“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Ajetet e Kur’anit janë dy llojesh:
Ajetet e qarta, që do të thotë se kanë tregueshmëri të qartë dhe në kuptimin e tyre nuk ka divergjenca; dhe
Ajetet e paqarta: janë ajetet që nuk duken të qarta në kuptim dhe nuk janë të sqaruara, por kuptimi i jashtëm jep kuptim tjetër nga qëllimi i termit.
Sa i përket ajeteve të qarta, janë të gjitha ajetet të cilat ndërlidhen me ligjet obligative, të specifikuara për robërit e Tij (njerëzit). Në këto ajete nuk ka turbulli dhe çështje të pakuptueshme si f.v., obligueshmëria e namazit dhe agjërimit, haxhit dhe zekatit, bamirësia ndaj prindërve, ndalimi i martesës me gratë të cilat janë të ndaluara, ndalimi i disa ushqimeve dhe pijeve si f.v.: gjaku dhe e ngordhura, alkooli, mishi i derrit dhe e therura jo në emër të Allahut.
Shembull tjetër i ajeteve të qarta është shembulli i pejgamberëve dhe adhurimi i tyre. Kjo për faktin se ata kanë qenë thjesht njerëz si të gjithë njerëzit, përpos që kanë pasur shpalljet e tyre si f.v., Nuhu, Ibrahimi, Isai, Musai dhe Muhamedi a.s.
Sa i përket ajeteve të paqarta, janë ajetet të cilat nuk janë të ndërlidhura me obligime ligjore. Dituria në to është dituri e llojit të tejkalimit të logjikës, është dituria e shkencave filozofike për të cilat duhet të specifikohen dijetarët, analizuesit dhe studiuesit. Këto ajete janë shumëllojtësh.
Prej ajeteve të paqarta janë ajetet të cilat në mënyrë absolute shkenca nuk mund t’i kuptojë, si f.v.:
– çështja e shpirtit,
– koha e çastit (kataklizmës) të fshehtë.
– çështja ndodhive të cilat nuk i di askush tjetër pos Allahut, të cilat kohë (çaste) i ka specifikuar për veten e Tij si f.v.; koha e ndodhisë së ditës së kijametit; paraqitja e jeëxhuxhëve dhe meëxhuxhëve në sipërfaqe; dalja nga toka e kafshës e cila do t’u flet njerëzve; paraqitja e dexhallit, zbritja e Isait; etj.
Po ashtu, prej ajeteve të paqarta janë edhe ajetet e fillimit të sureve me shkronja simbolike.
Prej ajeteve të paqarta janë edhe ajetet shumëkuptimëshe, kuptimi i tyre dhe alegoria e tyre në të folur si f.v., thënia e Allahut të Madhërishëm për çështjen e Isait: “Dhe fjala e tij, e të cilën fjalë e ka hedhur në Merjemen dhe shpirtin prej saj.” (En-Nisa: 171)
“Pastaj do të të bëj të vdesësh dhe do të të ngriti te Unë.” (Ali Imran: 55)
Pastaj: “I Gjithëmëshirshmi, i Cili mbizotëroi arshin.” (Taha: 20)
Pastaj:“Dora e Allahut mbi duart e tyre.” (El-Fet’h: 10)
Këto ajete të paqarta përmbajnë shumë kuptime. Ana e jashtme e fjalës është në kundërshtim me qëllimin e kuptimit të brendshëm. Janë fjalë që Allahu me diturinë e Tij i ka fshehur sepse kanë të bëjnë me botën tjetër, e që Allahu i Madhërishëm me diturinë e Tij të përsosur e di plotësisht përmbajtjen dhe Ai lejon që të thelluarit në dituri të mund t’i kuptojnë disa pjesë të përmbajtjes nëse kanë të bëjnë me diturinë e kësaj bote. Roli i dijetarëve në ato ajete është se i kuptojnë disa anë të atyre fjalëve të cilat kanë të bëjnë me logjikën dhe në çështje lëndore dhe kuptimin e drejtë të të fshehtës e lënë tek Allahu. Rruga e tyre është që çështjen ta dorëzojnë tek Allahu duke thënë: “Ne besojmë në këtë, që të gjitha janë prej Zotit tonë.”
Kështu pra:
– E qartë është ajo çka nuk lejon interpretime të ndryshme, por vetëm një interpretim.
– E paqartë është ajo çka mund të interpretohet me interpretime të shumta.
Duke sqaruar të qartën dhe të paqartën dhe qëndrimin e njerëzve (dijetarëve) rreth tyre, Allahu i Madhërishëm ka thënë:
Ajetet 7-9:
Ai është që ta zbriti ty e që në të ka ajete të qarta dhe ato janë bazë e librit, e ka të tjerë që nuk janë krejtësisht të qarta (muteshabih). E ata, që në zemrat e tyre kanë anim kah e shtrembëta, ata gjurmojnë atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti, e kinse kërkojnë komentin e tyre. Po, pos Allahut askush nuk e di domethënien e tyre të saktë. Dijetarët e pajisur me dituri thonë: “Ne u kemi besuar atij (atyre që janë të paqarta), të gjitha janë nga Zoti ynë! Por këtë e kuptojnë vetëm ata që janë të zotët e mendjes. (7) “Zoti ynë, mos na i lako zemrat tona pasi na i drejtove, na dhuro mëshirën Tënde, pse vetëm Ti je dhuruesi i madh”. (8) “Zoti ynë Ti je ai që në një ditë do t`i tubosh njerëzit, ditë për të cilin nuk ka dyshim. Allahu nuk shkel premtimin e vet. (9)
Arsyeja pse Kur’ani përmban në vete disa ajete të paqarta është që të dallojë besimin e sinqertë prej besimit të dobët.
Arsye tjetër është edhe për t’i dhënë rast mendjes së besimtarit për të medituar, për të analizuar dhe për të hulumtuar, derisa të arrijë në konkluzione dhe në përfundimin e çështjeve dhe deri sa të gradohen njerëzit me grada të ndryshme dhe që secili të kupton në bazë të kapacitetit të mendjes së tij, mirëpo nuk i lejohet askujt që të kritikon Kur’anin apo ajetet e paqarta sipas epshit apo sipas dëshirës së tij, në bazë të devijimit dhe të vetshtrembërimit.
Dijetarët dhe mendjet e kthjellëta e të ndritura le t’i përmbahen besimit të drejtë, i cili është në harmoni me pjesët e jashtme të Kur’anit dhe ajetet e tij të paqarta dhe le të deklarojnë: Zoti ynë, mos lejo që zemrat tona të rrëshqasin nga e drejta pasi që na ke udhëzuar. Nga Ti na dhuro mëshirë, që të jemi të mëshiruar dhe të dakordohemi me të drejtën dhe me të mirën. Ti je Bujar. Zoti ynë pa dyshim se në ditën e gjykimit Ti i tubon njerëzit. Ajo ditë nuk ka dyshim se do të ndodhë, andaj na fal, na bëj të kemi sukses, na udhëzo. Pa dyshim se Ti nuk e thyen premtimin.