun, nga shkaku se të gjithë popujt janë të barabartë në sigurimin e të drejtave njerëzore. Nuk ka dallim arabi nga jo arabi përpos të devotshmëve: “Pa dyshim se më fisniku nga ju te Allahu është më i devotshmi nga ju.” (El-Huxhuratë: 13)
Shkaku i zbritjes së këtij ajeti
Disa arab u kishin dhënë borxh pasuesve të librit. Kur ata arab (borxhdhënës) e kishin pranuar islamin, jehudët u thoshin: Ne nuk e kryejmë borxhin, pasi që ju jeni larguar nga feja e juaj (fesë së tyre idhujtare) e mëparshme. Për këtë ka zbritur ky ajet.
Po ashtu transmetohet se bijtë e Israilit kishin krijuar bindje se lejohet keqpërdorimi i pasurisë së arabëve nga shkaku se ishin idhujtarë. Kur erdh islami dhe ata e kishin pranuar islamin, jehudët vazhdonin bindjet e tyre si më parë. Për këtë arsye ka zbritur ky ajet.
Pastaj Allahu u është kundërpërgjigjur:
Ajeti 71:
O ithtarët e librit, përse, duke qenë se ju e dini të vërtetën e ngatërroni me gënjeshtrën dhe fshihni realitetin? (71)
që nënkupton se, nuk ka asgjë të vërtetë në atë që thonë dhe nuk kanë kurrfarë argumenti në lejimin e keqpërdorimit të pasurisë së tjerëve. Ata e kanë për detyrë të sigurojnë të drejtat dhe zbatimin e marrëveshjeve dhe kryerjen e borxheve dhe kush i zbaton marrëveshjet dhe i frikësohet ndëshkimit të Allahut nëse i thyejnë premtimet, ai është i dashur te Allahu.
Pastaj Allahu Famëlartë përmendë kërcënimin për ata të cilët vazhdojnë me ato veprime të gabuara duke ua mohuar të drejtat tjerëve, duke thyer e premtimet dhe përbetuar rrejshëm. Ata janë tradhtarë dhe mashtrues, në fakt ata nuk do të kenë asgjë në botën tjetër, Allahu nuk do t’u flasë në Ditën e gjykimit me fjalë mëshire, pasi që Allahu do të jetë i hidhëruar me ta, nuk i shikon me shikim butësie dhe mëshire, nuk do t’i lavdërojë duke i dalluar apo duke i veçuar, por ata do të kenë dënim të dhimbshëm.
Abdullah bin Mes’udi ka thënë (në hadithin të cilin e transmetojnë gjashtë koleksionistët): Kush përbetohet për diçka duke gënjyer, për të keqpërdorë pasurinë e muslimanit, do ta takojë Allahun të hidhëruar me të.
Esh’ath bin Kajsi ka thënë: Për Zotin ky ajet ka zbritur për mua. Ishte një parcelë në mes meje dhe në mes të një jehudi. Ai e kontestonte. Këtë ia paraqita pejgamberit a.s. Më tha: A keni dëshmi? I thashë: Jo. E pyeti jehudin: A përbetohesh? Unë i thashë: Ai përbetohet (nuk e ka problem) dhe e përfiton pasurinë time. Atëherë Allahu e zbriti ajetin:
“Ata që për një vlerë të paktë e shesin besën e dhënë Allahut, ndryshojnë edhe zotimet e tyre, të tillët nuk kanë pjesë (mëshirë) në botën tjetër, dhe në ditën e kijametit Allahu nuk u flet atyre, nuk i shikon ata dhe nuk i pastron (prej barrës së gabimeve), ata kanë një dënim të dhembshëm.” (Ali Imranë: 77)