Dhurata për të shkurorëzuarat – (mehri) pa kontaktuar me ta –

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Nuk ka hapësirë në jetën bashkëshortore të cilën Islami nuk e ka përfshirë.

Ka ligjësuar ligje të përpikta, pa marrë parasysh se a ka të bëjë me rastet e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë apo në raste të keqkuptimit dhe të mosrespektit të ndërsjellë. Kjo për të qenë e qëndrueshme dashuria dhe respekti mes njerëzve, për të minimizuar gjurmët e ndasive dhe armiqësive.

– Dashuria duhet të jetë e drejtë, e balancuar dhe pa mashtrime.

– Urrejtja ose hasmëria të jetë vetëm e përkohshme dhe të gjendet modeli i tolerancës dhe lehtësimeve, të mos ketë agresivitet dhe të mos ketë ndërprerje të raporteve të ndërsjella.

Në këtë ambient, në mes të dashurisë dhe ndarjes, sheriati ka ligjësuar atë që quhet “Mutëatun”, që ka kuptimin e dhuratës, të cilën ia jep burri gruas pas shkurorëzimit. Në atë kohë përcaktohej me tre dinarë ose tridhjetë dërhem, që paraqiste veshje të kompletuar (rrobat komplet). Këmisha, rrobat e brendshme, të jashtme, elementet e mbulimit të kokës, kompletin e rrobave, të gjitha këto i paguan secili në bazë të mundësive dhe gjendjes ekonomike dhe financiare, të ultë, të mesëm, ose të lartë.

Hasani, djali i Aliut r.a. ka paguar njëzetë mijë.

Sheriju, i cili ishte Kadi i njohur i tabiinëve ka paguar njëqindmijë dërhem.

Kështu pra, caktohet në bazë të marrëveshjeve të bashkëshortëve. Nëse nuk pajtohen, e përcakton kadiu (gjyqi).

“Mut’atun” është për të lehtësuar shpirtin e gruas së shkurorëzuar dhe seriozitetin e çështjes.

“Mut’atu” është e pëlqyeshme për të gjitha të shkurorëzuarat, ashtu siç është mirë ligjërisht dhe edukative. Është mirë që të praktikohet një gjë e tillë, që të shikohet perspektiva, reputacioni dhe raportet në mes njerëzve. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Për të devotshmit është obligim që edhe për gratë e lëshuara të bëjnë një furnizim të zakonshëm.” (El-Bekare: 241)

Nëse nuk është përcaktuar mehri, atëherë është obligative dhurata e quajtur “Mut’atun”.

Termi “mut’atun” e zëvendëson atë shumë që nuk është caktuar, nëse gruaja shkurorëzohet para kontaktit seksual me të.

Dijetarët janë pajtuar se gruas së cilës nuk i është caktuar mehri dhe nuk ka ndodhur kontaktimi seksual me të, nuk i takon asgjë tjetër pos çmimit të quajtur “Mut’atun”. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 236:

Nuk është mëkat për ju nëse i lëshoni gratë pa pasur kontakt (martesë) me to dhe para se t’u caktoni atyre ndonjë caktim (kurorë-nikah), po pajisni ato (me ndonjë pajisje), pasaniku sipas mundësisë së tij dhe i varfëri sipas mundësisë së tij. Një pajisje e zakonshme është obligim për bamirësit. (236)

Ky ajet ka zbritur për shkak të një ensariu (medinasi) i cili është martuar me një grua dhe nuk e kishte caktuar mehrin, pastaj e kishte shkurorëzuar para se të kontaktonte me të. Pastaj pejgamberi a.s. i thotë: “Paguaj me aq sa ke mundësi.”

Shkaku i pagesës “mut’atun” është se, pejgamberi a.s. ka ndaluar martesën në kuptimin e vetëm të përjetimit të kënaqësisë së njëhershme, të nefsit (epshit).

Ka thënë (atë të cilën e transmeton Taberiu nga Ebi Musau): “Martohuni dhe mos shkurorëzoni, sepse Allahu nuk i do ata të cilët martohen për të shkurorëzuar.”

Pejgamberi a.s. ka urdhëruar martesën për të kërkuar ndershmëri dhe mbrojtje dhe për të përfituar shpërblim prej Allahut, me qëllim që bashkëshortja të jetë shok i jetës, për këtë njerëzit e mirë besimtarë kanë menduar se shkurorëzimi është mëkat. Për këtë arsye, ka zbritur ajeti për të rregulluar (shfajësuar) shkurorëzimin para kontaktimit.

Përderisa, gruas së cilës i është përcaktuar mehri me rastin e aktit të kurorëzimit dhe e shkurorëzon para kontaktimit seksual, është obligative t’i jepet gjysma e mehrit, kjo asaj i takon në të dy rastet, vetëm nëse e shkurorëzuara dëshiron të falë dhe të heq dorë nga e drejta e saj, ose nëse kujdestari i saj heq dorë nga obligimi (i gjysmës së mehrit) dhe falë.

Falja është afër devotshmërisë.

Burri dhe gruaja duhet të sillen mirë me njëri-tjetrin. Ata e nderojnë njëri-tjetrin dhe nuk e harrojnë vlerën e bamirësisë dhe faljes.

Muxhahidi ka thënë: Është vlerë që të paguhet mehri në tërësi, ose që e shkurorëzuara të heq dorë edhe nga gjysma e mehrit.

Allahu i sheh veprat e njerëzve dhe secilin e shpërblen në bazë të qëllimit dhe veprës. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 237:

E nëse i lëshoni ato para se të kontaktoni, por u keni pas caktuar atyre një caktim (kurorës), atëherë duhet t’u jepni gjysmën e asaj që e keni caktuar, përveç nëse ju falin ose ju falë ai në duart e të cilit është lidhja e kurorës. E të falni (burra ose gra) është më afër devotshmërisë, e mos e harroni bamirësinë ndërmjet jush. Vërtetë, Allahu sheh atë që veproni. (237)

Lini një koment