Liria e fesë në islam

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Dihet se, islami është përhapur me argumente dhe me vullnet të lirë, me fakte dhe sqarime, jo me dhunë dhe me detyrim. Historia nuk ka dokumentuar se islami e ka detyruar dikë ta pranojë fenë islame. Por, njerëzit kanë hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe, të lirë, me dëshirë dhe vullnetarisht.

Mesruki ka thënë: Një Medinas nga bijtë e Salim bin Aufit i kishte dy fëmijë të cilët ishin krishterizuar para se të ishte dërguar Muhamedi a.s. pejgamber. Pastaj një grup i krishterëve shkojnë në Medine, ndërsa ata të krishterët bartnin ushqim. Babai i tyre (dy krishterëve) shkon dhe i detyron (të mos shkojnë nga Medineja) dhe u thotë: Për Zotin nuk ju lejoj të shkoni deri sa ta pranoni fenë islame. Ata dy refuzojnë ta pranojnë islamin dhe shkojnë te pejgamberi a.s. Prindi i tyre thotë: O i dërguar i Allahut, si mund të lejojë një pjesë (e familjes) të hynë në zjarr dhe unë të shikoj? Atëherë Allahu i Madhërishëm e zbret ajetin:

Ajeti 256:

Në fe nuk ka dhunë. Është sqaruar e vërteta nga e kota. E kush nuk i beson tagutët, e i beson Allahut, ai është kapur për lidhjen më të fortë, e cila nuk ka këputje. Allahu është dëgjues i dijshëm. (256)

Që nënkupton se, detyrimi në fe është i ndaluar. Nuk ka dhunim dhe detyrim për të hyrë në fe. Nuk është i drejtë imponimi pasi që janë shpalosur faktet dhe argumentet e qarta për vërtetësinë e Muhamedit a.s. dhe për atë që ka shpallë Zoti i tij. Kush dëshiron le të besojë dhe kush dëshiron le të mos besojë.

Shumë njerëz të rëndomtë dhe orientalistë ‘mendojnë’ se: Islami ka ardhur me tehun e shpatës. Këto pretendime janë të paqëndrueshme dhe të pavlefshme. Sa i përket luftërave në islam, ato luftëra kanë qenë mbrojtëse dhe kanë zgjatur derisa idhujtarët janë ndalë në shkaktimin e trazirave në mesin e muslimanëve dhe derisa i kanë lënë njerëzit të lirë.

Nuk ka pengesë për atë që quhet jeta fetare paqësore në mes islamit dhe pjesëtarëve të saj dhe pjesëtarëve të tjerë të feve tjera.

Kush i mohon idhujt dhe nuk adhuron tjetër pos Zotit dhe beson Zotin Një, të pa ortak, ai është mbështetur në një bazë të sigurt, në të cilën nuk ka shkëputje.

Allahu i dëgjon fjalët e njerëzve.

Allahu di për besimet dhe veprimet e tyre.

Pastaj Allahu i Madhërishëm sqaron se Ai përkujdeset për çështjet e besimtarëve dhe udhëzimin e tyre në rrugë të qëndrueshme. I Madhërishmi thotë:

Ajeti 257:

Allahu është mbikëqyrës i atyre që besuan, i nxjerr ata prej errësirave në dritë. E kujdestarë të atyre që nuk besuan janë djajtë që i nxjerrin ata prej drite e i hedhin në errësira. Ata janë banues të zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. (257)

Kjo nënkupton se, Allahu përkujdeset për çështjen e robërve besimtarë. Ai i udhëzon ata në rrugë të drejtë dhe i nxjerrë nga errësirat dhe dyshimet në dritën e diturisë, arsimit dhe të vërtetës.

Sa i përket atyre të cilët mohojnë Allahun dhe të dërguarin e Tij, për çështjen e tyre përkujdeset Taguti (shejtani), ai i transferon nga drita e së vërtetës dhe besimit në errësirat e pabesimit dhe hipokrizisë, të dyshimit dhe humbjes. Ata janë të cilët janë larguar nga udhëzimi dhe e drejta dhe janë zhytur në humnerë dhe në humbje. Ata e kanë të patjetërsueshme të hyjnë në të, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.

Ky krahasim praktik tregon rezultatin në mes dy taborëve njerëzore:

– Kush beson në Zotin e tij dhe në të dërguarin e Tij dhe në librat të cilat i ka zbritur dhe Urtësinë e Tij, atëherë Allahu është ndihmëtari i Tij, e nxjerr nga errësira e pabesimit në dritën e besimit.

– Kush mohon pas prezantimit të pejgamberit a.s. dhe zbritjes së Kur’anit, kujdestar i tij është shejtani, ai i mashtron dhe i nxjerrë nga fusha e besimit në errësirën e pabesimit dhe të devijimit.

Lini një koment