“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Disa njerëz thonë se e duan Allahun dhe të dërguarin e Tij, mirëpo nuk zbatojnë asgjë nga Allahu dhe i dërguari i Tij. Nuk i kryejnë detyrat, ata i sheh në një kodër, ndërsa ligjet e sheriatit në kodrën tjetër. Në bazë të këtij qëndrimi, krijohet përshtypje për një lloj kundërthënie me realitetin të cilin nuk e pranon as ligji as mendja. Është një lloj prej llojeve të përzierjes së rrobave ku njeriu i vesh dy palë rroba dhe është pa asnjë rrobë (i zhveshur prej rrobave).
Prej çështjes më të rëndësishme të dashurisë është tregueshmëria e dëgjueshmërisë dhe zbatimi i urdhrave të Allahut. Për këtë, Shafiiju r.a. ka thënë:
E kundërshton Allahun
duke treguar dashuri ndaj Tij.
Nëse krahasohet me realitetin e jetës
kjo është e neveritshme.
Po ta kishe dashur
do ta kishe dëgjuar.
Ngase i dashuruari
të dashurin e respekton.
Urdhrat e Kur’anit fisnik përsëriten vazhdimisht dhe kjo ndodh për të respektuar urdhrat e Allahut. Allahu i Madhërishëm thotë:
“O ju që besuat, respektoni Allahun dhe të dërguarin e Tij, e mos e braktisni atë se ju dëgjoni.” (El-Enfal: 20)
I ka kritikuar ata të cilët pretendojnë se e duan Allahun dhe të dërguarin, a në anën tjetër i kundërshtojnë urdhrat e tyre. Allahu famëlartë thotë:
Ajetet 31 dhe 32:
Thuaj: Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu të ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë, mëshiron shumë. (31) Thuaj: “Binduni Allahut dhe të dërguarit, e ata refuzojnë, atëherë Allahu nuk i do pabesimtarët!” (32)
Dijetarët kanë përmendur shkaqe të ndryshme të zbritjes së këtij ajeti: Nuk ka kurrfarë pengese në përsëritjen e shkaqeve, ndërsa rezultati është i njëjtë.
Hasan Basriju dhe Ibni Xheriri kanë thënë: Në kohën e pejgamberit a.s. disa pretendonin se e donin Allahun duke thënë: “O Muhamed, ne e duam Zotin tonë.”, atëherë ka zbritur ky ajet.
Ibn Abasi ka thënë: Deri sa Muhamedi ishte në Qabe dhe aty qëndronin kurejshitët të cilët kishin ndërtuar puta dhe u bënin sexhde atyre putave. Muhamedi a.s. u thotë: O ju kurejshit, ju e keni kundërshtuar fenë e gjyshit tuaj Ibrahimit dhe Ismailit. Ata kanë qenë në fenë islame. Kurejshët kanë thënë: O Muhamed, ne këta (idhuj) i adhurojmë se e duam Zotin, që këta idhuj të na afrojnë pranë Zotit. Atëherë ka zbritur ajeti: “Thuaj: Nëse e doni Allahun…”- ndërsa “ju i adhuroni putat që të afroheni tek Ai”,atëherë “(ju) më pasoni mua, Allahu do të ju dojë juve”. Kjo nga shkaku se unë jam i dërguari tek ju dhe argument i Tij për ju. Në krahasim me putat unë jam më prioritari për të më nderuar.
Po ashtu Ibn Abasi ka thënë: Kur jehudët kanë thënë: “Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij”. Allahu i Madhërishëm ka zbritur këtë ajet. Dhe pasi që ka zbritur ky ajet, atëherë pejgamberi a.s. ua paraqiti jehudëve, mirëpo ata e kanë refuzuar, me fjalë tjera nuk e kanë pranuar.
Koncepti i dy ajeteve
O Muhamed, thuaju atyre, nëse veç me të vërtetë e doni Allahun, atëherë më pasoni mua sepse unë kam ardhur prej Allahut për atë qëllim. I dashuruari i sinqertë, ka dëshirë që ta kënaqë të dashuruarin, i zbaton urdhrat e Tij dhe nuk i vepron ndalesat e Tij dhe nëse më pasoni mua, atëherë Allahu ju do juve dhe jua mundëson të mirën, jua falë mëkatet. Allahu është Falës, Mëshirues.
O Muhamed, thuaju atyre: Dëgjojeni Allahun duke i zbatuar urdhrat (fjalët) e Tij dhe pasojeni pejgamberin duke iu përmbajt programit të tij dhe sunetit (traditës) së tij, duke u bazuar në udhëzimet dhe këshillat e tij. Nëse kundërshtojnë dhe refuzojnë dhe nuk i përgjigjen ftesës tënde, atëherë ata me pretendimet e tyre mashtrojnë se janë të dashurit e Allahut dhe bijtë e tij. Ta dish se Allahu nuk i do pabesimtarët të cilët nuk i meditojnë ajetet, nuk i analizojnë argumentet e Allahut dhe nuk mbështeten në fenë e vërtetë dhe ligjin e pastër. Kuptimi i ajetit se: “Padyshim se Allahu nuk i do pabesimtarët” ka për qëllim se ata do t’i dënojë dhe do t’i ndëshkojë për shkak se e kanë mohuar Allahun dhe të dërguarin e Tij. Ky është kërcënim dhe paralajmërim i cili duhet të logjikohet dhe të analizohet.