Rregullat e luftës

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Kur’ani fisnik me gjashtë ajete na ka mësuar rregullat e luftës në rrugë të Allahut, për t’i kuptuar shkaqet e ligjësimit të luftës, qëllimin e luftës, rregullat e luftës dhe kohën kur duhet luftuar.

Rregulli i parë i luftës: Luftën në rrugë të Allahut ligji e lejon me arsyetimin për të larguar armikun (në mbrojtje) dhe për të mbrojtur ftesën islame, lirinë e fesë dhe shpërndarjen e saj në botë. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 190:

Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën). (190)

Ajeti në fjalë ka zbritur atëherë kur idhujtarët ia kanë ndaluar të dërguarit të Allahut dhe shokëve të tij të shkonin në Qabe. Kjo në vitin e gjashtë të hixhretit. Pastaj e kanë lidhë marrëveshjen e Hudejbijes, e cila nënkuptonte që atë vit të kthehej prapa nga kishte ardhur, ndërsa në vitin tjetër të vinte në Qabe por me kushtin që të mos qëndronte në Meke më shumë se tri ditë. Gjatë qëndrimit të asaj periode tri ditëshe kishte drejtë të bënte tavaf Qaben dhe çka të dëshironte. Muslimanët kishin frikën se kurejshët nuk do ta zbatonin marrëveshjen dhe do t’i ndalonin të shkonin në Qabe dhe atëherë do të duhej të luftonin në muajt e ndaluar të luftës. Për këtë arsye Allahu ka zbritur ajetin:

Ajeti 190:

Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën). (190)

Rregulli i dytë i luftës: Nëse armiku sulmon, lufta lejohet në çdo vend. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 191:

Dhe luftoni ata kudo që t’i zini, dëboni prej vendit ata sikurse ju përzunë ata juve. Fitneja është më e rëndë se vrasja. Mos i luftoni ata pranë xhamisë së shenjtë (Mesxhidul-Haram) deri që ata t’ju luftojnë juve aty, e nëse ju sulmojnë, atëherë sulmoni edhe ju ata. I këtillë është ndëshkimi ndaj pabesimtarëve. (191)

Ajeti nënkupton: Luftoni nëse i takoni dhe ballafaqoheni në çfarëdo situate dhe dëboni nga Mekeja ashtu siç ju kanë dëbuar. Përjetimi i sprovës së muslimanëve në Qabe dhe ndalesa në fenë e tyre duke i nënçmuar, duke i poshtëruar, duke i torturuar, duke ua marrë pasurinë dhe duke i dëbuar nga vendlindja (atdheu), ashtu sikurse veprojnë sionistët me palestinezët është më e keqe se lufta në muajt e ndaluar, nga shkaku se, poshtërimi dhe largimi nga besimi është çështje më serioze dhe më e rrezikshme.

Rregulli i tretë i luftës: Muslimanët nuk duhet të fillojnë luftë ndaj të tjerëve në Qabe (Meke), deri sa mos të fillojnë armiqtë. Nëse armiku i sulmon ata (në Qabe), lejohet kundërsulmi dhe largimi i armikut, derisa armiku ta ndërpret sulmin. Kjo nga shkaku se e keqja duhet larguar, ndërsa fillestari(iniciatori) është i padrejtë. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajetet 191 dhe 192:

Dhe luftoni ata kudo që t’i zini, dëboni prej vendit ata sikurse ju përzunë ata juve. Fitneja është më e rëndë se vrasja. Mos i luftoni ata pranë xhamisë së shenjtë (Mesxhidul-Haram) deri sa ata t’ju luftojnë juve aty, e nëse ju sulmojnë, atëherë sulmoni edhe ju ata. I këtillë është ndëshkimi ndaj pabesimtarëve. (191) Dhe nëse heqin dorë, pra Allahu është Mëkatfalësi, Mëshiruesi. (192)

Rregulli i katërt: Në islam, qëllimi i ligjësimit për luftë bazohet në dy çështje:

– Pengimin e fitnes (trazirës) në fe dhe sigurimin e lirisë së fesë,

– Vendosjen e paqes dhe të qetësisë dhe të sigurisë.

Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 193:

Vritni ata derisa të zhduket fitneja dhe të aplikohet feja vetëm për Allahun. E në qoftë se ndalen (nga propaganda dhe lufta), atëherë lëreni armiqësinë, përveç atyre që janë zullumqarë. (193)

Rregulli i pestë: Lejimi i luftës në muajt e ndaluar të luftës, pra në muajin “Dhil Kade”, nëse është në pyetje hakmarrja dhe të vepruarit proporcionalisht. Kjo nga shkaku se, idhujtarët e kishin prishur marrëveshjen e luftimit në muajt e ndaluar, me fjalë tjera, i kanë kthyer muslimanët mbrapa dhe nuk i kanë lejuar ta kryejnë umren në ditën e Hudejbijes, u është thënë atyre ta kryejnë umren me vonesë dhe se është e urryer lufta në muajt e ndaluar të luftës:

– Muajt e luftës janë muaj të luftës.

– Prishja e marrëveshjes është prishje e marrëveshjes.

– Kush i respekton, i respektojmë.

– Lufta në këtë vit, sikurse lufta e idhujtarëve në vitin e kaluar.

– Është obligative hakmarrja në mënyrë proporcionale dhe duhet vepruar në mënyrë reciproke.

Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 194:

Muaji i shenjtë (i sivjetit) është për muajin e shenjtë (të vjetit), e shenjtëritë (shkelja e tyre) janë masë ndëshkuese. Pra, kush ju sulmon juve, kthejuani sulmin atij edhe ju po në atë masë dhe kini frikë nga Allahu e ta dini se Allahu është me të devotshmit. (194)

Rregulli i gjashtë dhe i fundit: Lufta në rrugë të Allahut kërkon sakrificë të jetëve dhe shpenzim të pasurisë. Sikurse çështjet tjera edhe lufta mbështetet në mjete materiale. Duhet shpenzuar në rrugën e Tij. Kjo nga shkaku se shpenzimi në luftë është mjet i fitores dhe i triumfit. Ndërprerja e shpenzimit e dobëson dhe e shkatërron shoqërinë dhe umetin. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 195:

Dhe jepni për një rrugë të Allahut e mos hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të vërtetë Allahu i do bamirësit. (195)

Lini një koment