“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Namazi është shtyllë e fesë dhe bazë e punëve të mira.
Namazi është vepra e parë për të cilën jepet llogari në ditën e gjykimit. Namazi është obligim praktik, i cili përsëritet pesë herë gjatë ditës dhe natës, nga shkaku se posedon rreze reflektuese në pastrimin e zemrës, pastrimin e mëkateve.
Namazi është si një lum apo burim uji në të cilin njeriu pastrohet pesë herë gjatë ditës dhe natës, e që më pastaj nuk mbetet asnjë fije njolle apo ndyrësire.
Namazi është lidhje në mes të robit dhe Zotit të tij. Shkak i fitores dhe kënaqësisë së Allahut të Madhërishëm. Rrugë e largimit të pikëllimeve dhe fatkeqësive. Kur pejgamberit a.s. i vështirësohej gjendja, e lehtësonte gjendjen e tij me namaz.
Namazi edukon shpirtin, të mëson edukatën, ndalon nga imoraliteti dhe e keqja. Nuk lejon shtrembërim dhe as devijim. Të përkujton obligimet, qetëson mendjen dhe shpirtin nga brengat, mërzitë dhe çrregullimet në jetë. Namazi mbjellë qetësi shpirtërore, sjell lumturi dhe e mbush zemrën me frikërespekt ndaj Allahut të Madhërishëm.
Përpos kësaj, në Kur’an vazhdimisht përsëritet urdhri për faljen e namazit. Urdhri tregon për obligueshmërinë e të urdhëruarës. Allahu në mënyrë të qartë ka urdhëruar të falet namazi në kohët e tyre, me të gjitha parakushtet dhe kushtet e saj, ka urdhëruar kryerjen e suneteve dhe rregullat e saj të ligjësuara si të pëlqyeshme:
Ajetet 238 dhe 239:
Vazhdoni rregullisht namazet (faljet), e edhe atë namazin e mesëm, dhe ndaj Allahut të jeni respektues (në namaze). (238) E nëse keni frikë (nga armiku), atëherë faluni duke ecur ose duke kalëruar, por kur të jeni të siguruar, përkujtoni (me namaz) Allahun ashtu si u mësoi Ai për atë që ju nuk dinit. (239)
Sipas mendimit të shumicës së dijetarëve, namazi i mesëm është namazi i ikindisë, kjo për shkak se qëndron në mes të dy namazeve para saj dhe dy namazeve pas saj dhe në kohën e angazhimit të njerëzve në fund të ditës për të përfunduar punët dhe detyrat e tyre. I dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Namazi i mesëm është namazi i ikindisë”.
Janë shpeshtuar transmetimet e hadithit të Muhamedit a.s. se në ditën e betejës së hendekut ka thënë: “Nëse e neglizhon namazin e mesëm, i cili namaz është namazi i ikindisë, Allahu i mbush shtëpitë e tyre dhe varret e tyre me zjarr.”
Përkushtimi në namaz “dhe faluni të përkushtuar” ka për qëllim: qëndrimi i plotë në ruku dhe sexhde, përulmënia, përqendrimi i shikimit, përqendrimi i pjesëve të trupit, mendimi dhe qëndrimi i drejtë para Allahut të Madhërishëm.
Ajeti i lartpërmendur tregon për vlerën dhe rëndësinë e namazit dhe se askush nuk ka arsye për mosfalje të namazit, pa marrë parasysh a është i vendit apo musafir, i sëmurë apo i shëndoshë, pa marrë parasysh a i rrezikohet jeta apo pasuria. Falësi mund të falet duke ecur apo hipur në mjet transportues, në të gjitha mënyrat, vetëm e vetëm për të respektuar kohën e namazit.
Kur të kaloje frika, atëherë besimtarët e përmendin Allahun në namaz dhe e falënderojnë atë, ashtu siç ua ka mësuar atë që nuk e kanë ditur për formën e namazit gjatë kohës së sigurisë dhe të pasigurisë, në rastet kur dominon siguria dhe qetësia.
Allahu ka urdhëruar qëndrimin në këmbë në namaz, me përulje, qetësi dhe devotshmëri dhe me organet e trupit të qeta.
Në raste të rrezikut dhe frikës, siç është në fushëbetejë të luftës, Allahu ka paraparë masë lehtësuese në faljen e namazit, ashtu që lejohet të falet në këmbë ose mbi kalë ose mbi deve ose në forma tjera të ngjashme, ka paraparë masën lehtësuese të faljes me simbole, me shenja, me lëvizje të kokës, ashtu siç i konvenon dhe i përshtatet njeriut.
Pastaj ka përmendur ligjin për testamentim për gruan në kohën e idetit dhe kompensimin (mut’atun) për të shkurorëzuarën kur thotë:
Ajetet 240-242:
Ata që vdesin nga mesi i juaj dhe lënë pas vete gra, le të testamentojnë (lënë porosi) për gratë e tyre, furnizimin për një vjet, duke mos i nxjerrë prej shtëpisë. E nëse (me dëshirën e vet) dalin, nuk është mëkat për ju për atë punë të lejueshme që bëjnë ato me vetveten. Allahu është më i fuqishmi, më i dituri. (240) Për të devotshmit është obligim që edhe për gratë e lëshuara të bëjnë një furnizim të zakonshëm. (241) Kështu, që t’i kuptoni, Allahu ua shpjegon argumentet e veta. (242)
Atyre, të cilët janë në shtratin e vdekjes dhe lënë pas vdekjes gratë e tyre, le të lënë testament për gratë e tyre, ashtu që ata të jenë të siguruara me furnizim dhe me banim një vit të plotë dhe të mos dëbohen nga shtëpitë e burrave të tyre. Nëse largohen me dëshirën e tyre pa skaduar një vit kalendarik, atëherë nuk është mëkat për kujdestarin e familjes dhe të tjerët nëse ato (gratë) veprojnë në atë mënyrë që të mbajnë zi, duke iu përmbajtur rregullave ligjore.
Kjo tregon se gratë në idetin e tyre kanë të drejtë të zgjedhin ku të qëndrojnë brenda vitit.
Allahu është i Fuqishëm dhe Triumfues.
Allahu është i Urtë në rregullimin e çështjeve në interes të krijesave të Tij.
Ky ligj është shfuqizuar me ajetet e trashëgimisë dhe në ligjësimin e idetit të paraparë në katër muaj e dhjetë ditë.
Të shkurorëzuarat, në përgjithësi si ato të kontaktuara seksualisht me to apo të pakontaktuara seksualisht me to, furnizimi për to është obligativ ose i pëlqyer.
Është thënë: Qëllimi i furnizimit të gruas në kohën e idetit varet nga kushtet ekonomike të burrave të tyre. Kjo është një e drejtë ligjore e të devotshmëve.
Ibn Zejdi ka thënë: Kur ka zbritur ajeti: “Dhe le të jenë të furnizuara ato…” (El-Bekare: 236) Një njeri ka thënë: Nëse dëshiroj të bëj mirë, e veproj (e praktikoj), nëse nuk dëshiroj të bëj mirë, atëherë nuk e veproj. Për këtë arsye ka zbritur ajeti “Për të shkurorëzuarat, furnizimi i paraparë…” (El-Bekare: 241)