Dashuria e kësaj bote dhe çka është më e mirë

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Islami është fe e mesatares dhe balancimit, fe e drejtësisë dhe baraspeshës.

Në Islam, në njërën anë çështja nuk është e përkufizuar vetëm për këtë botë e në anën tjetër nuk është e përkufizuar në misticizëm vetëm për botën tjetër.

Në fe nuk lejohet murgëri, nuk nënçmohet dhe nuk neglizhohet kjo botë. Islami nuk është fe vetëm e besimit dhe e adhurimit, por është fe gjithëpërfshirëse për të shfrytëzuar të mirat e kësaj bote dhe për t’i fituar mirat e botës tjetër.

Islami e bën bashkimin e besimit dhe veprimit, adhurimit dhe të specializimit të fushave të ndryshme. Allahu i Madhërishëm ka thënë:

“Thuaj: “Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që Allahu i krijoi për robërit e vet?” Thuaj: “Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në ditën e kiametit janë të posaçme për ta. Kështu i sqaron argumentet një populli që kupton.” (El-Earaf: 32)

Për muslimanin nuk është e ndaluar dashuria për këtë botë dhe për të mirat e saj, por ajo çka është e ndaluar është teprimi në të dhe përkufizimi vetëm në të, është e ndaluar t’i bëhet padrejtësi anës fetare dhe të neglizhohen çështjet e botës tjetër. Për këtë arsye, Allahu ua tërheq vërejtjen atyre të cilët përqendrohen vetëm për këtë botë dhe e anashkalojnë botën tjetër, me fjalë tjera interesohen vetëm për këtë botë. Allahu Famëlartë ka thënë:

Ajeti 14:

U është zbukuruar njerëzve dashuria ndaj ëndjeve prej grave, djemve, pasurisë së grumbulluar nga ari e argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po te Allahu është e ardhmja më e mirë. (14)

Koncepti i ajeteve

Allahu e ka stolisur te njerëzit dashurinë e kësaj bote, e ka mbjellë dashurinë e saj në zemrat e njerëzve sa që është bërë instiktive. Këtë e ka bërë që të ndërtohet dhe të zhvillohet jeta në të. Po që se njerëzit nuk do ta donin botën dhe do ta neglizhonin atë, nuk do t’i zhvillonin dhe nuk do t’i vlerësonin të mirat e saj. Dëshirat e kësaj bote janë të shumta, ku bëjnë pjesë:

– Dashuria ndaj grave,

– Dashuria për fëmijë dhe pasuri,

– Dashuria për kuaj vrapues, të dresuar,

– Dashuria për punimin e tokës,

– Dashuria për kultivimin e bagëtive dhe

– Dashuria për bujqësi dhe agronomi.

Të gjitha këto janë kënaqësi dhe stoli e kësaj bote. Do të thotë përfitohen dhe shfrytëzohen për një kohë të caktuar.

– Këto çështje nënçmohen nëse qëllimi me to është që të bëhen shkak i të keqes dhe largim nga Allahu. Atëherë bëhen të rrezikshëm për pronarin e tyre. Përderisa,

– nëse janë shkak për të mirë dhe nuk e pengojnë pronarin e tyre për t’i kryer detyrat e tyre dhe për të qenë të mira për njerëzimin, ato janë të dobishme dhe te Allahu kanë vlerë dhe vend të mirë.

Pastaj Kur’ani fisnik tregon se çka është më e mira në këtë botë. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 15-17:

Thuaj: “A t’ju lajmëroj për diç shumë më të mirë se ato? Për ata që frikësohen, ata kanë te Zoti i tyre Xhenete nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe aty do të jenë përgjithmonë, kanë bashkëshorte të pastra, dhe kënaqësi nga Allahu. Allahu është Basir (Ai që sheh çdo gjë) për robërit. (15) Të cilët thonë: “Zoti ynë, ne vërtet besuam, na i falë mëkatet tona dhe na ruaj prej ndëshkimit të zjarrit!” (16) Durimtarët, të drejtit, të devotshmit, dorëdhënësit, faljekërkuesit në as’har (syfyr). (17)

Më e mirë se bota dhe stolia e saj është ajo çka është te Allahu për të mirët e devotshëm, duke filluar prej xheneteve ku rrjedhin lumenj nën pemët dhe lisat e tyre dhe nën rrënjët e lisave dhe pemëve, ku do të qëndrojnë në to përgjithmonë, nuk dëshirojnë të transferohen nga aty, aty do të ketë gra të pastra nga ndyrësia e imoralitetit. Ky është shpërblim material dhe fizik, mirëpo aty do të ketë edhe shpërblim shpirtëror i cili është më i lart, e ai shpërblim është kënaqësia e Allahut për robërit e Tij të devotshëm. Ai shpërblim është më i madh dhe më i miri nga të gjitha begatitë tjera. Allahu i Madhërishëm ka thënë:

“Besimtarëve dhe besimtareve Allahu u premtoi Xhenete nën të cilët rrjedhin lumenj, në to do të jenë përgjithmonë, dhe (u premtoi) vendbanime të bukura në Xhenetin e Adnit, edhe një disponim nga Allahu që është mbi të gjitha. Ky, pra është ai shpëtimi i madh.” (Et-Tevbe: 72)

Ky shpërblim material dhe shpirtëror është për të devotshmit e Allahut. Në realitet ky shpërblim është për ata të cilët thonë: “Zoti ynë, ne të kemi besuar ty dhe pejgamberit Tënd, në librat e Tu, me besim të vërtetë i cili i mbushë zemrat tona. Na i fal mëkatet tona dhe na ruaj nga zjarri”.  Këta besimtarë, janë të devotshëm dhe durojnë në caktimin prej Allahut dhe nga çdo vështirësi. Ata janë të kënaqur, i frikësohen Allahut dhe i nënshtrohen Atij. Shpenzojnë pasurinë në rrugë të Allahut, shpenzimin obligativ dhe shpenzim vullnetar. Kërkojnë falje natën, para agimit dhe para lindjes së diellit. Në këtë periodë kohore Allahu i pranon lutjet. Mëshira e Allahut është gjithëpërfshirëse për pendimtarët e mëkateve. Pejgamberi a.s. ka thënë: Çdo natë Zoti ynë zbret në tokën e qiellit dhe në pjesën e tretë të natës thotë: Kush më lutet, i përgjigjem. Kush kërkon (të mira) i jap të mira. Kështu vazhdon duke thënë deri në agim.”

Lini një koment