“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Pasuria është rezultat i aktivitetit të njeriut, është amanet i pronarit. Njeriu nuk përfiton nga pasuria nëse nuk e fiton në mënyrë të ndershme dhe të lejuar dhe nuk e shpenzon përpos në vendin meritor ligjërisht, nga e cila pasuri përfiton individi dhe shoqëria.
Nëse njeriu shpenzon në rrugë joligjore dhe e shkapërderdh pasurinë e tij, majtas e djathtas, ai dështon dhe pendohet, e humb pasurinë dhe nuk e realizon emanetin. Ai nuk e ka dhënë të drejtën e Allahut nga pasuria e tij.
I mençuri i drejtë është ai i cili shpenzon pasurinë e tij aty ku duhet të shpenzohet: logjikisht, tradicionalisht dhe ligjërisht. E zgjedh më të mirën, i jep përparësi asaj që ka nevojë. Ata të mençur të drejtë, zakonisht pyesin për formën e shpenzimit të drejtë dhe cili ka të drejtë më së shumti të ndihmohet.
Një grup i besimtarëve e kanë pyetur pejgamberin a.s. se sa duhet shpenzuar, si duhet shpenzuar dhe ku duhet shpenzuar?
Kjo kur është në pyetje shpenzimi vullnetar ngase sa i përket zekatit, zekati është obligativ.
Njëri prej pyetësve ka qenë Amr bin Xhumuh el-Ensariju, i cili ishte në moshë të shtyrë dhe kishte shumë pasuri. Ai ka pyetur: O i dërguar i Allahut: Në çka të jap sadaka dhe cilit t’i jap sadaka? Atëherë ka zbritur ajeti fisnik në suren El-Bekare:
Ajeti 215:
Të pyesin se çdo të japin. Thuaj: “Atë që jepni për të afërmit, për bonjakët, për të varfrit, për kurbetçinjtë. E çdo të mirë që punoni, s’ka dyshim se Allahu e di. (215)
Koncepti i ajetit
Çfarëdo sasie e cila shpenzohet, qoftë e pakët, qoftë e shumtë, ajo është e drejtë e juaja dhe shpërblimi posaçërisht është për ju, por shpenzimi më me vlerë është:
– shpenzimi (dhurimi) ndaj prindërve, fëmijëve dhe bashkëshorteve sepse këta janë të afërmit më të afërt,
– pastaj te familjarët më të largët,
– pastaj më i afërti prej familjarëve të largët,
– pastaj për jetimët, për të varfrit dhe
– për udhëtarët pa mjete materiale.
Absolutisht, për çdo shpenzim që shpenzoni, Allahu do të ju shpërblejë për të sepse Allahu është i ditur për çdo gjë.
Shpenzimi për prindërit, për fëmijët, për bashkëshortet dhe për të tjerët, meriton shpërblim prej Allahut në botën tjetër edhe pse është obligim ligjor dhe tradicional për njeriun. Kjo është prej specifikave të islamit dhe vlerave të tij. Njeriu e kryen obligimin e tij, por prapëseprapë shpërblehet dhe regjistrohet në regjistrat e të mirave.
Pejgamberi a.s. ka sqaruar prioritetet e shpenzimeve dhe i ka renditur meritorët dhe në hadithin të cilin e ka regjistruar Muslimi, Muhamedi a.s.. ka thënë:
“Dinarin të cilin e ke shpenzuar në rrugën e Allahut.
Dinarin të cilin e ke shpenzuar për lirimin e një robi.
Dinarin të cilin e ke shpenzuar për të varfrin.
Dinarin të cilin e ke shpenzuar për familjen tënde.
Shpërblimi më i madh është shpenzimi të cilin e ke shpenzuar për familjen tënde.”
Transmetues të sigurt përmendin shkak tjetër të zbritjes së ajetit të lartpërmendur. Atau thotë: Ajeti ka zbritur për njeriun i cili ka shkuar te pejgamberi a.s. dhe i ka thënë:
Unë e kam një dinar.
– Shpenzoje për veten tënde.
Unë i kam dy dinar.
– Shpenzoji për familje.
Unë i kam tre dinar.
– Shpenzoje për shërbëtorët.
Unë i kam katër dinar.
– Shpenzoji për prindërit.
Unë i kam pesë dinarë.
– Shpenzoji për të afërmit.
Unë i kam gjashtë dinar.
– Shpenzoji në rrugë të Allahut dhe ky është shpërblimi më i paktë.
Hadithi tregon se shpenzimi për familjen është shpenzimi më me vlerë nga shpenzimet tjera. Shpenzimi vullnetar bëhet pas shpenzimit obligativ, e cila është ndihmë vullnetare shtesë. Kjo duke u bazuar në thënien e Zotit të Lartmadhëruar:
“…Të pyesin ty edhe se ç’do të japin. Thuaj: “Tepricën!” Kështu ua sqaron Allahu juve argumentet ashtu që të mendoni (çka është mirë e çka është keq).” (El-Bekare: 219)