Zbatimi i të gjitha ligjeve

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Islami dhe ligjet e tij janë fe e Allahut. Ligjet e tij nuk mund të zbatohen selektivisht dhe nuk mund të përzihen (të bëhen miks) me ligjet tjera. Nga baza e tij është një mbrojtje nga devijimi, humbje e sherrit dhe të keqes. Është mburojë nga çdo dëm dhe rrezik. Muslimani i vërtetë i pason të gjitha ligjet e fesë dhe zbaton çdo ligj të Allahut në Kur’anin fisnik. E lejon të lejuarën dhe e ndalon të ndaluarën.

Për këtë arsye, Allahu i ka urdhëruar muslimanët – dhe të tjerët – që t’i dorëzohen Allahut të Madhërishëm dhe ta dëgjojnë atë haptazi dhe fshehtazi dhe që të gjithë të hyjnë në islam dhe të mos e përziejnë me diçka tjetër. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 208:

O ju që besuat, hyni në islamizmin e tërësishëm (përqafoni fenë islame në tërësi), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armik i juaji i hapët. (208)

Termi “silm” në ajet ka për qëllim islamin.

Ai i cili e beson islamin fe, ai vepron dhe i zbaton të gjitha ligjet dhe nënligjet e tij.

Nuk ka besuar ai i cili vepron me disa ligje si f.v., namazi, agjërimi, etj., dhe nuk i zbaton tjerat si f.v. zekatin, luftën në rrugë të Allahut, zbatimin e ligjeve të Allahut dhe duke mos u larguar nga të gjitha ndalesat, si ndalimi nga alkooli, korrupsioni, prostitucioni, kriminaliteti.

Ibn Abasi ka thënë:

“Ky ajet ka zbritur për Abdullah bin Selamin dhe shokët e tij.” Kjo nga shkaku se, ata edhe pse e kanë besuar Muhamedin a.s. si pejgamber, kanë besuar në ligjet e sheriatit dhe në ligjet e Musait, ata prapë e festonin ditën e shtunë dhe e urrenin mishin e devesë dhe qumështin e saj, edhe pasi që e kishin pranuar islamin. Këto veprime nuk u pëlqenin muslimanëve dhe andaj u thonë: Ne u përmbahemi në këtë dhe këtë. Ata i thonë pejgamberit a.s..: Tevrati është libër i Allahut. Na lejo ta zbatojmë atë. Atëherë ka zbritur ajeti:

“O ju që besuat, hyni në islamizmin e tërësishëm (Përqafoni fenë islame në tërësi), e mos ndiqni rrugën e djallit, sepse ai është armik i juaji i hapët.” (El-Bekare: 208)

Pastaj, në ajetin tjetër ua tërheq vërejtjen se mund t’u hakmerret veprimi nëse nuk anojnë në të drejtën dhe nëse largohen nga islami, pasi që atyre u janë ofruar ajete të qarta dhe argumente të qarta, atëherë çka presin tjetër ata të cilët largohen nga ligjet e Allahut dhe të cilët devijojnë nga urdhrat e Allahut, pos që të ju ndodh ndëshkim prej Allahut dhe t’u shkojnë melekët për të realizuar çka ka përcaktuar dhe çka ka dashur Allahu.

Pastaj Allahu tregon se si bijtë e Israilit nuk i kanë zbatuar ajetet të cilat i kanë ofruar pejgamberët fisnik të mëparshëm, posaçërisht të Musaut dhe të Isaut, po ashtu u tregon se nuk besojnë në sheriatin islam edhe pse iu është dëshmuar me fakte dhe mrekulli të cilat vërtetojnë pejgamberinë e Muhamedit a.s.

 Çdo njeri i cili deformon begatitë e Allahut, të cilat orientojnë në udhëzim dhe të mirën dhe i keqpërdor, me fjalë tjera i përdor për mëkate dhe devijim nga rruga e drejtë, le të përgatitet për ndëshkim të ashpër prej Allahut.

Ajetet e Kur’anit fisnik tregojnë se shkak i moszbatimit të ligjeve fetare është lakmia për këtë botë dhe dashuria e kësaj bote, dëshira që të jenë të mirë para syve të pabesimtarëve dhe për t’i nënçmuar dhe për t’u tallur me besimtarët, edhe pse në ditën e kijametit besimtarët do të jenë më të vlefshëm se pabesimtarët dhe në pozita më të larta të xhenetit, ata do të jenë më të vlefshëm se pabesimtarët dhe në pozita më të larta se pabesimtarët. Pra ata do të jenë në pozitat më të larta, ndërsa pabesimtarët do të jenë në pozitat më të ulëta.

Kur’ani tregon se rizku nuk është peshojë e besimit dhe pabesimit, por Allahu e furnizon cilin do edhe poqese është pabesimtar mëkatar.

Po ashtu Allahu ia ngushton rizkun (furnizimin) cilit do, edhe nëse është besimtar. Kjo nga shkaku se, te Allahu kjo botë peshon sa krahu i mizës. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 209-212:

E nëse devijoni pasi u kanë ardhur argumentet e qarta, ta dini pra se Allahu është i plotfuqishëm, i vetëdijshëm. (209) Ata nuk janë duke pritur tjetër, por vetëm t’u vijë Allahu (urdhri i Allahut në ditën e gjykimit) nën hije të reve, (t’u vijnë) engjëjt dhe çështja të jetë e kryer (kush për Xhenet e kush për Xhehenem). Vetëm te Allahu është fundi i të gjitha çështjeve. (210) Pyeti bijtë e Israilit, se sa argumente të qarta u kemi dhënë atyre (dhe nuk besuan). E kush e ndërron të mirën e Allahut pasi që t’i ketë ardhur ajo, s’ka dyshim se ndëshkimi i Allahut është i ashpër. (211) Atyre që nuk besuan, u është bërë e hijshme jeta e kësaj bote dhe bëjnë tallje me ata që besuan. Po ata që u ruajtën (besimtarët) në ditën e kijametit. Allahu i jep (shpërblim) pa masë atij që e do. (212)

Lini një koment