“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Kur’ani fisnik është mësues i njerëzimit për të gjitha rrethanat dhe për të gjitha situatat:
– Në fenë e tyre,
– Në adhurimet e tyre,
– Në veprimtaritë e tyre,
– Në besimet e tyre dhe
– Në traditat e tyre.
Kur’ani fisnik udhëzon vetëm për të mirë, tregon vetëm të mirën, ligjëson me atë që është në harmoni me logjikën e shëndoshë dhe traditat të cilat harmonizohen me qëllimin njerëzor dhe logjik dhe për atë që është e dobishme në çështje të jetës.
Arabët musliman kanë parashtruar pyetje për fazat e hënës, ndryshimet e saj, format e saj ose arsyen se pse hëna në fillim të muajit duket e hollë, pastaj në mënyrë graduale zmadhohet dhe bëhet e plotë në mes të muajit, ose cila është vlera e muajve hënor. Ata të cilët kanë parashtruar pyetje ishin Muadh bin Xhebeli dhe Thealeb bin Immete. Ata ishin prej ensarëve (medinas). Ata i thanë të dërguarit të Allahut: Çka është çështja e hënës së re, paraqitet e hollë sikurse peri, pastaj zmadhohet, pastaj fillon të zvogëlohet dhe të hollohet në anën tjetër deri sa mbetet siç ka qenë, pra, pse nuk qëndron në të njëjtën formë. Atëherë ka zbritur ajeti:
Ajeti 189:
Të pyesin ty për hënën e re (dhe fazat e saj) Thuaj: “Ato janë përcaktime të kohës për njerëzit dhe për haxh. Nuk është mirësi të hyni nga mbrapa në shtëpitë, por është mirësi kush ruhet (nga të këqijat). Në shtëpia hyni kah dyert e tyre dhe kijeni frikë Allahun që ashtu të gjeni shpëtim. (189)
Ibn Abasi ka thënë: Ajeti ka zbritur si përgjigje ndaj muslimanëve të cilët e kanë pyetur pejgamberin a.s. për hënën e re, se cila është dobia e zvogëlimit dhe e plotësimit për dallim nga forma e diellit.
Allahu i Madhërishëm është përgjigjur në pyetjen e parashtruar për të treguar dobinë e hënës dhe arsyet e fazave të saj në të cilat kalon ajo. Ato janë:
– Për të fiksuar kohën dhe për të llogaritur ditët, për të ditur kohën e shpagimit (shlyerjes) të borxheve dhe afatizimit të kontratave dhe shpërndarjen e pagave dhe të qirave.
– Për të ditur afatin e numërimit të ditëve për gratë (periodat e menstruacionit, lehonisë etj.), e të ngjashme, të cilat janë në interes të shoqërisë (robërve të Allahut).
– Po ashtu për të ditur kohën e haxhit, pra kohën dhe muajin e Haxhit.
– Për llogaritjen e vitit dhe muajt e kalendarit hënor sa më lehtë, e cila është e përshtatshme për arabët. I përcaktojnë afatet e veprimtarive të tyre, afatet e tregtisë së tyre, bujqësinë e tyre, adhurimin e tyre, siç janë agjërimi e haxhi dhe përllogaritjet e ndryshme.
Po ashtu ajeti përmban edhe mësime se cila është tradita (mënyra) më e mirë për të hyrë në shtëpi dhe për të dalë nga shtëpia, ku Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 189:
Të pyesin ty për hënën e re (dhe fazat e saj) Thuaj: “Ato janë përcaktime të kohës për njerëzit dhe për haxh. Nuk është mirësi të hyni nga mbrapa në shtëpitë, por është mirësi kush ruhet (nga të këqijat). Në shtëpia hyni kah dyert e tyre dhe kijeni frikë Allahun që ashtu të gjeni shpëtim. (189)
Shkak i zbritjes së këtij ajeti
Shkaku i zbritjes së këtij ajeti ka qenë që të bëhet ndryshimi i traditës arabe të kohës së injorancës në çështjen e hyrjes në shtëpitë e tyre pas veshjes së ihramit (rrobave) të haxhit dhe të umres. Ensarët e Medines kur përgatiteshin me ihram për haxh ose umre, nuk hynin në oborr dhe në shtëpi të tyre nga hyrja (kryesore) e derës:
– Nëse ishin nga qyteti (qytetarë) hynin nga pjesa mbrapa shtëpive, ndërsa,
– Nëse ishin nga periferia e qytetit (fshatarë) hynin nga pjesët anësore të shtëpive.
Atëherë në Kur’anin fisnik u është thënë: Kjo mënyrë nuk është e drejtë, por e drejtë është frika nga dënimi i Allahut dhe devotshmëria ndaj Tij. Pastaj Allahu i urdhëron që në shtëpitë e tyre të hynë nga dera kryesore e hyrjes dhe le t’i frikësohen Allahut në të gjitha çështjet me shpresë se do të jenë të shpëtuar.
Në mënyrën e hyrje-daljes në shtëpi, pa marrë parasysh se a janë të urbanizmit (qytetit) apo të pjesëve rurale (fshatrave) arabe, Kur’ani fisnik i ka barazuar të gjithë njerëzit.
Nuk mund të jetë Ihrami (rroba e Qabes) i haxhit apo i umres shkaktar në ndryshimin e gjendjes së rëndomtë, nga shkaku se devotshmëria ndaj Allahut qëndron në zemra dhe në shpirtra.
Përderisa devotshmëria ndaj Allahut qëndron në zemra dhe në shpirtra, atëherë forma dhe pamja nuk kanë kuptim dhe koncept sepse devotshmëria nuk qëndron në formë dhe në pamje të jashtme.
Islami e favorizon atë veprim i cili është në harmoni me logjikën dhe i mënjanohet pamjeve të pakuptimta dhe boshe. Çfarë ndërlidhje ka ihrami i haxhit me hyrjen në shtëpi nga ana mbrapa shtëpisë?!
Pse t’u lejohet kurejshëve të hynë në shtëpi nga dera e shtëpisë, ndërsa të tjerëve të mos u lejohet hyrja nga dera e shtëpisë, pra të tjerëve të mos u lejohet një gjë e tillë. Feja është një. Udhëzimi është një, para ligjeve të sheriatit njerëzit janë të barabartë.