Esenca e së mirës

“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1

Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli

Përktheu: Dr. Musli Vërbani

Disa gabojnë kur mendojnë se feja apo e mira janë vetëm në çështje të adhurimit dhe jo në çështje tjera. Ky mendim i tyre nuk është i saktë. E mira dhe feja janë një ndërtesë, ata e plotësojnë dhe e baraspeshojnë atë ndërtesë. Ajo ndërtesë përfshinë besimin, adhurimin, moralin dhe organizimin e raporteve shoqërore.

Allahu i Madhërishëm, në Kur’anin fisnik ka zbritur ajetin i cili i përmbledhë të gjitha bazat e së mirës.

– U është drejtuar besimtarëve se mirësi nuk është vetëm namazi.

– U është drejtuar jobesimtarëve të cilët janë kundërshtuar në mes vete në lidhje me orientimin dhe drejtimin e Kibles.

– U është drejtuar Jehudëve të cilët orientohen në perëndim dhe në drejtim të Mesxhidi Aksasë.

– U është drejtuar të krishterëve, të cilët në njërën anë drejtohen në drejtim të lindjes – lindjes së diellit – ndërsa në anën tjetër flasin për atë se pse muslimanët e kanë ndërruar drejtimin nga Mesxhidi Aksaja në drejtim të Qabesë së bekuar.

Secili tabor e vlerësonte drejtimin e vet më shumë se drejtimin e tjetrit.

Shkaku i zbritjes së ajetit në vijim

Katade thotë: Një njeri e ka pyetur pejgamberin a.s. për mirësinë? Atëherë Allahu e ka zbritur këtë ajet:

Ajeti 177:

Nuk është tërë e mira (e kufizuar) të ktheni fytyrat tuaja kah lindja ose perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, ditës së gjykimit, engjëjve, librit, lajmëtarëve dhe pasurinë që e do, ua jep të afërmve, bonjakëve, të varfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zekatin, dhe ata që kur premtojnë e zbatojnë, dhe të durueshmit në skamje, në sëmundje dhe në flakën e luftës. Të tillët janë ata të sinqertit dhe të tillët janë ata të devotshmit. (177)

Pastaj Katade ka thënë: Ai njeri i cili dëshmon se nuk ka zot tjetër pos Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, i pranon të gjitha detyrimet e lartcekura dhe pastaj vdes, ai e meriton xhenetin. Për këtë shkak ka zbritur ky ajet.

Allahu ka dëshiruar që t’u sqaroj të gjithë njerëzve se esenca e fesë nuk është vetëm orientimi në një drejtim të caktuar. Vetëm ashtu nuk arrihet e mira e dëshiruar. Por mirësia është term gjithëpërfshirës i të mirave, ndërsa për secilën vepër të dashur është çështje tjetër. Nuk është drejtimi drejtim i fytyrës në lindje dhe perëndim, por besimi në Allahun dhe në të dërguarin e Tij duke ia bashkëngjitur veprat e mira.

Kështu pra, mirësia e plotë është:

– Besimi në Allahun, në të dërguarin e Tij dhe në ditën e gjykimit, e cila është pika e ndëshkimit dhe shpërblimit.

– Besimi në melekët e Tij, ashtu që janë prej krijesave të Allahut të cilat kanë detyra të shumta, e prej atyre detyrave: zbritja e shpalljes, bartja e Arshit, zbritja e shiut, marrja e shpirtrave, madhërimi i Allahut, etj.

– Besimi në të gjithë pejgamberët. Nuk ka dallim në mes të pejgamberit prej pejgamberit.

Besimi në librat e zbritura prej Allahut si f.v. Tevrati, Zeburi, Inxhili apo Kur’ani. Ne besojmë në të gjitha librat. Nuk përkufizohemi në besimin e një pjese, e të mohojmë një pjesë tjetër. Feja, e tëra është e Allahut dhe prej Allahut.

 Paralel me besimin është e domosdoshme edhe veprimi i veprave të mira, si f.v.,:

– Falja e namazit duke plotësuar pjesët përbërëse dhe kushtet e saj, duke u falur i nënshtruar dhe me zemër.

– Dhënia e zekatit obligativ për meritorët në mënyrë precize, gjithëpërfshirës nga të gjitha llojet e pasurisë si f.v.: zekati në të holla, në bujqësi dhe në mallrat tregtare. Dhënia e pasurisë për meritorin duke e dashur atë është edhe dhënia e farefisit, jetimëve, të gjorëve, udhëtarit, të cilit i janë shpenzuar mjetet e udhëtimit, nevojtarëve, në lirimin e robërve. Ekzistojnë edhe obligime tjera materiale përpos zekatit.

– Prej niveleve më të larta të mirësisë është zbatimi i premtimeve dhe plotësimi i emaneteve.

– Prej niveleve më të larta të mirësisë është durimi në kohë të krizave dhe të vështirësive (sëmundje, fatkeqësitë në familje dhe krizat ekonomike) dhe në luftë (kur lufta është në kulmin e vështirësisë së saj).

Këta cilësohen me cilësinë e cila quhet: Të sinqertë në besimin e tyre, i frikësohen dënimit të Allahut, e fitojnë shpërblimin e xhenetit dhe kënaqësinë e Allahut.

Lini një koment