“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Sado që njeriu mendon se është i fuqishëm, prapëseprapë fuqia e njeriut është e kufizuar dhe e dobët, Para krijesave të mëdha në gjithësi, njeriu e sheh veten e tij të paaftë. E kupton se:
– Nuk mund t’i përfshijë ato,
– ose t’i krijojë ato,
– ose të ndikojë në to,
– ose t’i ndryshojë,
– ose të ndryshojë lëvizjet dhe qarkullimin e tyre në orbitat e tyre.
Përderisa, fuqia e Allahut të Madhërishëm është e pakufishme, e plotë, nuk ka mangësi, e ka krijuar gjithësinë me fuqinë e Tij, e bën që të lëvizë me diturinë e Tij, e orienton drejtë me urtësinë e Tij, e di çdo gjë rreth krijimtarisë së Tij, pa marrë parasysh se a është e imtë, e vogël apo e madhe, nga shkaku se pronari i një sendi dhe krijuesi i atij sendi di çdo gjë për krijimtarinë e Tij: “A nuk di çka ka krijuar, Ai është i butë, Di gjithçka.” (El-Mulk: 14)
Gjithçka ka në qiej dhe në tokë janë nën sundimin e Allahut dhe janë të krijuara prej Allahut. Ai është Sundimtari, Ai është Krijuesi, Ai kontrollon. Ai di për çdo send sepse Ai është Krijues dhe Zbulues, nuk ka zot tjetër pos Tij dhe nuk ka furnizues pos Tij. Ai di për gjendjen e të gjitha krijesave, për sendet e ngurta, për gjallesat dhe për tri llojet tjera, për melekët, për njerëzit dhe për xhinët.
Allahu i Madhërishëm di çka fshehin zemrat dhe çka qëndron në zemra prej qëllimeve, mëdyshjeve, mendimeve, të cilat njeriu nuk mund as t’i kontrollojë dhe as t’i mënjanojë.
Po ashtu, Allahu di çka publikojnë zemrat dhe qëndrimet e tyre me idetë e tyre, me edukatën e tyre dhe veprimet e tyre të fshehta dhe publike.
Njeriu do të jep llogari për to, nëse vepron mirë shpërblehet me të mirë, nëse vepron keq, ndëshkohet keq, Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 284:
Të Allahut janë ç’ka në qiell dhe ç’ka në tokë, e për atë që e keni në veten tuaj, e shfaqët haptazi ose e mbajtët fshehtë, Allahu do t’ju marrë në llogari, e Ai ia fal atij që do dhe dënon atë që do. Allahu ka mundësi për çdo send. (284)
Për zbritjen e këtij ajeti, një grup i sehabeve, tabiinëve, si Ibn Abasi, Ebi Hurejre dhe Shaëbiju kanë thënë: Ka qenë e vështirë kjo për shokët e Muhamedit a.s. dhe ata kanë thënë: Jemi shkatërruar o i dërguar i Allahut, nëse veç japim llogari për mendimet tona në zemrat tona. O i dërguar i Allahut jemi obliguar me obligime të cilat mund t’i kryejmë, si f.v., namazi, agjërimi, lufta në rrugën e Tij dhe lëmosha, mirëpo Allahu e ka zbritur këtë ajet dhe nuk kemi aftësi për këtë përgjegjësi. Atëherë pejgamberi a.s. u thotë atyre: Po dëshironi të thoni ashtu siç kanë thënë bijtë e Israilit: Dëgjuam dhe nuk veprojmë, por ju duhet të thoni: Dëgjuam dhe veprojmë. Ata e kanë thanë këtë, por pastaj Allahu e zbriti ajetin “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej sa ka kapacitet”, e largoi nga ata fatkeqësinë dhe vështirësinë.
Disa prej sehabeve e kanë kuptuar gabimisht atë se, Allahu kërkon llogari nga robërit e Tij për mendimet dhe veset të cilat njeriu nuk mund t’i largojë nga vetja e Tij. Atëherë Allahu u zbret atyre ajetin duke ua sqaruar me tekst të qartë me urtësinë e Tij se Ai nuk e ngarkon askënd më shumë se sa e ka aftësinë dhe kapacitetin e tij. Mendimet janë çështje të cilat nuk bëjnë pjesë brenda mundësive dhe kapacitetit për t’i larguar, për këtë arsye nuk kërkohet llogari për to.
E vërteta është se ky ajet “Edhe nëse e tregoni apo e fshihni çfarë keni në shpirtin tuaj, Allahu do t’ju kërkojë llogari për të” nuk ka për qëllim të tregojë se kërkohet llogari për veset dhe mendimet, por qëllimi në këtë ajet është të tregohet se çka jep llogari njeriu prej çështjeve të cilat rrënjosen në zemra, prej edukatës së ngulitur në zemra si f.v., dashuria, urrejtja, fshehja e dëshmisë, qëllimi i mirë, qëllimi i keq, për të cilat njeriu ka mundësi t’i ketë në kompetencë, kështu që ajeti“Allahu nuk e ngarkon askënd përtej sa ka kapacitet” nuk është shfuqizues, por është sqarues (sqarim shtesë).
Allahu i Madhërishëm falë cilin Do që vepron punë të mira të cilat i fshijnë të këqijat, ndërsa ndëshkon cilin Do që nuk vepron punë të mira të cilat i fshijnë të këqijat e tij dhe i cili nuk pendohet.
Allahu ka mundësi për çdo gjë që dëshiron Ai.