“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Një pjesë e njerëzve krenohen me pasuri, me fëmijë dhe me pasardhës. Ata mendojnë se në krahasim me të tjerët janë më të privilegjuarit në këtë botë dhe më të mirët edhe në botën tjetër. Nuk e kuptojnë se pasuria dhe fëmijët janë hije e cila zhduket dhe humbet, përderisa e mira është në rrugën e drejtë dhe në veprat e mira.
Në fillim të Islamit, armiqtë e muslimanëve janë mashtruar me veten e tyre duke u krenuar me fiset e tyre, me fëmijët e shumtë të tyre, atëherë Allahu ka sqaruar urrejtjen dhe mllefin e tyre. Ka sqaruar se ata janë të mashtruar me fëmijët dhe pasurinë e tyre: “Dhe kanë thënë: Ne kemi shumë fëmijë dhe shumë pasuri dhe (për këtë) nuk do të ndëshkohemi.” (Sebeë: 35)
Allahu u është kundërpërgjigjur në shumë vende në Kur’anin fisnik, siç është kundërpërgjigjur në këto ajete:
Ajetet 10-13:
Është e vërtetë se atyre që nuk besuan nuk do t`u vlejë asgjë para Allahut, as pasuria e as fëmijët e tyre. Ata vetë janë lëndë e zjarrit. (10) Si gjendja e pasardhësve të Faraonit dhe e atyre që ishin para tyre, që përgënjeshtruan argumentet tona, e Allahu i shkatërroi me fajet e tyre, Allahu ndëshkon shumë ashpër. (11) Thuaju atyre që nuk besuan: “Do të jeni të mposhtur (ne këtë jetë) dhe do të hidheni në Xhehenem. Sa i shëmtuar është ai djep (shtrat). (12) Ju (jehudi) patët një përvojë të madhe në ato dy grupet që u konfrontuat ndërmjet vete, njëri grup luftonte në rrugën e Allahut e tjetri ishte pabesimtar, dhe me shikimin e syve të tyre i shihnin se ishin dy herë më shumë se besimtarët. Po, Allahu me ndihmën e vet përforcon atë që do. Vërtetë, në këtë është një përvojë e madhe për ata që kanë mendje të kthjelltë. (13)
Ibn Abasi ka thënë: Idhujtarët, kur kanë humbur në betejën e Bedrit, jehudët e Medinës kanë thënë: Për Zotin, ky është pejgamberi të cilin na ka paralajmëruar Musai – dhe paralajmërimi i tij në librin tonë – me të gjitha cilësitë dhe atributet dhe se nuk duhet refuzuar atë. Kanë dashur ta besojnë dhe ta pasojnë. Mirëpo pastaj i kanë thënë njëri-tjetrit: “Mos përshpejtoni deri sa të shohim se çka do të ndodhë në betejën tjetër”. Kur ka ndodhë ngjarja në ditën e betejës së Uhudit, shokët e të dërguarit të Allahut e kanë humbë betejën dhe janë ankuar, ata kanë thënë: “Për Zotin nuk është ai”, kështu që ka dominuar ana refuzimit, dhe nuk e kanë pranuar fenë islame”.
Në mes tyre dhe të dërguarit të Allahut ka ekzistuar marrëveshje e paqes deri në një afat të caktuar, mirëpo ata e kanë prishë atë marrëveshje. Pastaj Keab bin Eshrefi me 60 pjesëtarë kanë shkuar te Ebi Sufjani dhe shokët e tij ku bëjnë marrëveshje që të bashkëvepronin (kundër Muhamedit a.s) dhe kanë thënë: “Të bëhemi të një fjale”.
