“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Tani do të tregojmë ngjarjen e pejgamberit Samvil dhe mbretit Talut, në fund do të flasim për bijtë e Israilit e cila tregohet në suretul Bekare, ku sqarohet se lufta ka qenë e ligjësuar te popujt e mëhershëm dhe mbrojtja e të drejtave është obligim ligjor. Do të sqarohet se si komandanti i ushtrisë e teston sinqeritetin e ushtarëve dhe dëshirën për të sakrifikuar. Do të sqarohet se mbretëria dhe pozita janë në duar të Allahut, Ai i jep atij i cili e meriton prej robërve të Tij, siç tregohet në ajetet në vazhdim:
Ajetet 246 dhe 247:
A nuk ke marrë vesh për parinë e bijve të israilit pas Musait? Kur i patën thënë një të dërguarit të tyre (Shem’unit): “Cakto për neve një sundues e të luftojmë në rrugën e Allahut!” Ai (pejgamberi) tha: “A mund të ndodhë që nëse lufta u bëhet obligim ju të mos luftoni!” ata thanë: “E ç’kemi ne që të mos luftojmë në rrugën e Allahut, kur dihet se ne jemi dëbuar nga atdheu dhe bijtë tanë?” E kur u obliguan me luftë, përveç një pakice prej tyre, ata u zmbrapsën. Allahu është i njohur për punët e zullumqarëve. (246) Pejgamberi i tyre u tha: “Allahu caktoi sundues tuajin Talutin” Ata thanë: “Si mund të jetë ai sundues yni, kur ne kemi më shumë meritë se ai për sundim, madje ai edhe nuk është i pasur? Ai tha: “Allahu zgjodhi atë sundues tuajin dhe e pajisi me dituri të gjerë e me fuqi trupore!” Allahu ia jep sundimin e vet atij që do, Allahu është dhurues i madh, i dijshëm. (247)
A nuk e di tregimin e një grupi të bijve të Israilit, të cilët ishin me pozitë të lartë dhe me reputacion, të cilët ishin pas Musaut në kohën e Davudit a.s. kur pejgamberit të tyre (Samvilit) i kanë thënë: Përzgjidhe njërin nga ne që të bëhet udhëheqës i luftës. Me një fjalë: Kemi vendosur t’i dëbojmë armiqtë tanë dhe t’i fitojmë të drejtat tona të cilat i kanë uzurpuar nga ne.
Pejgamberi me përvojën e tij dhe duke e shprehur mendimin e tij u thotë: A mos jeni duke pritur që të hiqni dorë nga lufta nëse ju bëhet obligative?
Ata i përgjigjen: Çka është ajo e cila mund të na largojë nga lufta, përderisa jemi të dëbuar nga shtëpitë tona dhe nga tokat tona, jemi privuar nga fëmijët tanë dhe kemi mbetur të huaj.
E kur u bë obligim lufta për ta ashtu siç kishin kërkuar, u frikësuan dhe e kundërshtuan dhe u larguan, përpos një grupi të vogël, të cilët ishin duke kaluar lumin me Talutin dhe e mbajtën premtimin. Allahu e di se kush e thyen premtimin, kush i bën padrejtësi vetes së Tij dhe nuk e zbaton premtimin.
Pejgamberi i tyre Samvili u thotë: Allahu e ka dërguar Talutin që të jetë mbret për ju. Ju duhet ta dëgjoni dhe të luftoni me të. Në fillim refuzuan duke thënë: Si mund të jetë mbret i yni, ai nuk meriton të jetë udhëheqës sepse ai nuk i takon gjenezës së udhëheqësve dhe as gjenezës së pejgamberëve, përderisa ne kemi prioritet të jemi udhëheqës dhe mbretër.
Po ashtu kanë vazhduar duke thënë: Ai është i varfër, nuk ka furnizim të mjaftueshëm që të mbështetemi në të nëse ai bëhet udhëheqës.
