“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Një prej specifikave të ligjësimit Islamik në fazën e parë të tij ka qenë ligjësimi gradual, i cili ka ndodhur në bazë të parimit të edukimit. Ligjësim cili i shëron çështjet hap pas hapi. Kjo ka qenë parapërgatitje për të pranuar ligjet dhe transformimin gradual, nga e lehta në të mesmen dhe nga e mesmja në më të vështirën, por të sigurtën dhe të plotën. Kështu ka ndodhur mënyra e ndalimit të alkoolit.
Alkooli është ndaluar në Medine. Në Medine alkooli prodhohej prej mjalti, prej rrushit, prej hurmës, prej grurit dhe prej elbit. Allahu i ka zbritur katër ajete në mënyrë graduale, ashtu që në fund ta pranojnë ligjin definitiv.
Ajeti i parë fillon me paraqitjen e alkoolit si dukuri(fenomen), ku Allahu i Madhërishëm thotë:
“Edhe nga frutat e hurmës dhe të rrushit nxirrni prej tyre pije (lëngje) dhe ushqim të mirë. S’ka dyshim se edhe në këtë ka fakte (mbi fuqinë e Zotit) për njerëzit që kanë menduar.” (En-Nahl: 67)
Konsumimi i rrushit dhe i hurmës në mënyrën e freskët është cilësuar si e mirë dhe nuk është cilësuar si dehëse, gjë që tregon dallimin në mes tyre. Pastaj Umer bin el-Hatabi, Muadh bin Xhebeli dhe një grup prej ensarëve (Medinasve) shkojnë te i dërguari i Allahut a.s. dhe i thonë: Jemi sprovuar me alkool dhe bixhoz, sepse këto dy elemente po na e shkatërrojnë mendjen dhe pasurinë. Për këtë arsye Allahu i Madhërishëm e zbriti ajetin:
Ajeti 219:
Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: “Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to (të pakta) për njerëz, por dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre. Të pyesin ty edhe se ç’do të japin. Thuaj: “Tepricën!” Kështu ua sqaron Allahu juve argumentet ashtu që të mendoni (çka është mirë e çka është keq). (219)
Vërehet se e keqja prej alkoolit është te humbja e vetëdijes, ofshamat, sharjet, ofendimet ndaj tjerëve, e cila ndikon në humbjen e nderit dhe respektit.
Qëllimi me termin dobi: Përfitimi material dhe fitimi tregtar. Kur Allahu ka paralajmëruar se e keqja është më e madhe se sa përfitimi material ose dëfrimi, e cila kthehet në dënim për në botën tjetër, kjo tregon parapërgatitjen apo përgatitjen e ndalesës së saj.
Pastaj Allahu i ndalon falësit e namazit që të falen deri sa ata janë të dehur sepse ata nuk dinë se çka thonë. Allahu i Madhërishëm thotë:
“O ju që besuat, mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, derisa të dini se ç’flitni, e as duke qenë xhunubë (të papastër) derisa të laheni, përpos kur jeni udhëtarë. Nëse jeni të sëmurë, jeni në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen nga ultësira (nevojtorja), ose keni takuar gratë, e nuk gjeni ujë, atëherë mësyjeni dheun dhe fërkoni me duart (tejemum). Allahu shlyen e falë mëkatet.” (En-Nisa: 43)
Pastaj Allahu ka zbritur ajetin e ndalimit të alkoolit në mënyrë kategorike duke sqaruar shkaqet e ndalesës. Allahu i Madhërishëm thotë:
“O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. (90) Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedh armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotit dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)?” (El-Maide: 90,91)
Urdhri për t’u larguar nga alkooli dhe bixhozi tregon për ndalesën por edhe më shumë se ndalesa, e ajo është urrejtja për t’u afruar te ato (dukuri) dhe largimi prej tyre sa më larg. Nga shkaku se, konsumimi i alkoolit humb pasurinë, dëmton mendjen, shkatërron shëndetin. Siç e kanë vërtetuar mjekët, shkakton dëm të madh në të gjitha organet e tretjes, shtoja kësaj dëmet morale, aq sa alkoolisti bëhet objekt i talljes, nënçmimit, nga fjalët e tij të pakontrolluara, për shkak të humbjes së vetëdijes dhe ngatërrimit të fjalëve dhe humbjes së ekuilibrit fizik. Për këtë arsye, Allahu ka ndaluar konsumimin e alkoolit, heroinës, hashashit, afionit, nga shkaku se, shkaktojnë dëme të pariparueshme. Pejgamberi a.s. ka thënë:
“Konsumuesi i alkoolit është adhurues i idhujve.”,
“Alkooli është nëna e të këqijave dhe mëkateve të mëdha.”
“Çdo pije dehëse është alkool dhe secila pije dehëse është e ndaluar.”
“Çka dehë me shumicë edhe nëse konsumohet pak është e ndaluar.”
“Allahu e ka mallkuar alkoolistin, dhe së bashku me të edhe dhjetë persona (që ndërlidhen me të): blerësin dhe shitësin dhe stërshitësin, prodhuesin dhe blerësin e atij prodhimi, shërbyesin, pirësin, transportuesin dhe për të transportuarin dhe përfituesin prej saj”.
Këto mëkate janë të shumta. Çdo kush i cili ndihmon në konsumimin e alkoolit, ligji për të dhe mëkati për të është i njëjtë me konsumuesin. Kjo sqaron dëmet personale, shoqërore dhe materiale të alkoolit. Në konsumimin e tij dëmtohet individi dhe shoqëria. Në tregtinë e tij bëhet shpenzimi material pa pasur dobi.