“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Kushtet materiale (ekonomike) janë pjesë përbërëse e jetës dhe bazë e zhvillimit të shtetit dhe shoqërisë. Me të zhvillohet umeti.
Kushtet materiale janë mjet mbështetës si në kohë lufte, ashtu edhe në kohë paqeje.
Kushtet materiale janë siguri dhe garanci për individin, ashtu edhe për shoqërinë.
Islami ka paraparë që transferimi i të mirave materiale në mes njerëzve të bëhet në mënyrë të sigurt, të jetë i drejtë dhe stabil, të mos ketë mashtrime, të mos ketë tradhti, të mos bëhet padrejtësi, të mos bëhen uzurpime dhe të mos bëhen keqpërdorime. Askush nuk ka të drejtë të marr pasurinë e tjetrit pa lejen dhe pa pëlqimin e tij. Në haxhin lamtumirës pejgamberi a.s. ka thënë:
“Gjaku i juaj, pasuria e juaj, nderi i juaj është i ndaluar për njëri-tjetrin.”
“Çdo musliman e ka të ndaluar për muslimanin tjetër: gjakun, pasurinë dhe nderin.”
“Nuk lejohet pasuria e muslimanit nga tjetri, pos nëse bëhet me mirësi dhe me të drejtë.”
“Pasuria është e qytetarit. Allahu e ka ndarë në mes njerëzve dhe nuk lejohet keqpërdorimi i tij.”
“Prej çështjeve më të rëndësishme nga të cilat indikohen gjykatat janë financat dhe ekonomia.”
Kur gjykatësi merr vendim në çështjet e të ngatërruarve, ai me vendimin e tij nuk duhet të lejojë të ndaluarën apo të ndalojë të lejuarën. E ka për obligim që të gjykojë drejtë, duke e ditur se Allahu e monitoron. Nga i akuzuari nuk duhet të merr të drejtën, pos nëse është e drejtë ligjore, e cila ligjërisht vërtetohet se është e drejtë.
Said bin Xhabiri ka thënë: “Kajs bin Abasi dhe Abdan bin Eshfea el Hadremiu ishin konfrontuar për një parcelë toke. Parcela i kërkohej Kajs bin Abasit dhe ai dëshiroi të përbetohej, ndërsa Abdani e kërkonte parcelën e tokës, atëherë Allahu i Madhërishëm e zbret ajetin:
Ajeti 188:
Dhe mos e hani pasurinë e njëri- tjetrit në mënyrë të palejuar, e as mos u paraqitni me të (me ryshfet) te gjykatësit për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve, kur ju e dini (se pa të drejtë po e hani atë). (188)
Atëherë, toka i takoi Abdanit dhe askush nuk e kontestoi, kështu ai hoqi dorë nga e drejta e tij.
Me këtë ajet, Allahu i Madhërishëm na ka ndaluar që të marrim pasurinë e njëri-tjetrit me pa të drejtë.
Po ashtu, na ka ndaluar që pasurinë ta paraqesim te qeveritarët, duke kërkuar mbështetje dhe mbrojtje për atë pasuri, me qëllim që të fitojmë të drejtën me pandershmëri.
Ajeti përfshin përvetësimin e pasurisë së të tjerëve me pa të drejtë në forma të ndryshme, si f.v., me korrupsion, me bixhoz, me tradhti, me mashtrim, me uzurpim, duke mohuar të drejtën e të tjerëve, duke mohuar amanetin, duke fituar pasuri në forma të ndaluara dhe me pije alkoolike, duke detyruar të tjerët, duke keqpërdorur, duke mashtruar, duke falsifikuar, duke i fshehur të metat e materialit dhe artikujve, duke keqpërdorur pasurinë e jetimit, duke vjedhur, me metoda korruptuese, duke pakësuar në peshojë, duke përfituar më shumë se është e drejtë, duke pakësuar të drejtën e tjerëve.
Ajeti fisnik është gjithëpërfshirës dhe përfshinë edhe individët edhe të mirat materiale. Asnjë individ nuk ka të drejtë të keqpërdorë pasurinë e tjetrit, pa marrë parasysh a është e paktë apo e shumtë.
Nuk lejohet keqpërdorimi i çfarëdo lloj veprimtarie, qoftë veprimtari materiale apo veprimtari administrative.
Gjykimet e shumta të padrejta dhe përhapja e korrupsionit është rrezik për ekonominë dhe për moralin ekonomik.
Si është e mundur që njeriu t’ia lejojë vetes që të merr pasurinë e tjetrit me metoda mashtruese dhe me korrupsion e me shpifje, kur ai e di se është e ndaluar. Ai në ato momente ushqehet me zjarr.
Gjykatësi kur të gjykojë, nuk duhet të gjykojë të ndaluarën edhe nëse mund të gjenden ‘argumente’, dëshmitarë dhe përbetime. Është e njohur rregulla e cila është vërtetuar në hadithin e pejgamberit a.s.:
“Unë jam njeri, ndërsa ju mund të jeni në konflikt, ndoshta ndonjëri nga ju mund të jetë më i mençur se tjetri për të paraqitur argumente dhe gjykoj në bazë të asaj që thuhet. Edhe nëse unë gjykoj në bazë të së drejtës së vëllait, mos e merr sepse në atë moment e merr një pjesë të zjarrit.” Kur ato dy palë të cilët ishin në konflikt e kanë dëgjuar këtë hadithë në kohën e pejgamberit a.s.. kanë qarë dhe secili prej tyre ka thënë: “E drejta ime është e tjetrit.”