Pejgamberi i tyre përgjigjet: Allahu e ka zgjedhur që të jetë udhëheqës i juaji, e ka pajisur me dituri dhe i ka dhënë forcë fizike. Ai ka qenë i fortë në fenë e tij dhe në planifikimin e çështjeve, ashtu siç ishte i fuqishëm fizikisht që të ballafaqohej në luftë me armikun.
Allahu është Furnizues dhe Begatues. E di kush është i përgatitur që të bëhet udhëheqës dhe kush është më meritori dhe cili është më i afti për të udhëhequr ushtrinë dhe për të fituar luftën.
Pastaj Allahu i Madhërishëm tregon çka ka realizuar Taluti gjatë mbretërisë së tij, ku thotë:
Ajetet 248-252:
Lajmëtari i tyre u tha: “Shenjë e sundimit të tij është që t’ju sjellë arkën, që e bartin engjëjt, dhe që në të gjeni qetësim (shpirtëror – Sekine) nga Zoti juaj e, edhe diçka që ka mbetur nga thesari i familjes së Musait dhe Harunit. S’ka dyshim se ky, po qe se jeni besimtarë, është një fakt për ju”. (248) E kur doli (prej qytetit) Taluti me ushtrinë, tha: “Allahu do t’ju sprovojë me një lumë, e ai që pi prej atij, ai nuk është me mua, e kush nuk shijon atë, ai është me mua, përveç atij që me dorën e vet e pi një grusht?” Mirëpo, me përjashtim të një pakice prej tyre, të tjerët pinë nga ai. E kur e kaloi ai (Taluti) atë së bashku me të edhe ata që ishin besimtarë thanë: “Ne sot nuk kemi fuqi kundër Xhalutit dhe ushtrisë së tij!” Po ata që ishin të bindur se do ta takonin Allahun thanë: “Sa e sa grupe të vogla me dëshirën e Allahut kanë triumfuar ndaj grupeve të mëdha!” Allahu është me durimtarët. (249) E kur dolën përballë Xhalutit dhe ushtrisë së tij, thanë: “Zoti ynë! na dhuro durim! na i përforco këmbët tona dhe na ndihmo kundër pabesimtarëve! (250) Me ndihmën e Allahut i thyen ata, e Davudi e mbyti Xhalutin dhe Allahu i dha atij (Davudit) sundimin dhe hikmetin (urtësinë, nubuwetin) dhe e mësoi atë për çdo gjë që deshi. Dhe sikur Allahu të mos i mbronte njerëzit me disa prej disa të tjerëve, do të shkatërrohej toka, po Allahu është bamirës i madh ndaj njerëzimit. (251) Këta janë argumente të Allahut, po t’i lexojmë ty me saktësi, e s’ka dyshim se ti (Muhamed) je prej të dërguarve. (252)
Pejgamberi i tyre Samvilli u ka thënë atyre: Shenjë e udhëheqësisë së tij është se do t’jua sjell sëndukun e Tevratit, të cilin e kanë marrë armiqtë tuaj në Palestinë. Me sëndukun, në mesin tuaj krijohet qetësia në zemrat tuaja dhe në shpirtrat tuaj për mospajtimin tuaj për çështjen e Talutit. Në të gjenden edhe pjesët e shkruara të Tevratit dhe gjurmët tjera të Musaut dhe të familjes së Harunit, siç ishin shkopi i Musaut. Sëndukun do ta bartin melekët dhe do ta vendosin në shtëpinë e Talutit. Këtu qëndron shenja e mbretërisë së tij. Andaj nëse me të vërtetë besoni në Allahun, dëgjojeni dhe respektojeni Talutin.
Ibn Abasi ka thënë: Amalikët e kishin vjedhë Tabutin nga bijtë e Israilit. Pastaj melekët e kanë vendosur në mes të qiellit dhe tokës dhe ata e shihnin deri sa e kanë dërguar te Taluti. Kur e kanë parë këtë, kanë thënë: Po, dhe e kanë pranuar dhe është bërë udhëheqës i tyre. Pejgamberët e mëhershëm kur kanë prezantuar në luftë, në vijën e frontit e kanë pasur para duarve të tyre.
