Rregullat e shkurorëzimit

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Për fëmijën, nuk ka çështje më të dobishme si në aspektin konkret, si atë abstrakt, se sa qumështi prej nënës së tij. Prej qumështit të saj formohet trupi i tij dhe transformohet te ai natyrshmëria e saj, i merr karakteristikat e saj dhe edukatën e saj. Nëse nëna është nën mbrojtjen e babës, ajo e ka të drejtën e gjidhënies, kjo në bazë të traditës, ndërsa nëse është e shkurorëzuar, atëherë gjidhënia është e parapëlqyer, vetëm nëse fëmija refuzon gjidhënien nga ndonjë grua tjetër ose kur prindi për shkak të varfërisë nuk mund të sigurojë gjidhënëse tjetër apo për shkak të ndonjë arsyeje tjetër, atëherë ajo e ka për obligim gjidhënien.

Ndalohet që prindi t’i shkaktojë dëm nënës së fëmijës (gruas) për shkak të fëmijës së saj, duke e shfrytëzuar dhe duke e penguar nga furnizimi me ushqim dhe veshmbathje ose duke e marrë me dhunë fëmijën prej saj ose duke e detyruar për gjidhënie.

Po ashtu, nuk dëmtohet prindi, në mënyrën që të kërkohet prej tij aq sa nuk ka mundësi të kompensojë nënën e fëmijës me furnizim të ushqimit dhe të veshmbathjes ose që nëna të shpërdorë ndjenjat e prindit në çështje të fëmijës apo në çështje tjera, duke e tepruar me lloje të ndryshme të kërkesave.

 Qëllimi është që të mos shkaktohet dëm në njërin prej prindërve për shkak të fëmijës.

Nëse prindi vdes, atëherë furnizimi me ushqim dhe veshmbathje i takon trashëgimtarëve të tij. Nëse prindi nuk ka pasuri, furnizimi i takon trashëgimtarit të fëmijës, po që se do të kishte vdekur.

Kohëzgjatja e gjidhënies së fëmijës është dy vite të plota. Nëse prindërit dëshirojnë të ndërpresin gjidhënien në më pak se dy vite pas konsultimit mes vete duke e parë si të dobishme për fëmijën, nuk bartin mëkat asnjëri prej tyre, pasi që interesi i përgjithshëm e kërkon ashtu.

Nëse prindërit pajtohen për gjidhënëse tjetër, për shkak të shtatzënisë ose sëmundjes ose furnizimit, nuk bartin mëkat, me kusht që gjidhënësen ta kompensojnë në bazë të mundësive. Kjo mënyrë e veprimit lejohet për të siguruar jetën e fëmijës.

Pastaj Allahu ka paraparë ligjet e gjidhënies, që të bëhet me devotshmëri dhe le ta kenë parasysh se monitorohen nga Allahu i Madhërishëm për çdo veprim të tyre, qoftë legal apo ilegal, sepse Allahu sheh çdo veprim, është i informuar për çdo planifikim. E shpërblen njeriun për çdo aktivitet. Mjafton që tërheq vërejtjen nga çdo devijim. Duke i sqaruar ligjet e gjidhënies Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 233:

Nënat, ato që duan ta plotësojnë gjidhënien, janë të obliguara t’u japin gji fëmijëve të vet dy vjet të plota. I ati i fëmijës është i obliguar për furnizim dhe veshmbathjen e tyre (gruas) ashtu si është rregulli. Askush nuk ngarkohet më tepër, vetëm aq sa është në mundësinë e tij. Asnjë nënë nuk bën të dëmtohet me fëmijën e saj, e as babai me fëmijën e tij. Po ashtu është i obliguar edhe trashëgimtari (i fëmijës). E nëse pas një konsultimi dhe pëlqimi (prindërit) shfaqin dëshirën për ndërprerjen (më herët) e gjirit, nuk është ndonjë mëkat për ta. (Nëse ju baballarët) për fëmijën tuaj dëshironi gjidhënëse tjetër me kusht që pagesën t’ia bëni në mënyrë të duhur, nuk është ndonjë mëkat. Kini frikë nga Allahu dhe dijeni se Allahu sheh çka punoni. (233)

Këto ligje janë ligjësuar për të siguruar dhe garantuar fëmijën dhe perspektivën e tij. Për çdo devijim nga këto ligje parashihet dënim në botën tjetër dhe llogaritet mëkat sepse islami është i mëshirshëm për të gjithë, si për të vegjlit po ashtu edhe për të rriturit.

Lini një koment