Ligji i dënimit të hakmarrjes

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Konfliktet, përleshjet, armiqësitë janë dukuri shoqërore të vazhdueshme në mes njerëzve. Kjo, për shkak të:

– Lakmive, dëshirave për të dominuar dhe për të sunduar njëri-tjetrin,

– ose për shkak të kundërshtimeve me fjalë,

– ose për shkak të hidhërimit të tepërt dhe humbjes së kontrollit,

– ose për shkak të dëshirës për t’u hakmarrë,

– ose për ndonjë shkak tjetër, i cili nuk është në harmoni me edukatën fisnike, me vlerat e fesë ose të njerëzimit.

Morali fisnik nuk pranon nënçmim dhe armiqësim. Feja e ndalon arrogancën dhe padrejtësinë, ndalon t’i bëhet keq nderit të të tjerëve. Njeriu është vëlla i njeriut, e do apo e urren, nuk i bën padrejtësi, nuk i bën keq, nuk ia humb vlerën dhe nuk e sulmon.

Allahu i Madhërishëm ka dashur që çështjen e armiqësive dhe sulmeve të cilët ia bëjnë njerëzit njëri-tjetrit ta vendos në binarë. Për këtë arsye, ka vendosur ligjin e gjakmarrjes, e ka bërë obligative të qëndrohet në anën e së vërtetës dhe së drejtës. Në njërën anë nuk ka lejuar të tejkalohet në ndëshkim, ndërsa në anën tjetër, të mos lirohet në tërësi i keqi i akuzuar, thuaja se nuk ka bërë asgjë. Duhet barazi precize dhe e plotë në mes të krimit dhe ndëshkimit. Në asnjë rast dhe kurrsesi nuk lejohet të vritet mosvrasësi, ose të vriten shumë persona për vrasjen e një personi.

Shaëbiju thotë:

Kishte ndodhur një konflikt në mes të dy lagjeve. Njëra prej lagjeve ishte më e fortë se tjetra, për këtë arsye pjesëtarët e lagjes së fortë kishin thënë: “Për shkak të një robi të anës sonë ne do të vrasim një njeri të lirë të anës suaj, dhe për shkak të një gruaje (të anës sonë) do të vrasim një burrë të anës suaj”. Për këtë arsye ka zbritur ajeti i gjakmarrjes.

Said bin Xhabiri ka thënë:

Në kohën e injorancës, para islamit, dy lagje arabe kishin pasur konflikt dhe kishte pasur vrasje në mes tyre, derisa në shenjë hakmarrjeje kishin vrarë robër dhe gra, vrasjet nuk ishin ndalur deri sa e kishin pranuar islamin. Njëra prej dy lagjeve ishte më e fortë edhe për nga numri edhe për nga ekonomia. Këta ishin betuar se nuk do të pajtohen deri sa të mos vrasin një njeri të lirë për shkak të vrasjes së një robi të tyre dhe deri sa mos të vrasin një burrë për shkak të vrasjes së një gruaje të tyre. Për këtë ka zbritur ajeti: “I liri për të lirin, robi për robin dhe gruaja për gruan.”

Ajetet 178 dhe 179:

O ju që besuat, u është bërë obligim gjurmimi për dënim për mbytje: i liri për të lirin, robi për robin, femra për femrën. Kurse atij që i falet diçka nga vëllai i vet atëherë ajo le të përcillet (e atij që e fal) kuptueshëm dhe shpagimi (nga dorasi) atij le t’i bëhet me të mirë. Kjo është një lehtësim dhe mëshirë prej Zotit tuaj. E kush tejkalon pas këtij (pajtim), ai ka një dënim të hidhët. (178) O ju të zotët e mendjes, kjo masë e dënimit është jetë për ju, ashtu që të ruheni (nga mbytja e njëri tjetrit). (179)

Allahu i Madhërishëm, nëpërmjet këtij ajeti i ka cilësuar me cilësinë e besimit, duke ua sqaruar atyre ligjin (obligueshmërinë) e gjakmarrjes për shkak të vrasjeve. Merret hak nga vrasësi, ngjashëm me veprimin e tij duke llogaritur cilësitë: Vritet i liri për të lirin, robi për robin, gruaja për gruan, po ashtu kujdestari i të vrarit nuk duhet të tejkalojë kufirin te tjetri, siç e kishin zakon arabët të tejkalojnë kufirin dhe të vritnin personin nga komuniteti (ana) tjetër edhe pse nuk ishte vrasës dhe përgjegjës për gjakmarrje dhe ekzekutimin e dënimeve duhet ta bëjë qeveria, me kusht që të mos tejkalohen kufijtë në ndëshkim, ndërsa kujdestari i viktimës:

– ose e falë pa kurrfarë kompensimi,

– ose e falë me kërkim kompensimi (DIJE). Kjo mënyrë e faljes është e lejuar.

