Jeta e popujve dhe shoqërive

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Fuqia e popujve dhe jeta fisnike e shoqërive kërkon dy çështje të rëndësishme të cilat kanë ndikim të madh në ekzistencën e tyre, e ato janë:

– Lufta në rrugë të Allahut dhe drejtësia;

– Investimi në interes të vendit dhe shoqërisë.

Nëse shoqëria dobësohet dhe nuk i përfillë këto dy çështje, atëherë i përfshinë poshtërimi dhe nënçmimi dhe sundohen nga armiqtë e tyre dhe jetojnë jetë robërie. Për ta nuk ka liri dhe fisnikëri, ata nuk mund të mbizotërojnë asgjë. Por, atëherë sundimi i takon të padrejtit, kriminelit i cili i sundon ata të poshtëruar dhe të frikësuar.

Në ato raste shoqëria faktikisht është shoqëri e të vdekurve, nga shkaku se, zhdukja e popujve ndodh prej dy shkaqeve:

E para: Jeta pa motiv, jeta me frikë dhe i nënçmuar.

E dyta: Koprracia dhe mosinvestimi në rrugë të Allahut, në shoqëri dhe për interes të përgjithshëm.

Allahu i Madhërishëm e ka paralajmëruar pejgamberin e Tij Muhamedin a.s. dhe ia ka tërhequr vërejtjen duke i treguar historinë e një populli të cilët:

– Ose kanë dalë nga shtëpitë e tyre nga frika e vdekjes,

– Ose për shkak të frikës nga armiku i tyre,

– Ose për shkak të sëmundjeve ngjitëse si kolera, e të ngjashme.

 Allahu i ka bërë që të vdesin, e pastaj i ka ngjallë, që të vërtetojnë ata vetë dhe gjeneratat pas tyre se vdekja është nga Allahu dhe nga askush tjetër. Nuk ka kuptim frika e frikacakut dhe mashtrimi i mashtruesit.

Për këtë arsye, kanë zbritur ajetet kur’anore për t’i përgatitur besimtarët e umetit të Muhamedit a.s. për të luftuar në rrugë të Allahut dhe në investimin në rrugën e Tij, ashtu që të mos jenë si popuj të vdekur, të cilët nuk kanë investuar për të mirën e përgjithshme dhe nuk e kanë përfillur rregullin e luftës, por i janë mbështetur arsyetimeve të pakuptimta duke jetuar në iluzione. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 243 dhe 245:

A nuk di për ata, të cilët nga frika prej vdekjes u larguan prej atdheut të vet, e të cilët ishin me mijëra, e Allahu atyre u tha: “Vdisni!” (ata vdiqën) Pastaj i ngjalli. Allahu është shumë bamirës për njerëz, por shumica e njerëzve nuk janë mirënjohës. (243) Luftoni për hir të Allahut, e ta dini se Allahu dëgjon, di. (244) Kush është ai që i huazon Allahut një hua të mirë, e Ai t’ia shtojë atij shumëfish Atë? Allahu shtrëngon (varfëron) dhe çliron (begaton) dhe kthimi juaj është vetëm te Ai. (245)

Ka qenë numër i madh, me mijëra. Ibn Abasi ka thënë: Kanë qenë tetëdhjetë mijë. Vërehet se, Allahu i Madhërishëm ka urdhëruar besimtarët që të luftojnë pasi që ua ka tërhequr vërejtjen që të mos frikësohen nga vdekja. Allahu është i Vetmi i Cili shkakton vdekjen. Në dorë të Tij është jeta e çdo njeriu. Patjetër duhet luftuar në rrugë të Allahut, e cila rrugë është që luftëtari të vendosë që fjala e Allahut të jetë më e larta.

Rruga e Allahut është rruga e drejtë, e barazisë dhe e vërteta, e besimit në një Zot dhe në virtytet e larta morale. Lufta kërkon përgatitjen e ushtrisë dhe profesionalizmin e saj, mbështetjen me armë të cilat janë të përshtatshme me kohën.

Investimi konsistent në këtë është i patjetërsueshëm për ekzistimin e shoqërisë.

Besimtarët e parë nuk kanë kursyer asgjë për të zbatuar këtë obligim, pra nuk kanë hezituar për të investuar për luftën dhe nuk kanë hezituar në investimin në rrugën e Allahut. Kur ka zbritur ajeti: “Kush huazon te Allahu huazim të mirë, do t’ia shumëfishon shpërblimin e atij huazimi me shpërblime të shumta.”

Sehabiju i njohur ka thënë:O i dërguar i Allahut, Allahu po kërkon borxh prej nesh?!

Pejgamberi a.s. i thotë: Po o Ebu Dahdah.

Ai i thotë: Unë po e jap borxh plantacionin me 100 mijë trungje të hurmave. Pastaj shkon te plantacioni ku në të ishte nëna e Ebu Dahdah dhe i thotë nënës së tij: Largohu prej plantacionit sepse unë e kam dhënë borxh te Zoti im.

Pejgamberi a.s. pastaj ka thënë: Sa e sa (palma të hurmave) i ka fituar (me huazimin e tij) Ebu Dahdah.

Lini një koment