Tek Allahu i Madhërishëm duaja është lloj adhurimi, devotshmërie dhe lutjeje.
Lutësi gjithmonë ka ndjenja që të mbështetet te Zoti i Tij, t’i mbështetet fuqisë së Zotit. Të kërkojë ndihmë në detyrat dhe profesionin e tij, në sprovat e tij, t’i kërkojë të mirat e Tij dhe që të ketë sukses në kohë të mira dhe të begative. Në hadithë autentik është vërtetuar se pejgamberi a.s.. ka thënë: “Duaja është arma e besimtarit.”
Duaja është e vlefshme për t’u ndeshur me kadanë dhe kaderin e Zotit, në lehtësimin e fatkeqësive, në tejkalimin e fatkeqësive dhe të fitimit të riskut. Pejgamberi a.s.. ka thënë:
“Duaja e ndërpret kadanë.”,
“E mira e shton riskun.”,
“Robit i ndalohet risku për shkak të mëkatit të cilin e bën.”,
“Duaja bën dobi në atë që e zbret dhe atë që nuk zbret, për këtë arsye bëni dua o ju robër të Allahut.”
Duaja në drejtim të Allahut është çështje në mes të robit dhe Zotit të Tij. E dëgjon zërin e robit të Tij pa marrë parasysh numrin e duave të shumta të robërve të Tij dhe pa marrë parasysh llojllojshmërinë e gjuhëve edhe nëse janë në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin çast dhe pa marrë parasysh se lutja bëhet haptazi apo fshehtazi. Një arab shkon te pejgamberi a.s. dhe i thotë: “Zoti ynë a është afër t’i lutemi me zë të ulët apo larg që të thërrasim me zë të lartë”, atëherë për këtë shkak ka zbritur ajeti:
Ajeti 186:
E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë Mua. (186)
Shokët e kanë pyetur pejgamberin a.s.: Ku është Zoti ynë? Atëherë ka zbritur ajeti: “Nëse robërit e mi pyesin për Mua, Unë jam afër.”
Allahu është afër robërve të Tij. Ai është më afër se damari i qafës, i Di veprat e tyre, përcjell gjendjen e tyre, i përgjigjet lutësit kur i lutet me sinqeritet. Ndonjëherë i përgjigjet lutjes me vepra të sinqerta vetëm për Allah.
Transmetohet se kur ka zbritur ajeti: “Unë jam afër”, idhujtarët kanë thënë se si është e mundur të jetë afër neve kur thënia e jote është se janë shtatë qiej dhe kufiri (kupola) i një qielli është sa 500 vite dhe në mes të qiejve është po e njëjta distancë.
Atëherë ka zbritur pjesa e ajetit: “I përgjigjem lutjes së lutësit kur lutet.” Që do të thotë: Unë jam afër, përgjigjem dhe kam mundësi t’i përgjigjem nëse dua.
Kur Allahu i përgjigjet lutjes së robit të Tij, atëherë përgjigja:
– ose rezulton pozitiv në këtë jetë,
– ose i fshihen disa mëkate,
– ose e rezervon që të ketë shpërblim në botën tjetër.
Maliku e ka regjistruar në “Muvetaun” e tij, nga Zejd bin Eslemi se ka thënë: “Çdo lutës kur lutet gjendet brenda tri situatave:
– ose lutja e tij rezulton pozitivisht;
– ose i rezervohet për botën tjetër;
– ose i fshihen apo i falen mëkatet.
Kjo thënie e Zejd bin Eslemit llogaritet si dispozitë e llojit të hadithit “merfuë”. Këtë hadith merfuë e mbështet Xhabiri me tekstin e përmendur deri te pejgamberi a.s.
Lutja për të keqe (mallkim) ose për të sulmuar tjetrin është e ndaluar. Allahu i Madhërishëm thotë: “Luteni Zotin në heshtje dhe me përulësi. Vërtet Ai nuk i do ata të cilët e teprojnë.” (El-Earaf: 55)
Nëse diçka i paraprinë kaderit, atëherë ajo diçka është përgjigjja negative ndaj lutjes. Njeriu më i mirë i njerëzimit Muhamedi a.s. është lutur:
– Që të mos shkaktohet krizë në mes të umetit të tij,
– Të mos konfrontohen, të mos kenë konflikte në mes vete dhe
– Të mos ndahen në grupe,
Kjo e fundit i është refuzuar sepse kësaj çështjeje i ka paraprirë kaderi.