Nëse kujdestari (i të vrarit) ia falë një pjesë(vrasësit) dhe ia lehtëson ndëshkimin, ose ia falin një pjesë e trashëgimtarëve, atëherë shfuqizohet ndëshkimi i gjakmarrjes dhe mbetet në fuqi kompensimi (DIJA), atëherë i kërkohet vrasësit kompensimi në shumën e caktuar, pa imponim dhe pa dhunë.

 Po ashtu edhe vrasësi e kryen kompensimin e kërkuar pa bërë zhurmë dhe pa e vonuar.

Ligjësimi i gjakmarrjes me kompensim dhe falje gjaku – me të dyja – apo me njërën prej tyre është lehtësim dhe mëshirë e Allahut për ne, ndërsa kush i tejkalon këta kufij dhe vret pas faljes dhe kompensimit, ai meriton ndëshkim të dhimbshëm në zjarr të xhehenemit.

Në ligjësimin e gjakmarrjes sigurohet dhe garantohet jeta shoqërore dhe ndërpritet gjakderdhja, nëse kuptohet se nëse vritet tjetri, vritet edhe vrasësi.

Gjakmarrja pengon përhapjen e trazirave dhe padrejtësisë, gjakderdhjen e mëtutjeshme dhe njerëzit i japin fund traditës së vrasjes së pakontrolluar ose dëshirës për hakmarrje. Pengohet kriminaliteti dhe i vendoset kufiri të keqes.

Pastaj, Allahu i Madhërishëm e potencon obligueshmërinë e testamentit kur thotë:

Ajetet 180-182:

Kur ndonjërit prej jush i është afruar vdekja, nëse lë pasuri pas vete, testamenti (vasijeti) për prindërit dhe për të afërmit u është bërë juve obligim, por ashtu siç është drejtë. Për ata që janë të devotshëm kjo është detyrë që lypet kryer. (180) Kush bën ndryshimin e tij pasi që ta ketë dëgjuar (ditur) atë, mëkati për të u takon atyre që ndryshojnë. Allahu dëgjon dhe di. (181) E kush frikësohet prej testamentuesit se gabimisht po largohet nga drejtësia, ose qëllimisht do të bëjë mëkat, ai që bën pajtim ndërmjet tyre, ai nuk ka mëkat. Vërtetë Allahu shumë falë dhe shumë mëshiron. (182)

O ju besimtarë, nëse ndonjërit nga ju i paraqiten shenjat e vdekjes -për shkak të ndonjë sëmundjeje ose rreziku, e të ngjashme – dhe nëse ndonjë nga ju lë pas vete pasuri të shumtë për trashëgimtarët, atëherë i bëhet obligim të lë testament për prindërit ose për të afërmit një pjesë të asaj pasurie, testament të drejtë.

 Kush e ndryshon testamentin, duke filluar nga dëshmitari i testamentlënësit ose nga testamenti i testamentlënësit pasi që ta ketë dëgjuar, atëherë mëkati i ndryshimit bie mbi ndryshuesin, shfajësohet testamentlënësi dhe ai meriton shpërblim te Zoti i tij.

Allahu i dëgjon fjalët e ndryshuesit, i di veprimet dhe angazhimet e tyre, qëllimet e tyre.

Kush frikohet se do të ketë anim në dobi të të testamentuarit nga programi ligjor dhe bën mëkat ose me qëllim bën mëkat, mirëpo pastaj e rregullon testamentin duke e kthyer në baraspeshë dhe në shumë të caktuar ligjërisht, ai nuk do të ketë mëkat.

Allahu është falës për atë i cili e ndryshon për të niveluar dhe përmirësuar testamentin.

Ai, Allahu është i mëshirshëm.

Lini një koment