“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Ndërtimi i kështjellës së shoqërisë, rruga e ruajtjes së saj, pavarësia e saj, krenaria e saj, fisnikëria e saj ka nevojë për bashkëpunimin e njësive të saj dhe ndërlidhjen e tyre në mes vete. Nuk mund të ketë zhvillim dhe prosperitet të shoqërisë derisa nuk sakrifikohet jetë dhe pasuri.
Bota tjetër është peshojë e veprave të mira. Në botën tjetër është e mira e përgjithmonshme për të gjithë ata të cilët veprojnë punë të mira dhe i kryejnë detyrat dhe obligimet.
Njerëzit dallojnë sa i përket bashkëpunimit dhe punëve të mira:
– Ndonjëri vepron një punë të mirë nga dëshira dhe dashuria e flaktë për të punuar vepra të mira.
– Ndonjëri vepron punë të mira se i frikësohet ndëshkimit dhe kërkon shpërblim.
Ata kanë nevojë që t’u ligjërohet dhe të ju përkujtohen urdhrat prej Allahut për të shpenzuar në rrugën e interesit të përgjithshëm, për fuqinë në bashkësi dhe realizimin e sigurimit shoqëror.
Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 254:
O ju që keni besuar, para se të vijë një ditë kur nuk do të ketë as shitblerje, as miqësi, e as ndërmjetësim, jepni nga ajo me çka Ne u furnizuam juve. Pabesimtarët janë mizorë. (254)
Siç thotë Ibn Xhurejxhi, ky ajet përfshinë zekatin obligativ dhe ndihmat vullnetare. Kjo është e saktë. Zekati është obligativ, ndërsa ndihmat vullnetare janë të parapëlqyera.
Pjesa e jashtme e ajetit tregon për të gjitha çështjet e mirësisë të cilat sjellin dobi si: ndërlidhja me farefisninë, ndërtimi i xhamive, spitaleve ose shkollave, ndihma ndaj të varfërve, armatosja e ushtrisë dhe përgatitjet tjera ushtarake, ndihma ndaj: nevojtarit, të bankrotuarit, udhëtarit të cilit i janë harxhuar mjetet e udhëtimit për t’u kthyer në vendlindjen e tij, etj.
Në hadithin të cilin e transmeton Ebu Davudi, i cili hadithë është i kategorisë mursel, Muhamedi a.s. ka thënë: “Pasurinë tuaj sigurojeni me zekatë. Të sëmurët tuaj shëroni me lëmoshë.”
Me këtë ajet, Allahu edukon për të shpenzuar me të mirat të cilat i ka dhënë, në anën tjetër ka tërheqë vërejtjen që njeriu të mos bëhet koprrac apo dorështrydhur ashtu që të vjen një ditë në të cilën nuk ekziston procesi i shitblerjes dhe as i shpenzimit në rrugë të Allahut dhe as mundësia për të vepruar diçka për të fituar kënaqësinë e Allahut. Në atë ditë njeriu nuk mund të gjejë diçka çka e shpëton apo i ndihmon përpos veprës së mirë dhe besimit të sinqertë. Nuk bën dobi shoqëria, as dashamirësia. Nuk ndihmon ndërmjetësimi i ndërmjetësuesit. Në atë ditë ekziston ose shpërblimi ose ndëshkimi. Është dita ku nuk bëjnë dobi as fëmijët, as pasuria, pos ai i cili shkon te Allahu me zemër të shëndoshë. Atë ditë ku do të paraqitet varfëria e robërve te Allahu i Vetëm Mbizotërues.
Pabesimtarët të cilët i mohojnë begatitë e Allahut, të drejtën e pasurisë, ata janë vetëm kriminel të vetes së tyre.
Të padrejtë janë ata të cilët nuk e vendosin sendin në vendin e vet.
Ata Ibn Dijnari ka thënë: E falënderojmë Allahun, i Cili ka thënë: “Dhe pabesimtarët janë ata të padrejtët” dhe nuk ka thënë: “Të padrejtët janë pabesimtarë.” Kjo nga shkaku se, kuptimi i drejtë i pjesës së ajetit është se çdo pabesimtarë është i padrejtë, ndërsa çdo i padrejtë nuk është pabesimtar. Po të kishte thënë: Të padrejtët janë pabesimtarë, atëherë do të nënkuptohej se çdo i padrejtë (ai i cili nuk e vendos sendin në vendin e vet) është pabesimtar.
Ndërmjetësimi i cili nuk mund të ekziston në Ditën e Gjykimit është ndërmjetësimi pa lejen e Allahut të Madhërishëm siç është ndërmjetësimi në këtë botë, mirëpo do të ketë ndërmjetësim me lejen e Allahut të Madhërishëm. Esenca e saj është mëshira e Allahut Famëlartë. Allahu e nderon kë të Dojë duke i dhënë leje që të ndërmjetëson.
Përfundim
Allahu i Madhërishëm dëshiron t’i edukojë të pasurit që të ndihmojnë në interes të përgjithshëm shoqëror dhe t’u ndihmojnë nevojtarëve dhe të marrin pjesë në zhdukjen e varfërisë në shoqëri, zhdukjen e injorancës dhe të sëmundjeve. Kjo mund të realizohet duke shpenzuar në projekte të drejta, logjike, ku realizohet dobia e përgjithshme dhe jo duke e shkapërderdhë dhe duke shpenzuar pasuri në argëtime, bixhoz dhe shfrenime.