E kanë pyetur Abdullah bin Xhabirin bin Atikin për fisin e Muavijes, i cili ishte një fshat prej fshatrave të ensarëve: A e di për tri çështje për të cilat është pyetur i dërguari i Allahut?
Ai thotë: Është lutur që të mos triumfojë armiku kundër tyre dhe të mos shkatërrohen prej tyre. Për këtë lutje ka marrë përgjigje pozitive.
Pastaj është lutur që të mos ketë trazira në mes vete, për këtë çështje ka marrë përgjigja negative.
Atëherë Ibn Umeri i thotë: E ke thënë të vërtetën. Pastaj ka vazhduar Ibn Umeri dhe ka thënë: “Fitnet dhe trazirat nuk do të ndalen deri në ditën e gjykimit.”
Termi “Herexh” e ka kuptimin e përçarjes dhe përzierjes së gjërave.
Prej çështjeve të rëndësishme të lutjes janë: Edukata me Allahun, dorëzimi i zemrës dhe sinqeriteti në lutje, përqendrueshmëria dhe përgjigja e ftesës së Allahut ndaj robit të Tij, e cila është e ndërlidhur me përgjigjen pozitive të robit ndaj Allahut në urdhëresat dhe ndalesat e Tij.
Pastaj i Madhërishmi ka treguar se çka lejohet për agjëruesin gjatë natës dhe kufizimet gjatë ditës ku thotë:
Ajeti 187:
Natën e agjërimit u është lejuar afrimi të gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato. Allahu e di se ju e keni mashtruar vetveten, andaj ua pranoi pendimin tuaj dhe ua fali gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar Allahu dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje. E kur jeni të izoluar (në i’tikafë) në xhamia, mos t’u afroheni atyre (për marrëdhënie intime). Këto janë dispozitat e Allahut, pra mos i kundërshtoni. Ja kështu, në këtë mënyrë Allahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta që ata të ruhen. (187)
Gjatë natës së ditëve të agjërimit u lejohet kontakti seksual me bashkëshortet tuaja. Ato (gratë) janë mbulojë e juaja për të mos e vepruar të ndaluarën.
Allahu e ka ditur se ju mund ta tradhtoni veten tuaj me kontaktim seksual gjatë agjërimit, për këtë ua ka falur dhe tani e ka lejuar Allahu që t’u afroheni bashkëshorteve tuaja (gjatë natës kur nuk jeni agjërueshëm). Dhe ju mund të kërkoni atë që Allahu e ka lejuar për ju, pra kontaktimin seksual për të pasur trashëgimtarë.
Gjatë natës u lejohet ushqimi dhe pija deri sa të agojë dita e sigurt. Pastaj plotësojeni agjërimin deri në perëndimin e diellit.
Nuk u lejohet kontaktimi me bashkëshorte gjatë “iëtikafit” të qëndrimit në xhami për adhurim.
Këto dispozita të përmendura të agjërimit dhe të ”iëtikafit” janë kufij (ligje dhe dispozita) të cilat i ka caktuar Allahu, pra është e ndaluar të shpërfillen, mos i kundërshtoni.
Në këtë mënyrë të qartë Allahu sqaron ligjet fetare për njerëzit, që të jenë sa më të devotshëm ndaj Zotit të tyre dhe sa më shumë të largohen nga ndalesat.
Nga Muadh ibn Xhebeli, e ka regjistruar Ahmedi, Ebu Davudi dhe Hakemi se: Deri sa nuk shkonin për të fjetur, hanin, pinin dhe kontaktonin me gratë e tyre, kur flinin pastaj ndaloheshin nga çdo gjë, mirëpo, pastaj njëri prej ensarëve i quajtur Kajs bin Sermete e falë jacinë, pastaj e zë gjumi dhe nuk kishte ngrënë e as nuk kishte pirë, pastaj zgjohet në mëngjes dhe zgjohet i lodhur, dhe rasti tjetër ku Umeri kishte kontaktuar me gruan pasi që kishte fjetur dhe shkon te pejgamberi dhe ia tregon ngjarjen. Atëherë Allahu e ka zbritur ajetin: “U është lejuar juve gjatë natës kur keni agjëruar” deri te pjesa e ajetit “Pastaj plotësojeni agjërimin deri në mbrëmje.”