Deklarimi për Allahun se është i vetmi Zot dhe për fenë e drejtë të Tij

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Janë paraqitur argumente të shumta dhe fakte të prera për krijimin e gjithësisë dhe programin e tij se Zoti ekziston dhe është i Vetëm. Këtë e tregojnë gjithësitë e krijuara dhe e dëshmojnë me njohuri bindëse dhe paraqesin argumente bindëse se Allahu është Një, i paortak. Ai ekziston dhe vepron drejtë në çdo çështje, në fe, në ligjësim, në sheriat, në gjithësi dhe në natyrë, në adhurime, në raporte dhe në sjellje edukative.

Allahu e ka përsosur sistemin e gjithësisë, e ka rregulluar dhe e ka niveluar anën shpirtërore me atë materiale.

Ligjet e sheriatit janë të bazuara mbi bazën e baraspeshës precize:

– Në mes të individit dhe shoqërisë,

– Në mes të individit dhe Krijuesit,

– Në mes individit dhe vetes së tij,

– Në mes individit dhe vëllait të tij,

– Në mes të pasurit dhe të varfrit,

 – Në mes të kësaj bote dhe botës tjetër

– Në mes të besimit dhe veprimit.

Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 18:

Allahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dhe engjëjt e ata që kanë dijeni, se Ai është Zbatues i drejtësisë. Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit, të Urtit. (18)

Shkaku i zbritjes së ajetit

Duke sqaruar shkakun e zbritjes së këtij ajeti, në mes tjerash Kelbiju ka thënë: Kur është paraqitur Muhamedi a.s. në Medine, kanë qenë dy priftërinj dijetarë nga priftërinjtë e Sirisë. Kur e kanë parë Medinën. Njëri i ka thënë tjetrit. Ky qytet nuk i përngjanë përshkrimit të cilësive në të cilin do të vjen pejgamberi i kohës së fundit. Kur kanë hyrë te pejgamberi a.s. menjëherë e kanë njohur në bazë të cilësive dhe atributeve dhe i kanë thënë:

Ti je Muhamedi?

Po – u përgjigjet.

Dhe ti je Ahmedi? – e pyesin ata.

Po – u thotë.

Pastaj ata i thonë: Ne do të të pyesim për deklaratën (shehadetin), nëse ti na tregon do të të besojmë dhe do të të vërtetojmë.

Pastaj pejgamberi a.s. u thotë: Pyesni.

Ata pyesin: Na trego për deklaratën më të madhe në librin e Allahut?

Për këtë shkak Allahu i ka zbritur pejgamberit a.s. këtë ajet:

Ajeti 18:

Allahu vërtetoi se nuk ka zot tjetër përveç Tij, e dhe engjëjt e ata që kanë dijeni, se Ai është Zbatues i drejtësisë. Nuk ka zot përveç Tij, Fuqiplotit, të Urtit. (18)

Ata e pranojnë islamin, dëshmojnë për vërtetësinë e Muhamedit a.s. pejgamber.

Për të na njoftuar se Allahu i do robërit e Tij dhe ua dëshiron të mirën, Allahu xh.sh. pas ajeteve të mëparshme paraqet atë me çka është i kënaqur për robërit e Tij dhe çka do Allahu prej robërve të tij që prej kohës së krijimit e deri në ditën e kiametit e ajo është feja islame, që do të thotë dëgjimi dhe besimi në Allahun.

Nuk ka dallim në mes pejgamberëve dhe të të dërguarve sa i përket bazës së fesë e cila është islami, paqja, vëllazërimi dhe dashuria. Nuk ka dallim në besimin në një Zot dhe në drejtësi për çdo gjë. Nuk ka pasur divergjencë në mes të pasuesve të librit dhe pasuesve të feve përpos për shkaqe të xhelozisë, arrogancës ose padrejtësisë dhe ruajtjeve të pozitave të cilat kanë sjellë interes material dhe lakmi për këtë botë dhe çka ka në të.

 Kush i mohon argumentet e Zotit të cilat tregojnë për ekzistencën e Tij, Njëshmërinë e Tij dhe vërtetësinë e pejgamberëve të Tij, ai i ka shkaktuar padrejtësi vetes së tij. Allahu do ta dënojë, Ai Allahu llogaritë shpejt dhe ndëshkon ashpër.

Nëse ndodhë debat në mes të pejgamberit ose pasuesve të Tij dhe pasuesve të feve tjera le të thotë: Unë i jam dorëzuar Allahut, e kam ndërlidhur besimin tim me Allahun dhe e kam pranuar me të gjitha adhurimet dhe jam i pastër dhe i sinqertë me Allahun dhe kundërshtoj çdo gjë pos Tij.

 Nëse këta kundërshtarë e pranojnë islamin, udhëzimin e Allahut dhe Kur’anin e Tij, ata veç janë udhëzuar në rrugë të drejtë. Nëse refuzojnë dhe kundërshtojnë ftesën, atëherë thirrësi ose i dërguari e kanë vetëm detyrën e transmetimit.

Allahu i sheh krijesat e Tij, e di situatën e tyre, kërkon llogari prej tyre dhe i dënon. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 19 dhe 20: Pa dyshim feja te Allahu është Islami. U kundërshtuan ata që u është dhënë libri, pasi që u erdhi e vërteta, nga zilia mes vete. E kush mohon argumentet e Allahut, (le ta dijë se) Allahu (ia) llogaritë shpejtë. (19) E, nëse të polemizojnë, thuaj: “Ia kam nënshtruar fytyrën (qenien) Allahut, e edhe ithtarët e mi!” E thuaju edhe atyre që u është dhënë libri dhe analfabetëve: “A u nënshtruat?” Nëse janë nënshtruar, atëherë janë përudhur e nëse refuzojnë, vërtet ti ke (për obligim vetëm) komunikimin; Allahu është Basir (Ai që sheh) për robërit. (20)

Lini një koment