Ligjësimi i luftës dhe shpërblimi për të

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Kur’ani fisnik ka sqaruar se, lufta në rrugë të Allahut edhe pse është e urryer nga ndjenja njerëzore, në të ka dobi të shumtë për shoqërinë (umetin) sepse në të lartësohet fjala e Allahut dhe islami dhe bëhet largimi i të padrejtës për të ndriçuar barazia, e vërteta dhe e drejta. Është rruga për largimin e agresorëve dhe kthimin e pronave të uzurpuara. Ndoshta njeriu e do një send, mirëpo në esencë ajo është e keqe e mëvonshme dhe ndoshta njeriu e urren një send, ndërsa në realitet në të ka të mira të shumta. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 216:

Juve u është bërë obligim kitali (xhihadi), ndonëse ju e urreni atë. Por mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju. Allahu di, e ju nuk dini. (216)

Pastaj Kur’ani fisnik sqaron se, prishja e memorandumeve për të mos luftuar në muajt e shenjtë është më e lehtë në krahasim me pengimin e njerëzve nga feja e tyre. Muajt e shenjtë janë: Dhul Kade, Dhul Hixhe, Muharrem dhe Rexheb.

Prishja e “memorandumeve për të mos luftuar në muajt e shenjtë” është më e lehtë:

– Në krahasim me pengimin e njerëzve nga rruga e Allahut dhe feja islame.

– Në krahasim me vrasjen e muslimanëve.

– Në krahasim me uzurpimin e pronave, marrjen e pasurisë së tyre dhe dëbimin e tyre.

– Në krahasim me pengimin që të mos shkojnë në Qabe për të kryer haxhin ose umren.

Të dëbuarit kanë qenë pejgamberi a.s. dhe shokët e tij.

Të gjitha krimet e lartpërmendura të cilat i kanë kryer idhujtarët janë mëkate më të mëdha dhe krime më të mëdha para Allahut, se sa lufta në muajt e shenjtë. Allahu i Madhërishëm ka thënë:

Ajeti 217:

Të pyesin për luftën në muajin e shenjtë, thuaj: “Lufta në të është e madhe (mëkat i madh), por pengimi nga rruga e Allahut, mosbesimi ndaj Tij, pengimi nga xhamia e shenjtë (Qabja) dhe dëbimi i banorëve të saj nga ajo, janë mëkate edhe më të mëdha te Allahu. E fitneja është edhe më e madhe se mbytja. Ata do t’u luftojnë juve vazhdimisht për t’ju zmbrapsur, nëse munden, nga feja juaj. E kush zmbrapset prej jush nga feja e tij dhe vdes si pabesimtar, ata i kanë zhdukur veprat e veta në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Të tillët janë banorë të zjarrit dhe në të do të qëndrojnë përjetshëm. (217)

Shkaku i zbritjes së këtij ajeti

Shkakun e zbritjes së këtij ajeti e ka sqaruar Zeheriju ku thotë: I dërguari i Allahut e ka dërguar Abdullah bin Xhahshin dhe një pjesë të muhaxhirëve (mekasve) në një ekspeditë. Në ditën e fundit të muajit rexheb Abdullah bin Vakid el-Lejthiju e vret Amr bin el-Hadremijun dhe i zë rob dy njerëz që ishin duke ecur me deve. Atëherë pejgamberi a.s. u thotë: Nuk ju kam urdhëruar të luftoni në muajt e shenjtë. Kurejshët kishin propaganduar duke thënë se, Muhamedi ka luftuar në muajt e shenjtë, andaj për këtë arsye ka zbritur ky ajet:

“Të pyesin për muajt e shenjtë dhe luftën në këta muaj. Thuaj: Lufta në të (këto muaj) është çështje serioze…” deri te pjesa e ajetit “Fitneja është më e madhe (më serioze) se lufta.” Që të kuptohet se, ata ju kanë luftuar pasi që keni besuar në shtëpinë e Allahut, në Qabe dhe kjo është më serioze dhe më e madhe se lufta me ta në muajt e shenjtë, përderisa edhe e mohojnë Allahun.

Pastaj, Kur’ani famëlartë sqaron shpërblimin e luftëtarëve në rrugë të Allahut, ngjashëm me Abdullah bin Xhahshin dhe shokëve të tij në ngjarjen e lartpërmendur. Këta kanë besuar në Allahun dhe në të dërguarin e Tij. Janë ndarë nga familja dhe vendi i tyre për të ngritur fjalën e Allahut dhe për të ndihmuar fenë e tij dhe për të ndihmuar të vërtetën dhe të drejtën. Iu kanë bashkëngjitur pejgamberit dhe kanë luftuar luftë të drejtë. Këta kanë grada të larta tek Allahu. Allahu i gradon dhe i shpërblen me shpërblimet më të mira. I falë mëkatet e tyre dhe i mëshiron me mirësinë dhe begatitë e Tij. Ai është Falës, Mëshirues. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 218:

Ata të cilët besuan, ata që u shpërngulën dhe luftuan në rrugën e Allahut, ata meritojnë të shpresojnë në mëshirën e Tij. Allahu falë shumë dhe është mëshirues. (218)

Lini një koment