“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Islami i pastër rregullon raportet bashkëshortore ashtu që martesa të jetë konsistente dhe që të dy palët të jetojnë të lumtur.
Islami përkujdeset për:
– Fillimin e krijimit të familjes;
– Vazhdimin e jetës familjare; dhe
– Pas ndërprerjes së jetës bashkëshortore.
Prej të drejtave më të rëndësishme është sigurimi i pasardhësve, e drejta e fëmijës pas ndërprerjes së marrëdhënieve bashkëshortore, ku gruaja ligjërisht duhet t’i përmbahet asaj që quhet IDDET.
Iddeti i së shkurorëzuarës është tre menstruacione;
Iddeti i asaj së cilës i vdes burri është katër muaj e dhjetë ditë;
Iddeti i shtatzënës është deri sa të lind fëmija.
Kjo për të treguar begatinë e kurorëzimit dhe paraqitjen e pikëllimit të ndarjes dhe të dihet ndonjë rast i shtatzënisë, që të mos ngatërrohen pasardhësit.
Gruaja nuk duhet të fshehë asgjë nëse ndodhet diçka në mitrën e saj, nëse është apo nuk është shtatzënë, ose është në kohë të menstruacionit, nëse është e sinqertë në besim në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit. Kjo është për të mënjanuar traditën e gruas e cila ekzistonte në kohën e injorancës.
Katade thotë: Në kohën e injorancës ka qenë traditë e grave që ta fshihnin (nuk tregonin) shtatzëninë, që fëmijën t’ia atribuonin burrit tjetër. Për këtë arsye ka zbritur ajeti:
Ajeti 228:
E ato gra që janë shkurorëzuar janë të obliguara të presin tri menstruacione. Nëse ato i besojnë Allahut dhe ditës së fundit, atyre nuk u lejohet të fshehin atë që Allahu krijoi në mitrat e tyre. E burrat e tyre kanë më shumë të drejta që gjatë asaj kohe, nëse duan pajtim, t’i rikthejnë ato. Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikurse edhe përgjegjësia në bashkëshortësi, e burrave u takon një përparësi ndaj tyre. Allahu është i gjithëfuqishëm, i urtë. (228)
Koncepti i ajetit
Gjatë shkurorëzimit me të drejtë kthimi, burri ka prioritet që të kthejë gruan në shtëpinë bashkëshortore nga shkaku se ligji i urtë është që të nxitet vazhdimi i lidhjes bashkëshortore. Nuk ka çështje më të urryer te Allahu se sa shkurorëzimi, edhe pse burri e ka të lejuar ta shkurorëzojë gruan kur është e patjetërsueshme ose e nevojshme.
Gruaja duhet t’i përgjigjet kërkesës së burrit, me kusht që qëllimi i kthimit të jetë për pajtimin në mes tyre dhe për të mirën e jetës bashkëshortore.
Përderisa, nëse qëllimi është për të dëmtuar apo si hakmarrje, atëherë nuk është e drejtë dhe nuk është fetarësi që t’i shkaktohet dëm gruas së shkurorëzuar duke e mbajtur peng.
Ajeti përfundon duke sqaruar të drejtat, detyrat dhe obligimet e përbashkëta të bashkëshorteve ku Allahu i Madhërishëm thotë:
“…Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikurse edhe përgjegjësia në bashkëshortësi, e burrave u takon një përparësi ndaj tyre. Allahu është i gjithëfuqishëm, i urtë.” (El-Bekare: 228)
Gratë kanë të drejta por edhe obligime, sikurse burrat të cilët kanë të drejta dhe obligime. Kjo nga shkaku se, çdo krijesë e ka personalitetin e vet, lirinë e vet, nderin e vet, krenarinë e vet, mendimin e vet, dëshirat e veta. Obligimet e gruas përshtaten me natyrshmërinë e saj. Ajo përkujdeset për çështjet shtëpiake, ndërsa burri punon për të shpenzuar për çështjet e familjes. Kështu ka gjykuar pejgamberi a.s. në mes të Aliut dhe Fatimes r.a., ku e ka paraparë që Fatimeja të rregullojë shtëpinë siç e sheh ajo, ndërsa Aliu të punojë dhe të angazhohet jashtë shtëpisë për të furnizuar familjen.
Në këtë rregull nuk ka diçka që e nënçmon femrën apo i zvogëlohet çështja e saj, ose për të kritikuar diturinë dhe logjikën e saj, por është ndarje e detyrave ashtu siç ka vepruar pejgamberi a.s. Është në harmoni me natyrshmërinë dhe fuqinë e partnerëve, të burrit dhe gruas, bile me këtë islami ka dashur të mbrojë dhe të sigurojë nderin e gruas që të mos ballafaqohet me të keqe dhe nënçmim. Shkalla shtesë e burrit është shkalla e përgjegjësisë. Përgjegjësia nuk nënkupton se, është më i ngritur, më i lartë dhe më dominues, por obligueshmëri për përkujdesje dhe marrje përsipër sigurimin e shpenzimeve të familjes. Këto detyra janë më adekuate për burrat se sa për gratë. Allahu i Madhërishëm thotë:
“Burrat janë përgjegjës për gratë, ngase Allahu ka graduar disa mbi disa të tjerët dhe ngase ata kanë shpenzuar nga pasuria e tyre. Prandaj, me atë që Allahu i bëri të ruajtura, gratë e mira janë respektuese, janë besnike ndaj të fshehtës. E ato që keni drojë kryelartësisë së tyre, këshilloni, madje largohuni nga shtrati (e më në fund), edhe rrihni (lehtë, nëse nuk ndikojnë këshillat as largimi), e nëse ju respektojnë, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre. Allahu është më i larti, më i madhi.” (En-Nisa: 34)