“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Agjërimi është njëri prej obligimeve dhe shtyllave të islamit:
– E edukon dhe e forcon trupin dhe shpirtin njerëzor;
– E siguron konstruktin trupor (fizik);
– E zhvillon shëndetin dhe
– I forcon dëshirat.
Transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Abdullah bin Umeri r.a. i cili ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut a.s. duke thënë:
“Islami është i ndërtuar mbi bazën e pesë shtyllave:
– dëshmia se nuk ka zot tjetër pos Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij;
– Falja e namazit;
– Dhënia e zekatit;
– Haxhi në shtëpinë e Allahut, dhe
– Agjërimi i muajit ramazan.”
Sipas përcaktimit islam, agjërimi është vështrim shpirtëror dhe përgatitje e shpirtit për të qenë i devotshëm ndaj Allahut të Madhërishëm fshehtazi dhe haptazi, përgatitje dhe shkollë e durimit për t’u ballafaquar me krizat dhe vështirësitë. Për këtë arsye, është regjistruar hadithi në sunetin e pejgamberit a.s. nga Huzejme dhe Bejhekiu se: “Agjërimi është muaji i durimit, ndërsa durimi shpërblim ka xhenetin.”
Edhe pse agjërimi u është bërë obligim vetëm muslimanëve, agjërimi është adhurim i vjetër i cili është ligjësuar në ligjet e tjera nga Allahu. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 183:
O ju që besuat, agjërimi (saum) u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm. (183)
Agjërimi pastron trupin, me të fitohet kënaqësia e Zotit.
Në agjërim nuk mund të ketë vështirësi të papërballueshme dhe në të janë vetëm pak ditë të caktuara brenda një viti, me fjalë tjera një muaj. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Po t’i dinte umeti im dobitë e muajit ramazan, do të dëshironte që i tërë viti të jetë ramazan (për agjërim).”
Sa i përket agjërimit, Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 184:
(jeni të obliguar për) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë. E ata që i rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor) i një të varfëri, ai që nga vullneti jep më tepër, ajo është aq më mirë për të. Mirëpo, po që se dini, agjërimi është më i mirë për ju. (184)
Allahu ka paraparë masa lehtësuese të këtij muaji: Për të sëmurin, për udhëtarin, për shtatzënën dhe gjithënësen. Për këto kategori e ka lejuar që të agjërojnë (ditët e caktuara) me vonesë, pra pas një afati:
Ajeti 185:
(ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në të (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni. (185)
Përderisa, sa i përket atyre të cilët ndiejnë shumë vështirësi si për shkak të: pleqërisë, sëmundjes kronike, ata e shpaguajnë në formë “fidje” duke i ushqyer të varfrit (gjysmë “sa’a” të grurit te hanefijtë, ose një “sa’a” të plotë te shumica absolute e dijetarëve). Kush jep për të varfrit më shumë se sa është e përcaktuar “FIDJA” ajo është më e dobishme dhe fitohet shpërblim edhe më i madh.
Nëse kjo kategori e njerëzve agjërojnë është më mirë për ta, nëse e kuptojnë anën e mirësisë dhe natyrën e agjërimit, i cili është paraparë për dobinë e agjëruesve nëse nuk dëmtohen.
Muaji i ramazanit është specifik me vlerat dhe specifika të shumta, më e rëndësishmja është se në ramazan ka filluar zbritja e Kur’anit. Allahu i Madhërishëm ka thënë:
Ajeti 185:
(ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në të (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqaruesi i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni. (185)
Prej specifikave të muajit ramazan është se në këtë muaj është Nata e Kadrit e cila ka vlerë sa një mijë muaj. Allahu i Madhërishëm ka thënë:
“Ne e kemi zbritur në natën e Kadrit. A e di se çfarë është Nata e Kadrit. Nata e Kadrit është më me vlerë se një mijë muaj…”
Prej specifikave të ramazanit është se, Ramazani është muaj i adhurimit, pranimit të lutjeve dhe i afrimit me Allahun dhe ndjenjës së fortësisë së trupit dhe shpirtit, zhvillimit të trurit dhe heqje dorë nga materializmi dhe epshet e kësaj bote për t’i përngjarë melekëve të pastër, të cilët nuk e kundërshtojnë Allahun dhe i kryejnë urdhrat me përkushtim.
Vlerat e agjërimit nuk realizohen nëse nuk ruhet gjuha, nëse nuk përmbahen kufijtë (ligjet) e Allahut dhe nëse nuk largohemi nga ndalesat të cilat i ka ndaluar Allahu:
Ajeti 187:
Natën e agjërimit u është lejuar afrimi të gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato. Allahu e di se ju e keni mashtruar vetveten, andaj ua pranoi pendimin tuaj dhe ua fali gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar Allahu dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje. E kur jeni të izoluar (në i’tikafë) në xhamia, mos t’u afroheni atyre (për marrëdhënie intime). Këto janë dispozitat e Allahut, pra mos i kundërshtoni. Ja kështu, në këtë mënyrë Allahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta që ata të ruhen. (187)
Në transmetimet e Buhariut dhe të Muslimit i dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Çdo pronësi e ka kufirin, kufiri i ligjeve të Allahut është ndalimi nga ndalesat e Tij. Kush i afrohet pikës së greminës, ka mundësi që të bie në të.”