“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Fjala besim, në të shumtën e rasteve përdoret pa e sqaruar substancën e saj ose pa përkufizimin e elementeve të saj. Kemi besim të zbrazët pa përbërje brenda saj, pastaj besim të mangët, besim të shtrembëruar, besim të keq, besim të pavlefshëm, i cili ndërtohet mbi iluzione dhe shtrembërime si f.v., besimi i idhujtarëve.
Fjala besim është fjalë e shenjtë, madhështore, e rëndësishme dhe kuptimplote. Ajo është të vërtetuarit specifik për çështje të caktuara, të cilat janë: besimi në Zotin, melekët e Tij, librat e Tij, pejgamberët e Tij, besimi në ditën e gjykimit, në kaderin e Zotit, në të mirën dhe në të keqen, në të lejuarën dhe urdhëresën.
Besimi në Zotin është besimi në cilësitë e Tij dhe refuzimin e idhujve dhe çdo të adhuruar pos Tij. Besimi se Zoti ekziston, është Një, cilësohet me atributet e Tij të plota, i pastër ndaj cilësive të mangëta. Krijuesi i të gjitha krijesave, vepron si do Ai dhe sundon si dëshiron.
Besimi në melekët është besimi i ekzistimit të tyre dhe se ata adhurojnë Allahun dhe refuzimi i mendimeve të injorantëve të cilët thonë se: Melekët janë bijat e Zotit, porse melekët janë adhurues fisnik të Allahut dhe vepron në bazë të urdhrave të Zotit.
Besimi në librat e Zotit është besimi në çdo gjë që u ka zbritur pejgamberëve prej porosive, urtësive, ligjeve, programeve ligjore dhe rregullave të moralit dhe edukatës. Numri i këtyre librave dhe fletushkave është 104, ndërsa katër prej tyre janë: Tevrati, Zeburi, Inxhili dhe Kur’ani.
Besimi në pejgamberët e Zotit, kjo do të thotë bindjen se ata janë të drejtë në atë që kanë lajmëruar prej Allahut, i Cili i ka mbështetur me mrekulli të cilat tregojnë për vërtetësinë e tyre dhe se ata kanë transmetuar nga Allahu shpalljet dhe u kanë sqaruar njerëzve dhe të tjerëve atë çka urdhëron Allahu dhe se duhet respektuar dhe të mos bëhet dallim në mes tyre.
Besimi në ditën e gjykimit është besimi se do të ndodhë kataklizma ku pastaj përfshihet ringjallja pas vdekjes, tubimi pas shpërndarjes prej varrezave. Llogaridhënia, peshimi i veprave, kalimi i urës së siratit, besimi në xhenetin, xhehenemin, të cilat janë vendbanime për të mirët në njërën anë në xhenet dhe për të këqijtë në anën tjetër në xhehenem.
Besimi në kader është besimi se Allahu i ka paraprirë çështjeve në caktimin e tyre dhe diturinë e Allahut se çdo gjë ndodhë në kohë të caktuar në bazë të njohurisë së Tij. Në besimin në kaderin e Zotit rezulton thënia e Tij ku thotë: “Allahu ju ka krijuar juve dhe çka veproni.” (Es-Safat: 96). Pastaj thënia: Në çdo gjë e kemi të mirën dhe të keqen dhe e ka përcaktuar ndodhjen e tyre te robi në kohë të caktuara, ndërsa njeriu ka të drejtë të zgjedhë ta veprojë atë apo të mos e veprojë.
Kur’ani fisnik i ka sqaruar bazat e besimit dhe shtyllat e saj. Allahu i Madhërishëm ka thënë:
Ajeti 285:
I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”. Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!” (285)
Koncepti
I dërguari ka besuar në atë çka i ka zbritur atij prej Zotit të tij, prej ajeteve dhe ligjeve, me të kanë besuar edhe besimtarët.
Të gjithë kanë besuar në ekzistencën e Zotit dhe në melekët e Tij dhe në zbritjen e librave prej Allahut dhe në dërgimin e pejgamberëve.
Ne besimtarët nuk bëjmë dallim në mes të të dërguarve sepse secili pejgamber i dërguar, pa marrë parasysh a ka ardhur vetëm me shpallje apo edhe me shpallje edhe program ligjor, nuk ka dallim në asnjërin prej tyre.
Kjo është specifikë e muslimanëve, besojnë në secilin pejgamber pa përjashtim dhe pa dalluar njërin nga tjetri.
Besojmë në secilin pejgamber të përmendur dhe themi: Kemi dëgjuar fjalë se duhet pranuar dhe zbatojmë urdhrat me përgjegjësi dhe ndershmëri, me besim të plotë se çdo urdhër dhe çdo ndalesë është e dobishme edhe për këtë edhe për botën tjetër.
Gjithmonë e lusim Allahun t’i falë mëkatet tona dhe se te Ai është kthimi. Në hadithe autentike tregohet se kur Muhamedi a.s. është pyetur për besimin, ai është përgjigjur: Që të besosh në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, pejgamberët e Tij dhe në Ditën e gjykimit dhe besojmë në kaderin e Zotit, të mirën dhe të keqen.