Gradat e pejgamberëve dhe qëndrimi i njerëzve ndaj shpalljeve të tyre

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Të gjithë njerëzit nuk janë të një niveli dhe të një grade. Dallojnë në nivele dhe grada te Allahu dhe te njerëzit dhe kjo varësisht se sa i kryejnë detyrat e tyre dhe varësisht prej aftësive të tyre për të realizuar të drejtën dhe përmbajtjes së urdhrave të Allahut dhe dallimit të tyre në kryerjen e veprave të mira.

Urtësia e Allahut ka dashur që edhe pejgamberët edhe të dërguarit të dallohen në grada, në nivele, varësisht prej sakrificës së tyre dhe ndikimit të tyre në jetën njerëzore. Ky është shkaku i dallimit të disa pejgamberëve ndaj pejgamberëve tjerë, specifikimi i tyre ndaj të tjerëve. Pejgamberët më të dalluar janë elita e pejgamberëve (ulul azmi).

Ebu Hurejre r.a. ka thënë: Fëmijët më të mirë të Ademit janë: Nuhu, Ibrahimi, Musa, Isa dhe Muhamedi. Këta janë elita e pejgamberëve (ulul azmi).

Është pyetur pejgamberi a.s. për Ademin, a është i dërguar apo pejgamber.

Është përgjigjur: Po ka qenë i dërguar dhe pejgamber. Por pejgamberia e Ademit a.s. ka qenë në xhenet, e jo në këtë botë.

Allahu i ka ngritur në nivele të larta disa pejgamberë ndaj tjerëve, në nivele të nderimit dhe të respektit.

Musaut a.s. i ka folur Zoti i tij në këtë botë. Ai është Folësi me Allahun.

Isait, birit të Merjemes, Allahu i ka dhënë argumente të qarta, si f.v., të folurit e tij përderisa ishte i vogël në djep, ngjallja e të vdekurve, shërimi i të verbërve (të lindur të verbër) dhe shërimi i të zgjebosurve, të gjitha këto me lejen e Allahut. Allahu e ka ndihmuar me Shpirtin e shenjtë, e ai është Xhibrili a.s. me shpirtin e tij të pastër dhe fisnik. Kjo është grada e tij, as më pak e as më shumë.

Jehudët e kanë akuzuar atë dhe nënën e tij, ndërsa të tjerët pos jehudëve e kanë ngritur në nivel të Zotit. Ndërsa në realitet është krijesë e krijuar me lejen e Allahut, i Cili ia ka dhënë shpirtin, shpirti i shenjtë prej Allahut, i lindur pa babë. Ai pastaj ka kaluar në fazat e shtatzënisë dhe të fëmijërisë sikurse njerëzit tjerë. Ka jetuar duke ngrënë, duke pirë ujë dhe duke i ftuar njerëzit në besim vetëm në një Zot, duke i zbatuar urdhrat e Allahut, duke u përgatitur për xhenetin e përgjithmonshëm, duke u larguar nga mëkatet dhe veprat e këqija sikurse pejgamberët tjerë. Ai është pejgamber fisnik te Allahu dhe nuk ngrihet në pozitën që të jetë Zot.

Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 253:

Këta (për të cilët të rrëfyem) janë të dërguarit, disa prej tyre i dalluam nga të tjerët, prej tyre pati që Allahu u foli, disa i ngriti në shkallë më të lartë, Isait, birit të Merjemës i dhamë argumente dhe e përforcuam me shpirtin e shenjtë (Xhibrilin). E sikur të donte Allahu, nuk do të mbyteshin ndërmjet vete ata (populli) që ishin pas tyre, pasi që atyre u patën zbritur argumentet, por ata megjithatë u përçanë. E pati prej tyre që besuan dhe pati të tillë që nuk besuan, e sikur të dëshironte Allahu ata nuk do të mbyteshin, por Allahu punon çka dëshiron. (253)

Thënia e Allahut: “Dhe i ka ngritur disa në nivele të larta.” ka për qëllim sinjalizimin e Muhamedit a.s., i cili është pejgamberi më i dalluar sepse është dërguar për të gjithë njerëzimin. Është dërguar mëshirë për botët. Është vula e pejgamberëve. Është më madhështori i njerëzimit, mrekullia e tij është Kur’ani. Specifikohet me edukatën të cilën ia ka dhënë Allahu dhe ia ka dhënë pesë cilësi të cilat nuk i ka pasur askush para tij dhe siç ka thënë, ato cilësi janë: Më janë dhënë pesë cilësi të cilat nuk i janë dhënë askujt para meje, e ato janë: Jam i ndihmuar që të më frikësohet armiku një muaj distancë kohore. Toka më është bërë xhami dhe e pastër dhe secili në çdo vend le të falet. Më është lejuar pasuria e luftës, e cila nuk i është lejuar askujt më parë. Më është dhënë e drejta e ndërmjetësimit. Pejgamberët më parë kanë qenë të dërguar posaçërisht për popujt e tyre, ndërsa unë jam i dërguar për të gjithë njerëzimin.

Sa i përket qëndrimit të njerëzve në çështjen e pasimit të pejgamberëve të tyre, kanë pasur qëndrime të ndryshme. Disave i kanë besuar, disave nuk i kanë besuar, e disa madje edhe i kanë vrarë ani pse kanë paraqitur argumente të qarta të pejgamberisë, pra edhe pse pejgamberët kanë pasur mrekulli mbinatyrore. Po të kishte dashur Allahu, nuk do të ishin mbytur, por Allahu i ka lënë të lirë njerëzit që ta  dallojë të mirin nga i keqi. Dhe çështjen e fesë ta bëj çështje të mendjes, analizës, hulumtimit dhe studimit.

Allahu me urtësinë e Tij vepron çka të dëshiron.

Lini një koment