“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Islami ua bën obligim burrave që të bashkëjetojnë me jetë të lumtur me gratë, duke mos u bërë keq dhe as duke mos i nënçmuar, ashtu siç e ka bërë obligim që të zbatohen kufijtë (ligjet) e Allahut gjatë jetës bashkëshortore dhe nëse mungon harmonia, atëherë shkurorëzimi është çështja më e urryer por e lejuar.
Në asnjë mënyrë nuk duhet parë si lojë ndjenjat e femrës apo çështja e shkurorëzimit sepse shkurorëzimi bie mbi supet e gruas pa marrë parasysh se a është shkurorëzimi serioz apo joserioz (lojë apo mahi).
Po ashtu, llojin e shkurorëzimit me të drejtë kthimi nuk duhet ta shpërdorojë me qëllim që ta dëmtojë apo nënçmojë, ashtu siç vepronin në kohën e injorancës.
Një njeri kur e shkurorëzonte gruan, pastaj e kthente para skadimit të idetit, ajo ishte e tij edhe po që se e shkurorëzonte edhe një mijë herë. Njeriu e posedonte gruan si të tij, kështu që e shkurorëzonte, e mbante peng dhe derisa i afrohej ideti i saj e kthente dhe pastaj e shkurorëzonte dhe thoshte: Për Zotin as nuk të mbaj, as nuk të liroj kurrë. Kjo do të thotë se e shfrytëzonte shkurorëzimin me të drejtë kthimi, pra tallej. Gruaja nuk kishte status stabil, sa që ajo as nuk ishte bashkëshorte (e martuar) dhe as grua e shkurorëzuar, nuk kishte të drejtë të kurorëzohej me tjetër edhe pas skadimit të idetit. Për këtë arsye, Allahu i Madhërishëm zbriti ajetin për të sqaruar numrin e lejuar të shkurorëzimeve me të drejtë kthimi:
Ajetet 229 dhe 230:
Lëshimi (pas së cilit mund të bëhet rikthimi) është dy herë, e (pastaj) ose jetë e njerëzishme (bashkëshortore) ose shkurorëzim me mirëkuptim. E juve (burrave) nuk u lejohet t’u merrni asnjë send nga ajo që u keni dhuruar (si nikah), vetëm nëse që të dy frikësoheni se nuk do të mund t’i ruajnë dispozitat e Allahut (në bashkëshortësi). E nëse keni frikë se ata të dy nuk do të mund t’i ruajnë dispozitat e Allahut, atëherë për atë, me çka ajo bën kompensim për shkurorëzim (hule), për ata të dy nuk ka mëkate. Këto janë dispozita të Allahut, pra mos i kundërshtoni, sepse kush i tejkalon dispozitat e Allahut, pikërisht të tillët janë zullumqarët. (229) E në qoftë se ai (burri) e lëshon atë (për herë të tretë), pas atij (lëshimi) nuk lejohet më derisa të martohet ajo për një burrë tjetër. E nëse ai (burri i dytë) e lëshon atë, atëherë për ata dy, po qe se mendojnë se do t’i zbatojnë dispozitat e Allahut, nuk ka pengesë të rikthehen (në bashkëshortësi). Këto janë dispozita të Allahut që ia sqaron një populli që kupton. (230)
Kështu pra, burrat le t’i frikësohen Allahut, ata të cilët e përsërisin vazhdimisht me gjuhët e tyre termin shkurorëzim, për të kërcënuar gruan për të vepruar diçka apo për të mos vepruar diçka tjetër, nga shkaku se raportet bashkëshortore në mes tij dhe bashkëshortes mbështeten në parimin bazë, e ai parim është liria dhe e drejta e lirisë së mendimit. Nëse raportet janë raporte të ndaluara, i ndalohet çdo gjë dhe fëmijët e tyre janë fëmijë prostitucioni.
Ligjësimi i shkurorëzimit është bërë për shkak të nevojës dhe domosdoshmërisë, atëherë kur është e pamundur të jetohet mirë në mes të dy bashkëshortëve dhe kur ndodhin mospajtimet e padurueshme, kur ndodhin devijimet dhe nuk ka mundësi që jeta të vendoset në binarë dhe jeta bashkëshortore shndërrohet në një xhehenem të papërballueshëm, atëherë lejohet paraqitja e ndarjes (shkurorëzimit) pas një organizimi të mendimeve për një shkurorëzim, e pastaj ai ka të drejtë ta rikthejë. Ai ka të drejtë edhe një shkurorëzim me të drejtë kthimi në kohën e idetit.
Nëse ndodhin tri shkurorëzime, atëherë paraqitet lloji i shkurorëzimit pa të drejtë kthimi dhe nuk lejohet të martohet (gruaja e shkurorëzuar) përderisa nuk martohet me martesë të përgjithmonshme (jo të përkohshme) me burrë tjetër. Pastaj nëse në formë normale ndodhë konfrontimi me burrin tjetër dhe ai e shkurorëzon, atëherë burri i parë ka të drejtë akti të ri të kurorëzimit pas skadimit të afatit të idetit.
Por nëse burri tjetër është martuar vetëm për t’ia lejuar martesën burrit të parë, me fjalë tjera është martuar me kurorëzim të përkohshëm (martesë formale/false), ky veprim është haram dhe i ndaluar. Në këtë rast llogaritet prostitucion dhe argëtim i lidhjes së bashkëshortëve. Njeriu gjithmonë duhet të ketë parasysh fjalën e Allahut të Madhërishëm:
“Lëshimi (pas së cilit mund të bëhet rikthimi) është dy herë, e (pastaj) ose jetë e njerëzishme (bashkëshortore) ose shkurorëzim me mirëkuptim. E juve (burrave) nuk u lejohet t’u merrni asnjë send nga ajo që u keni dhuruar (si nikah), vetëm nëse që të dy frikësoheni se nuk do të mund t’i ruajnë dispozitat e Allahut (në bashkëshortësi). E nëse keni frikë se ata të dy nuk do të mund t’i ruajnë dispozitat e Allahut, atëherë për atë, me çka ajo bën kompensim për shkurorëzim (hule), për ata të dy nuk ka mëkate. Këto janë dispozita të Allahut, pra mos i kundërshtoni, sepse kush i tejkalon dispozitat e Allahut, pikërisht të tillët janë zullumqarët.” (El-Bekare: 229)