Rezultati i durimit të atyre të cilët thërrasin në rrugën e Allahut

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Pejgamberi a.s. dhe shokët e tij besimtarë janë ballafaquar me lloje të ndryshme të torturave, dënimeve dhe dëbimeve, mirëpo ata kanë duruar, janë lodhur dhe janë përpjekur deri sa kanë fituar dhe kanë triumfuar, derisa i kanë realizuar shpresat e tyre sublime. Duke sqaruar këtë qëndrim meritor dhe fisnik të të dërguarit dhe shokëve të tij Allahu i Madhërishëm ka thënë:

Ajeti 214:

Po ju menduat se do të hyni në Xhenet, pa u provuar edhe ju me shembullin e atyre që ishin para jush, të cilët i patën goditur skamjet e vuajtjet dhe qenë tronditur, sa që i dërguari thoshte, e me të edhe ata që kishin besuar: “Kur do të jetë ndihma e Allahut?” Ja (u erdhi ndihma) vërtetë ndihma e Allahut është afër!”

Për zbritjen e këtij ajeti dijetarët kanë përmendur dy shkaqe:

Shkaku i parë

Katade dhe Sidiju kanë thënë: Ka zbritur për Betejën e Hendekut, kur idhujtarët e kishin izoluar (bllokuar) pejgamberin dhe shokët e tij në Medine. Pra, ajeti ka zbritur për Betejën e Hendekut, kur muslimanët ishin në vështirësi të madhe, vështirësi të nxehtësisë dhe të ftohtit, jetën e vështirë dhe me situata të vështira siç ka thënë Allahu i Madhërishëm: “Zemrat e tyre ishin në situatë të vështirë.” (El-Ahzab: 10)

Shkaku i dytë

Atau dhe një grup i dijetarëve kanë thënë: Ajeti në fjalë ka zbritur për muhaxhirët të cilët e kishin humbur pasurinë e tyre duke e lënë në vendin e tyre, ndërsa para migrimit ishin torturuar. Kur i dërguari i Allahut dhe shokët e tij hynë në Medine, kriza kishte vazhduar, nga shkaku se nga shtëpitë e tyre kishin dalë pa të mira materiale, nga shkaku se shtëpitë e tyre dhe pasurinë e tyre e kishin marrë idhujtarët. Këtë e kishin bërë për kënaqësinë e Allahut dhe të dërguarit të Tij. Në Medine, jehudët paraqitën armiqësinë ndaj të dërguarit të Allahut. Një pjesë e të pasurve treguan hipokrizi. Për këtë arsye, për të shëruar zemrat e tyre Allahu i Madhërishëm zbriti ajetin: “A mos keni menduar se do të hyni në xhenet…”

Ky ajet i referohet të dërguarit të Allahut dhe besimtarëve duke i nxitur që të jenë të qëndrueshëm dhe të durueshëm përballë pabesimtarëve, për t’i përballuar vështirësitë dhe duke ua sqaruar rezultatin e durimit. Kjo ka qenë nga thënia e pejgamberit a.s.. me qëllim që të përshpejtohet triumfi dhe jo për shkak të dyshimit në premtimin dhe në drejtësinë e Allahut.

Koncepti i ajetit

O ju besimtarë, a mos po mendoni se do të hyni në xhenet, pa ditur për ndodhitë të cilat kanë ndodhur para jush te pejgamberët dhe te pasuesit e tyre. Ju nuk jeni ballafaquar me rreziqe dhe sprova siç janë sprovuar dhe rrezikuar ata: Ata i janë nënshtruar frikës së madhe, varfërisë së madhe, dhimbjeve të mëdha, janë ballafaquar me varfëri, me fatkeqësi, me sëmundje. Aq shumë janë tronditur nga sprovat saqë janë detyruar që këtë të ia thonë të dërguarit. Kjo sepse pejgamberi është më i dituri dhe më kompetenti në sinqeritetin dhe premtimin e Allahut dhe më i besueshmi për realizimin e fitores. Besimtarët të cilët kanë qenë të mbështetur në pejgamberët nuk kanë dyshuar, por kanë pasur dëshirë sa më shpejtë të realizohet fitorja dhe premtimi i Allahut. (Ata pyesnin se) Kur do të realizohet ndihma e Allahut për besimtarët? Durimi i tyre ishte duke u shpenzuar nga ajo me çka ishin duke u ballafaquar. Dhe përgjigja ishte: Ja pra, ndihma e Allahut së shpejti do të realizohet, me siguri do të ndodhë, por në momentin në të cilin dëshiron Allahu dhe varësisht prej urtësisë të cilin e ka paraparë Allahu.

Në renditje të formulimit të fjalisë paraprin pejgamberi për shkak të pozitës së tij, e pastaj thënia e besimtarëve. Kjo nga shkaku se, fjala shkrepet (thuhet) para ndodhisë, pra para fjalës së të dërguarit të Allahut në shqiptimin e të njëjtës fjalë.

Lini një koment