“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Ajeti i hipotekës në suretul Bekare përmban dy çështje bazë të edukatës. Kjo, ashtu që në njërën anë të mbjellë besimin në mes të njerëzve në plotësimin e zotimit mes tyre, ndërsa në anën tjetër të mënjanojë dyshimet eventuale në mes tyre, e ato janë:
– Besnikëria; dhe
– devotshmëria.
Nëse plotësohet besnikëria dhe bindja, atëherë besimtari e realizon të drejtën pa neglizhencë, duke mos devijuar nga çështjet dhe duke mos i ikur realitetit, duke mos shtuar asgjë dhe duke mos pakësuar asgjë. Ky është argument se çështja e regjistrimit të borxhit është çështje morale dhe edukative dhe jo obligative. Kur ka besim të plotë, nuk ka nevojë dhe nuk është e domosdoshme të ketë dokumente, as regjistrim të borxhit dhe as dëshmitarë për të siguruar dhe garantuar borxhin dhe kapitalin.
Sa i përket devotshmërisë: Kjo për të siguruar mbrojtje të mjaftueshme, e cila e pengon njeriun për të shpërdoruar pasurinë e tjerëve dhe duke përvetësuar pasuri duke ua pakësuar tjerëve me deklarata të pasinqerta. Po ashtu, devotshmëria është veti e cila të kujton të drejtën dhe është rrugë për të arritur njohuri të mjaftueshme në jetë. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 282:
O besimtarë, kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë. Dhe nga gjiri juaj le të shkruajë një shkrues i drejtë dhe të mos ngurrojë nga të shkruarit ashtu siç e ka mësuar Allahu. Le të shkruajë, ndërsa atij le t’i diktojë ai që pranon borxhin, le t’i frikësohet Allahut, Zotit të tij e të mos lërë mangët asnjë send nga ai. E në qoftë se ai që ngarkohet me borxh është i paaftë mendërisht, është i mitur ose nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë drejt kujdestari i tij. Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burra e dy gra, nga dëshmitarët që i pëlqeni. (Dy gra në vend të një burri) Për atë se nëse njëra prej tyre gabon, t’ia përkujtojë tjetra. Dëshmitarët të mos refuzojnë kur të thirren. Dhe mos përtoni për ta shkruar atë dhe afatin e tij, i vogël qoftë ose i madh, sepse kjo është më e drejtë te Allahu, më e fortë për dëshmi dhe më afër mosdyshimit. Vetëm nëse është tregti e menjëhershme (dora-doras) që e praktikoni mes jush, atëherë nuk është ndonjë mëkat të mos e shënoni. Por, kur bëni shitblerje, dëshmojeni. E ai (pronari i pasurisë) nuk dëmton as shkruesit as dëshmitarët, e nëse bëni (dëmtimin), ai është mosrespekt i juaj (ndaj dispozitave të Allahut). Keni frikë Allahun se Allahu ju dhuron dituri (të jashtëzakonshme), Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo send. (282)
Nëse është e pamundur të regjistrohet borxhi, për shkak të udhëtimit ose mungesës së regjistruesit ose mungesës së mjeteve regjistruese, atëherë zëvendësohet me kaucion.
Hipoteka është e drejtë ligjore në bazë të Kur’anit dhe sunetit në të gjitha rastet edhe në udhëtim edhe në joudhëtim. Kërkohet që kaucioni të jetë i të njëjtës masë (sasi) së borxhit, i cili e mbulon borxhin me shumën e shitjes, si mjet pagese e borxhit nëse nuk ka mundësi që borxhliu të paguajë borxhin.
Hipoteka (pengu) luan rolin e ndërmjetësimit të mallrave tregtare. Hipoteka (pengu) zyrtare, kur të vendoset për sendet e paluajtshme, vendoset në gazetën zyrtare në bazë të çmimeve të sendeve të paluajtshme shtetërore.
Duke sqaruar ligjësimin e pengut (kaucionit) Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 283:
E në qoftë se gjendeni në udhëtim dhe nuk gjeni shkrues, atëherë merrni peng (paradhënie ose kapar). E nëse i besoni njëri-tjetrit, atij që i është besuar le ta zbatojë atë (amanetin) që i është besuar, dhe le të ketë frikë Allahun, Zotin e tij. Mos e fshihni dëshminë, sepse ai që e fsheh atë është mëkatar me zemrën e vet, Allahu di atë që veproni. (283)
Frika se mund të dëmtohet malli (borxh) ose mund të neglizhohet kryerja e borxhit është arsye për të kërkuar peng (kaucion). Pejgamberi a.s. e ka lënë peng mburojën e luftës te një jehudi, në kompensim të elbit të cilën e ka marrë borxh. Jehudiu ka thënë: Muhamedi dëshiron ta zhvlerësojë mallin tim. Atëherë (në bazë të hadithit autentik) pejgamberi a.s. ka thënë: Ai ka gënjyer, unë jam besnik në tokë, besnik në qiell, po të kishte pasur besim do ta kisha kryer borxhin, por pasi që nuk ka besim në mua, dërgojani peng mburojën time të luftës.
Nëse ndodh që një person ka besim te tjetri pa marrë peng, atëherë atij të cilit i besohet duhet ta kryej amanetin brenda afatit. Le t’i frikësohet Allahut, Zotit të tij e mos të tradhtojë.
Allahu është dëshmitar, monitorues, ndërsa fshehja e dëshmisë është mëkat i madh dhe shpifje dhe kush fsheh dëshmitë, ai është mëkatar i madh dhe me zemër të prishur.
Allahu e ka specifikuar zemrën, nga shkaku se fshehja është prej veprimeve të zemrës.
Monitorimi i Allahut qëndron në të gjitha veprimet e njerëzve dhe ai i di veprat e tyre të mira, e monitoron realizimin e të drejtave, amaneteve dhe zbatimin e marrëveshjeve, dëshmimin e dëshmive dhe fshehjen e tyre. Pasi që Allahu i di të gjitha veprat tona, atëherë Ai i kompenson në botën tjetër, nëse është e mirë shpërblen me të mirë, nëse është e keqe ndëshkon me të keqe.