Ndëshkimi për vrasjen e pejgamberëve dhe ligji për refuzimin e sqarimeve prej Allahut

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Historia nuk i harron dhe nuk i falë kriminelët të cilët i vrasin të drejtët të cilët mbrojnë vlerat fetare dhe interesat e atdheut dhe sigurimin e vendeve të atdheut.

Vrasësit e pejgamberëve dhe të drejtëve nuk mund t’i shpëtojnë dënimit të ashpër në botën tjetër. Ata kriminel i kanë shkatërruar veprat e tyre në këtë botë dhe në botën tjetër. Në botën tjetër nuk do të kenë as ndihmëtar dhe as ndërmjetësues. Kjo nga shkaku se e kanë penguar shoqërinë dhe umetin nga e mira dhe udhëzimi, nga udhëzimi drejt Allahut dhe fesë së Tij, i kanë penguar pejgamberët nga fjala e vërtetë dhe transmetimi i shpalljes, i kanë vrarë pejgamberët dhe mbështetësit dhe ndihmëtarët e tyre dhe të gjithë ata të cilët kanë këshilluar, kanë urdhëruar për të mirë dhe kanë parandaluar të keqen siç ishin të diturit dhe të drejtët. Allahu i Madhërishëm ka thënë:

Ajetet 21 dhe 22:

Ata që mohojnë argumentet e Allahut, mbysin pejgamberët pa farë të drejte, mbysin njerëz që këshillojnë për të drejtën, ti ata lajmëroi për një ndëshkim të dhimbshëm e pikëllues. (21) Ata veprat e tyre i asgjësuan në këtë botë dhe në botën tjetër, ata nuk kanë ndonjë mbrojtës. (22)

Shkaku i zbritjes së ajetit

Transmetohet nga Ibn Xherir et-Taberiu dhe Ibni Ebi Hatim nga Ebi Ubejdete bin el Xherrah r.a. se ka thënë: Kam thënë: O i dërguar i Allahut, cilët njerëz do të ndëshkohen më së shumti në ditën e gjykimit.

 Është përgjigjur: “Njeriu i cili ka vrarë pejgamber ose ka vrarë atë i cili ka urdhëruar për të mirë dhe ka parandaluar nga e keqja.”

Ajeti 21:

Ata që mohojnë argumentet e Allahut, mbysin pejgamberët pa farë të drejte, mbysin njerëz që këshillojnë për të drejtën, ti ata lajmëroi për një ndëshkim të dhimbshëm e pikëllues. (21)

Pastaj pejgamberi a.s.ka thënë: O Ebu Ubejdete: “Bijtë e Israilit në fillim të ditës, brenda një ore i kanë vrarë 43 pejgamberë. Pastaj, 170 bij të Israilit janë revoltuar, pastaj(bijtë tjerë të Israilit) kanë dhënë urdhër që të vriten ata që urdhërojnë në të mirë dhe parandalojnë të keqen, kështu që në fund të ditës i kanë vrarë edhe ata, pra në të njëjtën ditë. Këtë e ka treguar Allahu famëlartë.”

Pastaj, Allahu në Kur’anin fisnik shpjegon dispozitën për refuzuesit ndaj sqarimeve të Allahut dhe udhëzimit të Tij dhe ndaj Kur’anit dhe udhëzimet e Tij. Allahu i Madhërishëm ka thënë:

Ajetet 23-25:

A nuk i sheh ti ata, të cilëve u është dhënë mjaft nga libri, kur të thirren që ndërmjet tyre të gjykojë libri i Allahut, se si një grup prej tyre prapësohej. Ata janë refuzues. (23) E atë (e bënin) ngase ata thoshin: “Neve nuk do të na djegë zjarri vetëm se për pak ditë të numëruara, e ajo që shpifën për fenë e tyre, i mashtroi keq. (24) E, si do të jetë gjendja e tyre kur Ne do t’i tubojmë ata një ditë, për të cilën nuk ka dyshim dhe çdo njeriu do t’i ofrohet ajo që e ka e fituar, duke mos iu bërë atyre asnjë e padrejtë. (25)

Ibn Abasi ka thënë: Ky ajet ka zbritur për shkak se pejgamberi a.s. ka hyrë në shtëpinë e Midrasit, ku ishin një grup i jehudëve dhe i fton në besim në Allahun. Neim bin Amri dhe Harith bin Zejdi i cili ishte jehudi nga fisi Kajnuka ka thënë: Në cilën fe je ti Muhamed?

Pejgamberi a.s. i thotë: Unë jam nga populli i Ibrahimit.

Ata i thonë: Ibrahimi ka qenë jehudi.

Pejgamberi a.s. u thotë: Më sillni Tevratin, ai le të gjykoj (le të jetë) mes neve dhe mes jush.

Ata refuzuan. Atëherë ka zbritur ky ajet:

Ajeti 23:

A nuk i sheh ti ata, të cilëve u është dhënë mjaft nga libri, kur të thirrën që ndërmjet tyre të gjykojë libri i Allahut, se si një grup prej tyre prapësohej. Ata janë refuzues. (23)

Ata kundërshtarë, janë në hamendje për pranimin apo mospranimin e ligjit të Allahut, në fund vendosin të mos e pranojnë librin e Allahut. Ata gjithmonë refuzojnë dhe tregojnë arrogancë. Ajo çka i ka trimëruar në arrogancën dhe refuzimin është vetëm bindja e gabuar se ata do të digjen në zjarr vetëm për pak ditë dhe sipas pretendimeve pastaj do të shkojnë në xhenet. Ky është vetëm trillim dhe iluzion. I ka mashtruar ideja e gabuar në fe, si f.v., pejgamberët do të ndërmjetësojnë për ne dhe ne jemi fëmijë (pasardhës) të pejgamberëve dhe të dashurit e Allahut dhe popull i zgjedhur i Allahut. Të gjitha këto pretendime do të shpallen të pavlefshme kur do t’i tubojë Allahu në Ditën e gjykimit, në të cilën ditë nuk ka dyshim se do të ndodhë, e pastaj secili do të merr çka ka fituar, nëse ka fituar mirë e merr të mirën, ndërsa nëse ka vepruar keq e merr të keqen dhe atyre nuk u bëhet padrejtësi.

Lini një koment