Ajetul Kursija

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 255:

Allahu – s’ka zot pos Tij. I Gjalli, Vigjiluesi. Nuk e zë kotja, e as gjumi. E Tija është ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë. Kush mund të ndërmjetësojë te Ai, pos me lejen e Tij? Ai e di se ç’po u ndodhë dhe ç’do t’u ndodhë. Dhe asgjë nga dija e Tij nuk mund të përvetësojnë, pos sa të dojë Ai. Ndërsa pushteti i Tij përfshinë qiejt dhe tokën. E nuk lodhet duke i ruajtur (mirëmbajtur), ngase Ai është i Larti, Madhështori.” (255)

Ky është ajetul Kursija, të cilin njerëzit e kanë bërë zakon ta mësojnë përmendësh, e lexojnë në mëngjes dhe në mbrëmje, i shërojnë të sëmurët me të, pasi që në të fshihen çështje madhështore, kuptime të rëndësishme, besim gjithëpërfshirës.

Për vlerën e saj janë transmetuar hadithe të shumta. Prej tyre, hadithi i zinxhirit të saktë, të cilin e transmeton Ebu Abdullah Hakemi në “Mustedrekun” e tij nga Ebu Hurejre r.a. se pejgamberi a.s. ka thënë: “Në suretul Bekare është një ajet, i cili është zotëria i Kur’anit. Në shtëpinë në të cilën lexohet ai ajet, shejtani largohet nga aty, e ai ajet është ajetul Kursij.”

Kështu pra, ajetul Kursija është zotëria i Kur’anit. Ka transmetime se, e ka vlerën e një të tretës së Kur’anit. Transmetohet nga Nesaiu, Ebu Davudi dhe Ibni Habani nga Ubeje bin Keabi se pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush e lexon atë (ajetul kursinë) në fillim të mbrëmjes, nuk mund t’i afrohet shejtani.”

Ajeti përmban atë se: Allahu është i Vetmi Zot i Cili duhet të adhurohet dhe është e drejtë të adhurohet, ndërsa sa i përket zotave tjerë të pretenduar, adhurimi ndaj tyre është i padrejtë.

Allahu është i Vetëm në adhurim, i Përgjithmonshëm, i Gjallë, Ai Vet planifikon dhe përcakton për krijesat e Tij. Asnjë krijesë nuk mund t’i ngjajë Atij. Ai dëgjon, sheh. Nuk e përfshinë kotja, e as gjumi. Sundimtar absolut i Arshit dhe çdo çështjeje. Të Tij janë gjithçka ka në qiej dhe në tokë. Ai ndëshkon ashpër. Vepron çka të dëshirojë. Në ditën e gjykimit askush nuk e ka të drejtën të flasë, pos me lejen e Tij. Askush nuk mund të ndërmjetësojë, pos me urdhër të Tij. I Di çështjet e përgjithshme dhe të veçantat. Prej diturisë së Tij, askush nuk mund të zbulojë, pos çka dëshiron Ai. Nuk mund të përfitohet prej diturisë së Tij, pos sa dëshiron Ai. Ai ka Fron të madh dhe të fuqishëm, e tërë toka është në kompetencën e Tij, të gjithë qiejt janë pronë e Tij. Ai përfshinë Fronin, që nënkupton diturinë e qiejve dhe të tokës. Termi “Kursij” ka kuptimin e diturisë.

Siç thotë Ibn Abasi se hadithet na orientojnë në atë se Kursij është krijesë e krijuar, e madhe, e cila qëndron në Arsh, ndërsa Arshi është më i madh se Kursija.

Ibn Xheriri transmeton nga Taberaniu, e ai nga Ibni Zejdi, e ai nga Ebijhi, i cili ka thënë: I dërguari i Allahut a.s. ka thënë: Shtatë qiejt të cilët qëndrojnë në Kursij (Fron) nuk janë asgjë tjetër pos sikurse shtatë dërhem të cilat gjuhën në një mburojë.

E rëndësishme është të kuptohet se fuqia e Allahut është e madhe dhe gjithëpërfshirëse, nuk mund ta anashkalon atë diçka nga diçka tjetër. Nuk e rëndon diçka nga diçka tjetër. Ai është Mposhtës i pamposhtur. I madh aq sa nuk mund ta paramendojë logjika dhe as që mund të mendohet madhëria e Tij. Askush nuk mund të dijë për madhështinë e Tij, përpos Madhështisë së Famëlartit.

Ky ajet tregon për madhështinë e Allahut dhe të krijesave të Tij, madhështinë e Fuqisë së Tij. Nuk mund të rëndohet çështja e Tij për shkak të sigurimit dhe mbrojtjes së kësaj çështje të madhe.

 Aliu r.a. Zoti e ndriçoftë ka thënë: Në shtyllat e minberit e kam dëgjuar pejgamberin a.s. duke thënë: Kush e lexon ajetul Kursijën pas çdo namazi, asgjë nuk mund ta largojë prej xhenetit, përpos vdekjes.

Leximin e tij e praktikojnë robërit e devotshëm dhe të sinqertit.

Kush e lexon atë kur shkon në shtrat, Allahu e ruan atë dhe fqinjin e tij, fqinjin e fqinjit të tij dhe shtëpitë për rreth tij.

Lini një koment