Situata e shpenzuesit në rrugë të Allahut dhe situata e shpenzuesit në rrugë të shejtanit

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 262:

Ata që për hir të Allahut e japin pasurinë e tyre, e pastaj atë që e dhanë nuk e përcjellin me të përmendur e me mburrje, ata e kanë shpërblimin e vet të Zoti i tyre, për ta nuk ka frikë, ata as që do të brengosen. (262)

Ky ajet ka zbritur për Uthman bin Afanin dhe Abdurrahman bin Aufin. Sa i përket Abdurrahman bin Aufit, ai shkon te pejgamberi a.s. dhe i jep lëmoshë 4000 dërhem dhe i thotë: Unë i kam pasur në pronësi 8000 dërhem. Për veten time dhe për familjen time i kam ndarë 4000 dërhem, ndërsa 4000 dërhem po i huazoj te Zoti im. Atëherë pejgamberi a.s. thotë: “Zoti e bekoftë çka ke ndarë për vete dhe e bekoftë pjesën që e ke dhënë lëmoshë.”

Në anën tjetër sa i përket Uthman bin Afanit, ai në betejën e Tebukut ka thënë: Kush nuk ka përgatitje për luftë, unë do t’i dhuroj përgatitjen (armatimin) për luftë. Dhe i ka përgatitur muslimanët me 1000 deve me gjithë çka i nevojitet devesë për luftë. Pastaj e ka dhënë ndihmë vullnetare për muslimanët burimin e ujit në vendin Rume, e cila ishte afër Medines. Për këtë shkak ka zbritur ky ajet i lartpërmendur. Ndërsa Muhamedi a.s. ka thënë: “Zoti im, unë jam i kënaqur me Uthman bin Afanin, kënaqu edhe Ti me të.”

Pastaj Allahu i Madhërishëm sqaron situatën e personit i cili shpenzon në rrugë të Allahut me qëllim që të forcon veten e tij në rrugën e të mirës, ku e përngjanë me tokën e mirë dhe të pëlleshme, e cila jep fryte të bollshme dhe nëse jep fryte shumë, pronari shpenzon (ndihmon) shumë dhe nëse jep fryte pak, shpenzon (ndihmon) varësisht prej prodhimit të tokës. Ai gjithmonë është i dobishëm, e mira e tij nuk ndërpritet sikurse plantacioni i cili jep fryte gjithmonë, pa marrë parasysh se a zbret shumë shi mbi të apo zbret pak shi mbi të. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 265:

E shembulli i atyre që pasurinë e vet e japin nga bindja e tyre e duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, i përngjan një kopshti në një rrafshnaltë që i bie shi i madh, e ai jep fruta të dyfishtë. Po edhe nëse nuk i bie shi i madh, i bie një rigë (që i mjafton). Allahu sheh atë që veproni. (265)

Pastaj Allahu i Madhërishëm ilustron një shembull tjetër për atë i cili e shpenzon pasurinë e tij në rrugën e shejtanit dhe apetiteve të tij, për famë, reputacion dhe syfaqësi. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 266:

A dëshiron ndonjëri prej jush ndonjë kopsht me hurma e rrush në të cilin rrjedhin lumenj, në të cilin ka nga të gjitha frutat, e atë (pronarin e kopshtit) ta ketë kapur pleqëria dhe ai të ketë pasardhës të mitur, e atë (kopshtin) ta godasë ndonjë stuhi me zjarr e ta djegë. Kështu Allahu jua sqaron argumentet që të mendoni. (266)

Prej metodologjisë së oratorisë së Kur’anit është se çështjet i sqaron me të kundërtat. Kjo që të kuptohen të kundërtat dhe të jenë në mendjen e njeriut. Kur Zoti i Madhërishëm ilustroi shembullin e atyre të cilët shpenzojnë pasurinë e tyre në kënaqësinë e Allahut, e ilustron shembullin tjetër, shpenzimin për syfaqësi që nënkuptohet: O ti i cili shpenzon jo në emër të Allahut, shembulli yt është sikurse shembulli i atij i cili e ka një plantacion me pallma, me vreshta dhe me të gjitha llojet e pemëve, në mes të cilit plantacion qarkullojnë lumenj dhe mund të mblidhet çdo lloj peme, ndërsa kur ta arrin moshën e pleqërisë dhe dobësohet tej mase, në anën tjetër ka pasardhës të vegjël dhe të dobët, nuk mund të punojnë, ndërsa e vetmja pasuri e tij është plantacioni, dhe me urdhër të Allahut plantacionin e përfshin një erë e fortë dhe e djeg në tërësi plantacionin dhe pemët dhe të gjitha frytet bëhen hi dhe ai ka nevojë më së shumti, ndërsa frytet kanë qenë vetëm në rininë tij.

Ai i cili shpenzon në rrugë të shejtanit – me qëllim të famës dhe me syfaqësi dhe sipas dëshirës – ai mendon se do të përfitojë nga ai shpenzim, pastaj befasohet pasiqë nuk përfiton asgjë nga veprimi i tij, pasiqë i humb gjurma dhe vlera. Ai është sikurse ai plaku i atij plantacioni i cili do të paraqitet në ditën e gjykimit dhe nga puna e tij nuk del të jetë asgjë pos dështimit dhe humbjes. E ka ndërlidhë ngjarjen e plakut, sikurse ai i cili ulet atë ditë me shpresë se do të ketë të ardhura të caktuara (të rezervuara) në fund të jetës së tij, mirëpo ai plak nuk i sheh ato të ardhura (përfitim), por vetëm përjeton dhembje dhe ngushtim të frymëmarrjes dhe vdes i përvëluar dhe i penduar se e ka humbur pasurinë nga furtuna e qiellit. Kështu pra, shpenzuesi në rrugë të shejtanit i ngjanë plakut i cili e ka humbur pasurinë në këtë botë dhe i ka humbur pasuria në fund të jetës së tij dhe vdes me dhimbje dhe përvëlim të shpirtit, nga shkaku i veprimit të keq të tij dhe qëllimit të keq të tij.

Lini një koment