Baza e shpenzimit

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Pasuria është emanet në dorën e njeriut, sillet rreth grumbullimit dhe shpenzimit. Ashtu siç nuk është e lehtë çështja e sigurimit të pasurisë nga shkaku se kërkohet fitim hallall (ligjor) po ashtu edhe shpenzimi nuk është çështje e lehtë.

Ndoshta ndonjëherë lehtë fitohet pasuria, mirëpo është e vështirë të ruhet, ose është e vështirë të fitohet shpërblim për të shpenzuar te nevojtarët.

Njeriu është pjesë e shoqërisë së vet. Nëse është i pasur kujdeset për nevojtarët dhe i hulumton të varfrit dhe nevojtarët për të kryer përgjegjësinë ndaj Allahut.

Shpenzimi duhet të jetë mbi bazat e caktuara si në vijim.

Baza e parë: Të shpenzohet e mira, pra të mos jepet e keqja, ose e prishura.

Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 267:

“O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që ju dhamë prej tokës, e mos nxitoni ta jepni atë më të pavlefshmen nga ajo, e që ju nuk do ta pranonit për vete pos symbyllas. Dhe dijeni se All-llahu nuk ka nevojë për ju, ngase është i Madhëruar.”

Dhënësi, qoftë kur e jep zekatin obligativ, qoftë kur jep ndihmë vullnetare, nuk lejohet që të varfrit t’i jep të prishurën apo të keqen. Kjo ngase Allahu është i mirë dhe e pranon vetëm të mirën. Nuk është edukative, dhe nuk është në rregull që njeriu të jep për Allah atë që vet e urren (e cila nuk është e mirë).

Shkaku i zbritjes së ajetit

Xhabiri ka thënë: Pejgamberi na kishte urdhëruar që të japim zekatul fitrin, një “SAA” prej hurme. Një njeri kishte sjellë hurma jo të mira (të klasit të dobët), atëherë ka zbritur ajeti: “O ju besimtarë, shpenzoni nga të mirat të cilat i keni fituar…” (El-Bekare: 267)

Pra, mos shpenzoni nga e mira e pasurisë suaj e mos synoni të jepni jo të mirën, të prishurën, të keqen apo të dëmtuarën ashtu që të jepni lëmoshë atë që nuk është e mirë.

Me këtë ndalohet që të jepet lëmoshë ajo çka është e keqe dhe jo e mirë siç thotë Allahu i Madhërishëm: “Nuk mund të arrini mirësinë deri sa të shpenzoni atë që e doni. Çdo gjë që e jepni Allahu e di (atë që e jepni)”. (Ali Imranë: 92)

Baza e dytë: Rezistenca ndaj koprracisë.

Njeriu duhet të luftojë me ndjenjën e tij të brendshme e cila tërheq njeriun për të mos shpenzuar. Nuk duhet të frikësohet me atë që, nëse jep varfërohet. Allahu, shpenzuesit ia kompenson me mirësi. Pastaj i shton dhe e begaton me të mirat e Tij. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 268 dhe 269:

“Djalli ju frikëson me varfëri dhe ju urdhëron për të këqija, e All-llahu ju garanton falje (mëkatesh) e begati; All-llahu është Dhurues i Madh, i Dijshëm. Ai ia dhuron hikmetin atij që do, e kujt i është dhënë hikmeti, i është dhënë mirësi e shumtë, por nuk përkujtohet askush pos të mençurve.”

Allahu, pasi ka motivuar për shpenzim të mirë, kërkon kujdes të shtuar ndaj cytjeve të shejtanit dhe sulmeve të tij. Allahu Famëlartë lajmëron se falë atë i cili shpenzon, njëherit lajmëron se e begaton shpenzuesin, po ashtu tregon për të mirat e Tij të pakufishme dhe për magazinat e Tij se ka mundësi ta kompenson.

Po ashtu tregon për diturinë e Tij, për qëllimin e mirë të Tij, dhe se i jep urtësi atij të cilit Do Ai, për të vendosur pasurinë në vendin e duhur dhe të dobishëm.

Allahu është Begatues i Madh.

Fjala “magfiret” ka kuptimin: e falë robin e Tij në këtë botë dhe në botën tjetër.

Fjala “fadl” ka kuptimin: është Furnizues në këtë botë dhe jep të mira në botën tjetër dhe për çdo mirësi në këtë botë dhe në botën tjetër, pasi Allahu e udhëzon atë njeri dhe ia mundëson që t’i kupton çështjet dhe substancën e tyre, dhe të perceptimit se çështjet duhet të vendosen në vendin e duhur.

Po ashtu, Allahu tregon se Ai është Furnizuesi dhe posedon forcë të pakufishme.

Baza e tretë: Ligjësimin e shpenzimit haptazi dhe fshehtazi.

Besimtari duhet që veprat t’i bënë vetëm për Allah, duhet të jetë i sinqertë kur shpenzon për të nevojshmit dhe se shpërblimin do ta ketë në botën tjetër, nuk do t’i humb ajo vepër e mirë.

Allahu di çdo gjë, ashtu që e arkëton veprën e mirëbërësit.

Pasi të jetë i sinqertë në vetvete, nuk ka kurrfarë pengese, që të tregon haptazi me qëllim që t’i motivon të tjerët, ose edhe mund ta fsheh, me qëllim që t’i shmanget syfaqësisë dhe lavdërimit. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 270 dhe 271:

All-llahu di për atë që e keni dhënë nga pasuria ose keni zbatuar ndonjë premtim (nedhër), e për mëkatarët nuk ka ndonjë ndihmës. Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju dhe Ai ua largon të këqijat. All-llahu është i njohur hollësisht për veprat e juaja.

Disa dijetarë, siç është Ibn Abasi dhe të tjerët mendojnë se, sadakaja obligative (pra zekati) më e vlefshme është të jepet haptazi se sa fshehtazi, ndërsa lëmosha apo ndihmat vullnetare është më e vlefshme të jepet fshehtazi se sa haptazi, ngase kështu në njërën anë nuk tregohet proklamimi dhe syfaqësia, ndërsa në anën tjetër ruhet nderi i të varfërit.

Lini një koment