“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Allahu ka lejuar që robërit e tij – qofshin besimtarë, qofshin pabesimtarë – të konsumojnë të lejuarën e mirë e cila është e dobishme, në të cilën nuk ka dyshime dhe mëkat dhe nuk është e drejtë e tjetrit.
Në anën tjetër:
Allahu ka ndaluar pasimin e epshit dhe shejtanëve të cilët hamendësojnë në të keqe, e zbukurojnë të keqen dhe i hedhin njerëzit në mëkate dhe në devijim.
Shejtani urdhëron vetëm në të keqe.
– E keqe është çdo gjë të cilën nuk e pranon natyrshmëria dhe
– E keqe është çdo gjë të cilën nuk e pranon zemra e shëndoshë.
– E keqe është ajo që mendja në përgjithësi nuk e pranon.
– E keqe është ajo të cilën e urren Ligjvënësi.
– E keqja është prej veprave të shejtanit dhe të ushtrisë së tij.
Duhet ruajtur prej tyre dhe duhet larguar nga ajo çka është e dyshimtë se a është apo jo e mirë.
Zakonisht, shejtani urdhëron njerëzit që të thonë atë që nuk e dinë në çështje të ligjeve dhe të fesë. Duke e sqaruar këtë, Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 168 dhe 169:
O ju njerëz, hani nga ajo që është në tokë e që është e lejuar dhe e mirë, e mos shkoni hapave të djallit se ai është armik i hapët i juaji. (168) Ai ju urdhëron vetëm me të këqija e turpëri, dhe ju shtynë të thoni për Allahun atë që nuk e dini. (169)
Pastaj, në ajetet në vijim, Allahu i Madhërishëm ka treguar për lejimin e të mirave, por ka porositur të mos teprohet dhe të mos shkapërderdhet. Robërit e Tij i ka urdhëruar që ta falënderojnë Atë (Allahun) për begatitë e Tij. Ka urdhëruar që falënderimi të bëhet me sinqeritet, nëse veç e adhurojnë bindshëm. Ky është ushqim i shpirtit dhe realizimi i të mirës. Allahu i Lartmadhëruar thotë:
Ajeti 172:
O ju që besuat, hani nga të mirat që u kemi dhënë, dhe falënderoni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni. (172)
Pastaj, Kur’ani fisnik sqaron ndalimin e të këqijave dhe të dëmshmes, të cilat nuk i nevojiten trupit, por që e dëmtojnë dhe e plogështojnë, si në shëndet të trupit ose në shpirtin dhe besimin e tij. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajeti 173:
(Allahu) Ua ndaloi juve vetëm të ngordhëtën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që theret (ngrihet zëri me të) jo në emër të Allahut. E kush shtrëngohet (të hajë nga këto) duke mos tepruar, për të nuk është mëkat. Vërtetë Allahu falë, është mëshirues. (173)
Pa dyshim se, ndalesa e cofëtinës është bërë për shkak se në të gjendet gjaku i ndotur dhe i dëmshëm, e cila mund të jetë me baktere të cilat në të shumtën e rasteve shkaktojnë helmime.
Njerëzit e kuptojnë se pas konsumimit të cofëtinës dhe pas disa orëve apo një dite trupi mbushet me baktere dhe mikrobe dhe e helmon trupin.
Allahu e ka ndaluar gjakun i cili rrjedh (prej mishit), për shkak se në të ka helme, e infekton trupin dhe shkakton sëmundje nga mikrobet dhe bakteret.
Islami e ka ndaluar mishin e derrit dhe yndyrën e tij, nga shkaku se është kafshë e ndotur dhe nuk e zgjedh ushqimin, ha ndyrësira edhe po që se mbahet në vendet më të pastra dhe i transmeton parazitët në trupin e njeriut. Mjekësia dhe ligjet e vjetra, si te jehudët por edhe në ligjet e reja si në Islam, e ndalojnë mishin e derrit dhe kërkojnë largimin prej tij.
Kur’ani fisnik e ka ndaluar atë çka parashihet për zota tjerë dhe jo në emër të Allahut dhe e cila prehet pa e përmendur emrin e Allahut në çastin e prerjes. Në kohën e injorancës, idhujtarët prisnin kafshë për idhujt e tyre. Në çastin e prerjes së kafshëve e përmendnin emrin e putave si “Lat” dhe “Uza”. Kur dihet se, prerja (sakrifica) është çështje serioze dhe për madhërim, atëherë nuk lejohet të madhërohet dikush tjetër pos Allahut. E përlyen besimin e pastër.
Allahu ka ndaluar çdo gjë që sakrifikohet për dikë tjetër e jo në emër të Allahut, kjo për të siguruar dhe garantuar besimin në Allahun e Lartmadhëruar dhe për t’i larguar njerëzit nga putat dhe idhujt.
Pas kësaj, sheriati është përkujdesur që, në rast domosdoshmërie, për të ruajtur jetën njerëzore i ka lejuar që të gjitha si: cofëtinën, gjakun, alkoolin, të sakrifikuarën për zota tjerë, kur njeriu nuk mund t’i gjejë të lejuarat për t’i ngrënë dhe këtë me kusht që të mos e kërkon të ndaluarën dhe të mos e tepron, por vetëm për të mposhtur urinë. I konsumon varësisht sa është domosdoshmëria, nga shkaku se, domosdoshmëria e lejon të ndaluarën, ndërsa e ndaluara përcaktohet në bazë të domosdoshmërisë.