Nevoja për pejgamber dhe të dërguar

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Historia e ka vërtetuar se, njerëzit vetëm me logjikën e tyre dhe vetëm me përvojën e tyre dhe vetëm me natyrshmërinë e tyre nuk kanë mundur që t’i zgjedhin çështjet ligjore, nuk kanë mundur që t’i zgjedhin problemet dhe konfliktet në mes vete.

Po ashtu, nuk kanë arritur të realizojnë nivelin e harmonisë, qetësisë, lumturisë dhe të paqes.

Për këtë arsye, ka qenë e patjetërsueshme që drita e së vërtetës dhe e besimit t’i shpëtojë nga devijimi dhe humbja.

Kështu është dëshmuar se, udhëzimi me këshillimet e pejgamberëve dhe të dërguarve është domosdoshmëri për qenien njerëzore. Praktikisht është vërtetuar se, feja e Zotit është faktori i vetëm për lumturinë e llojit njeri.

Feja është rregullator i çështjes së jetës dhe drejtues i deformimeve njerëzore, i unifikon mendimet dhe i përmbledhë idetë dhe mendjet njerëzore, sqaron atë çka është interes faktik dhe sqaron se duhet larguar nga ajo që çrregullon, shkatërron dhe devijon. Allahu i Madhërishëm thotë:

Ajeti 213:

Njerëzit ishin një popull (të fesë së natyrshme islame) e (kur u përçanë) Allahu dërgoi pejgamberët përgëzues dhe qortues, dhe atyre Ai u zbriti edhe librin me fakte të sakta për të gjykuar në atë që u kundërshtuan vetëm ata që kishin libër (ithtarët e librit). E përpos atyre që iu kishte dhënë ai (libri) dhe u kishin ardhur argumente të qarta, nuk kundërshtoi kush në të (në librin), po edhe atë (kundërshtim e bënë), nga zilia ndërmjet tyre, mirëpo Allahu me mëshirën e Tij i udhëzoi ata që besuan te e vërteta e asaj për çka ishin kundërshtuar. Allahu e vënë në rrugë të drejtë atë që dëshiron. (213)

Koncepti i ajetit

Koncepti i ajetit është se, në fillim njerëzit kanë qenë të një mendimi dhe kanë vepruar në bazë të natyrshmërisë dhe në atë që është racionale.

Në jetën e tyre, në raportet mes vete, në çështjet ekonomike kanë vepruar instiktivisht dhe në bazë të dëshirave personale. Nuk kanë njohur dhe nuk kanë ditur se ekziston program më i mirë jetësor dhe as civilizim më i mirë dhe nuk kanë ditur për ndonjë sistem organizativ ligjor i cili i rregullon raportet ndërnjerëzore. Kjo ka ndikuar që ata të jetojnë pa brenga, pa presion, të qetë e të lumtur larg nga kundërshtimet dhe konfliktet të cilat kërcënonin ekzistencën e ndonjë grupi apo dobësim të një grupi tjetër. Kanë zbritur ligjet e Zotit nëpërmjet pejgamberëve dhe të të dërguarve të cilët i përgëzonin me mirësi dhe lumturi dhe ua tërhiqnin vërejtjen nga e keqja dhe epshi dhe nga faktorët të cilët i nxjerrin nga errësirat në dritë. Kjo nga shkaku se, nëse njerëzit i nënshtrohen mendjeve të tyre, pa qenë të udhëzuar prej Zotit, kishte mundësi që të përballeshin me konflikte, devijime, trazira dhe rreziqe. Kanë ndodhur çështje të shumta të cilat janë vepruar në bazë të apetiteve vetanake dhe interesave personale dhe jo në bazë të besimit dhe sheriatit i cili organizon sistemin shoqëror.

Së bashku me pejgamberë, prej Zotit të Madhërishëm, kanë zbritur libra të cilat vendosin drejtësinë, mëshirën dhe interesin real, me qëllim që Allahu të gjykojë në mes njerëzve për çështje për të cilat nuk pajtohen në jetën e tyre dhe në fenë e tyre. Nuk kanë ndodhur mospajtimet në fe prej dijetarëve dhe vizionarëve në librat e Allahut, përpos kur ka dominuar arroganca, urrejtja dhe lakmia e kësaj bote.

 Sa i përket besimtarëve të cilët kanë qenë të sinqertë në fenë e Allahut, të cilët kanë vepruar punë të mira dhe kanë fituar shpërblim nga udhëzimi, Zoti i tyre i ka drejtuar në të drejtën me dëshirën e Tij.

Allahu është baza e së mirës dhe udhëzon cilin do në rrugën e drejtë.

Lini një koment