Kur Taluti ka dalë nga qyteti i tij Mesxhidi Aksaja me ushtrinë e tij, për t’i luftuar amalikët, ushtarëve të tij u ka thënë: Allahu do t’u testoj me një lum, ai është lumi Jordan. Kush pi ujë nga ai lum, ai nuk do të qëndrojë në ushtrinë time dhe nuk do të jetë prej shokëve të mi. Kush nuk pi ujë, ai do të jetë prej pasuesve dhe ushtrisë sime, përpos atij i cili pi ujë në sasi të mbushjes së grushteve, që të pi një gllënjkë. Ata kanë pirë dhe e kanë kundërshtuar urdhrin e mbretit, përpos një numri të vogël prej tyre, e numri i tyre ishte i barabartë me numrin e sehabeve të betejës së Bedrit (314).
Pasi që Taluti dhe grupi i besimtarëve (dëgjuesve të tij) e kanë kaluar lumin, ata të cilët e kishin besimin e dobët kanë thënë: Nuk kemi forcë që të luftojmë Xhalutin. Ai është kriminel i madh. Ai me ushtrinë e tij e ka uzurpuar Palestinën. Nuk kemi forcë të përballemi me ushtrinë e tij, e cila ka shumë ushtarë, ndërsa ne kemi vetëm pak ushtarë.
Ata të cilët ishin të bindur se do ta takonin Zotin e tyre në Botën tjetër, kanë thënë: Ka ndodhur që një ushtri e vogël ka triumfuar ndaj ushtrisë së madhe, me dëshirën dhe mbështetjen dhe ndihmën e Zotit. Allahu i mbështetë, i ndihmon dhe është me durimtarët. Fitorja është rezultat i durimit dhe jo i ushtrisë së madhe në numër.
Kur u ballafaquan në luftë me Xhalutin (udhëheqësin e amalikëve) dhe ushtrinë e tij, janë lutur: Zoti ynë, na jep durim të madh, na forco dhe na bëj të qëndrueshëm që të mos ikim nga lufta dhe na ndihmo nga armiqtë tanë pabesimtarë, Xhaluti dhe ushtria e tij, dhe na ndihmo deri sa të fitojmë kundër tyre.
Allahu e ka pranuar lutjen e tyre dhe fituan kundër amalikëve me urdhër dhe me dëshirën e Tij. Davudi i cili ishte në rresht të ushtrisë së Talutit e vret Xhalutin pabesimtar dhe kriminel dhe pastaj Allahu e gradon me gradën e pejgamberisë dhe të urtësisë dhe pastaj gjatë mbretërisë së Talutit bëhet mbret. Pasi që ishte bari bagëtie, Zoti i tij i mëson artin dhe shkencën, si f.v., prodhimin e mburojave, mësimin e gjuhës së shpendëve.
Po të mos ekzistonte parimi i mbrojtjes së një njeriu ndaj njeriut tjetër dhe ballafaqimi me të keqen, atëherë do të dominonin shkatërrimtarët, do t’i mbytnin besimtarët, do të shkatërronin fusha, plantacione dhe vendet e besimtarëve, por Allahu është në anën e vlerës botërore, i ruan dhe i mbron ato.
Këto ajete të këtij tregimi t’i tregojmë ty o pejgamber i së drejtës. Është tregim i drejtë, pa shtuar asgjë dhe pa lënë mangu asgjë nga realiteti dhe ti o Muhamed, je pejgamber në mesin e pejgamberëve të Allahut, të vjen shpallja prej Allahut, u tregon njerëzve tjerë. Në këtë mënyrë e forcojmë zemrën tënde dhe i bëjmë të qëndrueshme çështjet tua.