Shpërblimi i lëmoshës dhe rreziku i kamatës

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Islami është fe e mëshirës, butësisë dhe bashkëpunimit. I ka obliguar njerëzit që të ndihmohen në kohë krizash. Të mëshirohen në kohë të vështira. Nëse ndonjëri ka nevojë për mjete financiare, të tjerët ndihmojnë me ndihma vullnetare (lëmoshë). Nuk i jep shumë të caktuar, e pastaj me kalimin e kohës t’i kërkojë shtesë nga shuma e caktuar, nga shkaku se Allahu e bekon të pasurin për lëmoshën e dhënë dhe ia kompenson në mënyrë më të mirë, ia shton pasurinë në forma tjera të ndryshme. Lëmoshdhënësi është i dashur te Allahu dhe te të gjithë njerëzit. As nuk urrehet, as nuk xhelozohet, as nuk tradhtohet, as nuk mashtrohet, as nuk vidhet, as nuk i uzurpohet pasuria, as nuk ofendohet, as nuk i bëhet komplot. Kjo ndihmon në zhvillimin dhe shtimin e pasurisë. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 275-281:

Ata që e hanë kamatën nuk ngrehen ndryshe pos siç ngrehet i çmenduri nga të prekurit e djallit. (Bëjnë) kështu ngase thanë: “Shitblerja nuk është pos kamatë!” e Allahu ka lejuar shitblerjen, ndërsa ka ndaluar kamatën. Atij që i ka ardhur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalur (prej kamatës) i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet te Allahu, e kush e përsërit (pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbesin përgjithmonë. (275) Allahu zhduk kamatën dhe shton lëmoshën, Allahu nuk e do asnjë besëprerë dhe mëkatar. (276) S’ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, falën namazin dhe dhanë zekatin, i pret shpërblim i madh te Zoti i tyre, ata nuk do të kenë kurrfarë frike as brengosje. (277) O ju që besuat, keni frikë Allahun dhe nëse jeni besimtarë të sinqertë hiqni dorë prej asaj që ka mbetur nga kamata. (278) E në qoftë se nuk e bëni këtë (nuk hiqni dorë nga kamata), atëherë binduni se jeni në konflikt me Allahun dhe të dërguarin e Tij. E nëse jeni penduar, atëherë juve ju takon kryet e mallit tuaj – askënd nuk dëmtoni, e as vetë nuk dëmtoheni. (279) Po në qoftë se ai (borxhliu) është në gjendje të vështirë, atëherë bëni një pritje deri sa të vijë në një çlirim. E t’ia falni (borxhin) në emër të lëmoshës është shumë më e mirë për ju, nëse dini. (280) Dhe ruajuni ditës kur do të ktheheni te Allahu, dhe secilit njeri i plotësohet ajo që ka fituar, dhe atyre nuk u bëhet padrejtësi. (281)

Nëse ndonjëri i jep borxh një shumë të caktuar vëllait të tij, për një afat të caktuar, pastaj borxhmarrësi nuk mund ta kryejë borxhin brenda afatit, atëherë borxhdhënësi i jep afat tjetër për ta kryer borxhin dhe e pret deri sa t’i lehtësohet gjendja ekonomike. Kjo quhet lehtësim nga gjendja e vështirë. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 280 dhe 281:

Po në qoftë se ai (borxhliu) është në gjendje të vështirë, atëherë bëni një pritje deri sa të vijë në një çlirim. E t’ia falni (borxhin) në emër të lëmoshës është shumë më e mirë për ju, nëse dini. (280) Dhe ruajuni ditës kur do të ktheheni te Allahu, dhe secilit njeri i plotësohet ajo që ka fituar, dhe atyre nuk u bëhet padrejtësi. (281)

Koncepti

Nëse bashkëpunoni me të varfrin i cili ka gjendje të vështirë, le të pritet derisa t’i përmirësohet gjendja. Ndoshta Allahu realizon sukses te të gjithë. Në hadithin të cilin e transmeton Muslimi, Muhamedi a.s. ka thënë: Kush ia lehtëson besimtarit një fatkeqësi prej fatkeqësive të kësaj bote, Allahu ia lehtëson atij një fatkeqësi prej fatkeqësive të botës tjetër.

Kush ndihmon vullnetarisht, duke ia vazhduar borxhin ose ia falë borxhin në tërësi apo ia pakëson, ajo është më e mirë dhe më e vlefshme.

Në asnjë çast nuk lejohet që muslimani të veprojë me kamatë ose të merr prej borxhit më shumë se ka dhënë borxh. Kush kërkon shtesë, ai ka vepruar veprim kamatar. Marrësi dhe dhënësi kamatar janë të njëjtë. Allahu ka mallkuar: ngrënësin e kamatës, ndërmjetësuesin, dëshmitarin dhe regjistruesin.

Të vepruarit me kamatë e mbytë shpirtin vëllazëror dhe shkatërron bashkëpunimin në mes njerëzve. Në të shumtën e rasteve shkakton varfëri dhe krizë ekonomike. E humb esencën e kapitalit apo vlerën e tokës e cila shitet në fund të çështjes për të mbuluar borxhin ose përqindjet e kamatës. Në fakt, kamata është shpërdorimi i gjendjes së të detyruarit dhe ngrënie e pasurisë me pa të drejtë dhe përfitim material pa punuar dhe pa angazhim. Shkakton hidhërimin dhe ndëshkimin prej Allahut, pasi që Allahu ka ndaluar kamatën me të gjitha llojet e saj. Vepruesin e ka kërcënuar se do të ngrihet nga varri i tij ditën e gjykimit ashtu siç dridhet ai i cili cytet nga shejtani.

Përderisa, bamirësit të cilët japin borxh pa kamatë, në ditën e kijametit do të jenë të qetë, të sigurt, për ta nuk ka as frikë dhe as pikëllim, pa dhimbje dhe pa mërzi. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 277:

S’ka dyshim se ata që besuan dhe bënë vepra të mira, falën namazin dhe dhanë zekatin i pret shpërblim i madh te Zoti i tyre, ata nuk do të kenë kurrfarë frike as brengosje. (277)

Lini një koment