Pastaj kanë dezertuar dhe janë kthyer në Medine. Për ta ka zbritur ajeti:
“Thuaju atyre që nuk besuan: “Do të jeni të mposhtur (ne këtë jetë) dhe do të hidheni në Xhehenem. Sa i shëmtuar është ai djep (shtrat). Ju (jehudi) patët një përvojë të madhe në ato dy grupet që u konfrontuat ndërmjet vete, njëri grup luftonte në rrugën e Allahut e tjetri ishte pabesimtar, dhe me shikimin e syve të tyre i shihnin se ishin dy herë më shumë se besimtarët. Po, Allahu me ndihmën e vet përforcon atë që do. Vërtetë, në këtë është një përvojë e madhe për ata që kanë mendje të kthjelltë.” (Ali Imran: 12, 13)
Muhamed bin Is’haku ka thënë: Pasi i dërguari i Allahut e ka fituar betejën e Bedrit, ka shkuar në Medine dhe i ka tubuar jehudët dhe u ka thënë: O ju grup i jehudëve, të keni kujdes prej Zotit, që të mos ju ndodh ashtu siç ju ka ndodhë kurejshitëve në Bedër. Pranojeni islamin, në të kundërtën do të ju ndodhë çka ju ka ndodhur atyre. Ju veç e keni ditur se unë jam i dërguar si pejgamber. Këtë e keni hasur në librin tuaj sepse Allahu këtë jua ka premtuar.
Ata i janë përgjigjur: “O Muhamed, Ti je vetmashtruar, pasi ti je përballur me një popull të paditur, të cilët nuk kanë njohuri dhe përgatitje lufte, për këtë arsye e ke kapur situatën në dorë dhe ke fituar betejën. Për Zotin, po të përballeshe me ne do ta kuptoje se kush jemi ne.”. Atëherë ka zbritur ajeti prej Allahut: “Thuaj (o Muhamed) atyre të cilët nuk kanë besuar – ka për qëllim jehudët – do të humbni (do të pësoni humbje në betejë) e pastaj do të tuboheni në xhehenem në botën tjetër.”
Koncepti i ajetit
Ata të cilët i kanë përgënjeshtruar ajetet e Allahut dhe të dërguarin e Tij, para Allahut dhe të dërguarit të Tij nuk do të jetë mjet për ta (nuk do të ju bëj dobi) as pasuria e tyre, as fëmijët e tyre. Po ashtu edhe në Ditën e kijametit nuk do t’u bëjnë dobi, nëse vazhdojnë në grykësinë e tyre dhe në devijimin e tyre. Ata janë pozicionuar në anën e arrogantëve dhe çrregulluesve, ata – dhe të ngjashmit me ta – do të jenë lëndë djegëse e zjarrit, ku lëndë djegëse e zjarrit do të jenë edhe drunjtë edhe qymyri sepse situata e tyre është sikurse e familjes së Firaunit dhe fiseve të Adit dhe Themudit. Ata kanë përgënjeshtruar ajetet e Allahut, për këtë shkak Allahu do t’i dënojë me dënim të fortë të papërballueshëm. Allahu dënon fortë dhe ashpër, i bën shpejtë përllogaritjet.
O Muhamed thuaju atyre: O ju jehudë, do të dështoni në këtë botë, – ashtu siç kanë humbur në betejën tjetër me muslimanët – dhe pastaj në botën tjetër do të bashkoheni dhe do të tuboheni në xhehenem, nuk ka vend më të keq se xhehenemi.
Termi ”Mihad” ka kuptimin e “shtrojës” (ata do të jenë të shtruar në vend të keq) .
Për Allahun, për ju janë paraqitur fakte të rëndësishme të cilat tregojnë për vërtetësinë e Kur’anit, në ngjarjen e ballafaqimit të dy taborëve në betejën e Bedrit:
– Njëri tabor i madh, kryelartë me pasuri, me mjete dhe numër të madh të tyre, por mohues të Allahut, ndërsa, – Tabori tjetër, tabor i vogël, durimtar, besimtar në Allahun, të cilët luftojnë në rrugë të Allahut, të cilët kanë triumfuar përballë taborit me numër të madh idhujtarësh, të cilët kanë luftuar në rrugën e shejtanit.