“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Suretu Ali Imran ka zbritur në Medine.
Allahu i Madhërishëm në fillim të saj:
– Sqaron atributet e larta të Tij dhe fuqinë e Tij absolute;
– Tregon Diturinë e Tij të përpiktë dhe gjithëpërfshirëse;
– Tregon krijimin dhe përkujdesjen për bijtë e Ademit dhe
– Sqaron zbritjen e librave të Zotit për t’i drejtuar njerëzit në rrugën e drejtë dhe të dobishme dhe udhëzimin e tyre në rrugën e qëndrueshme dhe të drejtë. Allahu Famëlartë ka thënë:
Ajetet 1-6:
Elif, Lamë, Mimë. (1) Allahu është Një, e nuk ka të adhuruar (Zot) pos tij, është i përjetshëm, mbikëqyrës. (2) Ai ta zbret ty (Muhamed) librin me argument që është vërtetues i librave të mëparshme. Ai e zbriti më parë Tevratin dhe Inxhilin. (3) Udhërrëfyes për njerëz, e zbriti edhe Furkanin (dalluesin e së vërtetës nga gënjeshtra). S`ka dyshim se ata që mohojnë argumentet e Allahut i pret ndëshkimi i rreptë. Allahu është ngadhënjyes, shpagimtar. (4) S`ka dyshim se Allahut nuk mund t`i fshihet asgjë në tokë e as në qiell. (5) Ai është që ju krijon (formon) juve në mitra ashtu si të dojë. S`ka Zot pos Tij, e që është fuqiplotë i urti. (6)
Allahu është i drejtë.
Në ekzistencë nuk ka gjë që meriton të adhurohet pos Tij.
Në ekzistencë, nuk ka sundimtar i cili ka mundësi që t’i detyrojë njerëzit dhe t’i nënshtrojë përpos Zotit.
Në kompetencë të Allahut dhe në askënd tjetër është e mira dhe largimi i së keqes.
Ai është i Gjallë, i Përgjithmonshëm, i Pari i pa fillim. Po t’i paraqitej vdekja qoftë edhe për një çast të vetëm ose po të mposhtej nga ndonjë tjetër nuk do t’ishte Zot.
Ai është i përgjithmonshëm, planifikon, projekton dhe monitoron krijesat dhe me fuqinë e Tij mbahen qiejt dhe toka dhe ekzistenca e tyre është e përkufizuar në dëshirën dhe fuqinë e Tij.
Allahu është Zot i drejtë, i Cili e ka zbritur Kur’anin në zemrën e pejgamberit a.s., zbritje lexuese me të drejtë. Kjo nënkupton se ka qenë e drejtë zbritja e tij për shkak të dobisë së gjithanshme, në të cilën përfshihen argumente të qëndrueshme të paralajmërimeve, urdhëresave, ndalesave dhe këshillave.
Ky Kur’an është vërtetues i zbritjeve të librave të mëhershme te pejgamberët tjerë dhe vërtetues i asaj çka është treguar dhe paralajmëruar.
Allahu është Ai i Cili ka zbritur Tevratin te robi dhe pejgamberi i Tij, pra te Musau dhe Inxhilin te robi dhe pejgamberi i Tij, pra te Isau.
Zbritja e librave nuk është bërë te njerëzit e rëndomtë por te pejgamberët.
Këto libra të Zotit përmbajnë udhëzime dhe këshilla që njerëzit të drejtohen në rrugën e drejtë, në shpalljen e urtë dhe në ligjësimin e ligjeve.
Në këto libra Allahu ka zbritur Furkanin, i cili bën dallimin në mes të së drejtës dhe të padrejtës, me fakte dhe me argumente.
Allahu u ka dhënë njerëzve mendjen dhe të kuptuarin, ashtu që të perceptojnë çka është e drejtë dhe e qëndrueshme, e në anën tjetër të qëndrojnë përballë të keqes së paqëndrueshme.
Si mund të jetë Zot ai i cili nuk i posedon këto atribute. Ata të cilët i mohojnë ajetet e qarta të cilat tregojnë për përsosmërinë e atributeve të çdo atributi të Zotit të Madhërishëm, Famëlartë, i Cili është Zot Krijues dhe Kontrollues i krijesave, për ta është përgatitur dënim i dhimbshëm, për shkak se e kanë harruar llogaridhënien në botën tjetër dhe për shkak të padrejtësive.
Allahu është i Fuqishëm, nuk mposhtet. Hakmarrës ndaj arrogantëve dhe kriminelëve dhe ata të cilët adhurojnë idhujt tjerë për zota pos Tij. Atij nuk mund t’i fshihet asgjë as në tokë dhe as në qiell.
Prej dukurive të fuqisë së Allahut të cilat absolutisht nuk mund t’i plotësojë askush tjetër pos Tij është ajo se: Ai formëson dhe strukturon njerëzit në mitra siç dëshiron, qoftë prej meshkujve apo femrave, parasheh specifikat e tyre, natyrshmërinë e tyre, gjatësinë apo shkurtësinë e tyre, ngjyrat e tyre, të bardhë, me ngjyrë, e të ngjashme.
E tërë kjo është argument kategorik se Krijues është Allahu, nuk ka zot tjetër pos Tij. Ai është i Fuqishëm (Triumfues), i Urtë (apo i urtë me krijesat e Tij).
Pas kësaj, a ka logjikë tjetër, që ndonjëri të pretendojë se ka zot tjetër pos Tij ose t’i thuhet dikujt tjetër se është Zot. Kjo është shpifje e qartë, devijim i qartë. Trillim dhe gënjeshtër e paskrupullt.