“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Kur’ani fisnik ka dashur që fisi kurejsh dhe të tjerët prej pasuesve të librit të besojnë në shpalljen e pejgamberit a.s., për këtë arsye ka kërkuar që të largohen nga pabesimi dhe mëkatet duke ua treguar vlerat e Qabes, ashtu që Allahu e ka bërë bazë për njerëzimin që në kohën e haxhit të bashkohen në të dhe pastaj të ndahen.
Allahu e ka bërë Qabën qendër të sigurimit dhe të qetësisë. Kush hyn në të, është i sigurt dhe i garantuar. I ka urdhëruar muslimanët – jo në mënyrë obligative por edukative – që vendqëndrimin e Ibrahimit ta konsiderojnë vend të posaçëm për falje dhe ta dallojnë nga vendet tjera për shkak të vlerës së qëndrimit të Ibrahimit në atë vend.
Allahu i Lartësuar e ka urdhëruar Ibrahimin dhe Ismailin që ta pastrojnë Qaben nga idhujt dhe ndyrësirat, që të jetë e pastër në çdo aspekt për vizitorët dhe pelegrinët e saj, për ata të cilët falen në atë vend, për ata të cilët përkulen dhe bëjnë sexhde në të.
Ibrahimi i është lutur Zotit të Tij që Mekën ta bëjë qytet të shenjtë, të qetë dhe të sigurt, që banorët e saj t’i furnizojë me frytet më të mira dhe me çështjet më të mira të tokës.
Ibrahimi, lutjen e tij e ka specifikuar vetëm për besimtarët.
Zoti i Madhërishëm i është përgjigjur se, i furnizon pabesimtarët dhe i lejon të jetojnë përkohësisht, pastaj i dërgon për dënim të dhimbshëm në zjarr.
Allahu i Madhërishëm na ka njoftuar se si e ka shpërblyer udhëheqjen e Ibrahimit me shpërblimin më të mirë, se si ka obliguar me detyra të rëndësishme të cilat i ka kryer më së miri si dhe ka sqaruar se si Ibrahimi është lutur për banorët e Mekës.
Ajetet 124-126:
Përkujto (o i dërguar) kur Zoti i vet, Ibrahimin e provoi me disa obligime, e ai i përmbushi ato, e Ai tha: “Unë po të bëj ty prijës (imam) të njerëzimit!” Ai tha: “(bën o Zot) Edhe nga pasardhësit e mi!” (Zoti) Tha: “Mirësinë Time nuk mund ta gëzojnë mizorët!” (124) Dhe kur shtëpinë (Qaben) e bëmë vendkthim dhe vendsigurie për njerëzit, (u thamë) Vendin ku qëndroi Ibrahimi pranojeni për vendfalje! Ibrahimin dhe Ismailin i urdhëruam: ju të dy pastrojeni shtëpinë Time për vizituesit, për ata që qëndrojnë aty dhe për ata që falen aty. (125) Dhe kur Ibrahimi tha: “Zoti im, bëje këtë një qytet sigurie dhe banorët e tij, që besuan Allahun dhe jetën tjetër, furnizoji me lloje të frutave!” Ai (Allahu) tha: “(e furnizoj) Edhe atij që nuk besoi do t’ia mundësoj shfrytëzimin e frutave për një kohë të shkurtër, e pastaj do ta shtyjë në dënimin e zjarrit, e sa përfundim i shëmtuar është ai. (126)
Vërehet qartë se Ibrahimi është lutur posaçërisht për furnizimin e besimtarëve, por Zoti i Madhërishëm i është përgjigjur duke i thënë se, Ai gjithashtu i furnizon edhe pabesimtarët dhe i bën që të jetojnë dhe të kënaqen në këtë botë përkohësisht, e pastaj i dënon me zjarr të xhehenemit.
Gjatë ndërtimit në Qabe së bashku me birin e tij Ismailin, Ibrahimi vazhdimisht lutej:
– Që Allahu të pranon veprën prej tyre,
– që t’i bëjë flamurtarë të rrugës së Allahut dhe të jenë të devotshëm dhe të sinqertë dhe
– që nga pasardhësit e Ibrahimit të dërgojë pejgamber, i cili do të dallohet me sinqeritet dhe me kryerjen e emanetit, i cili do t’u lexonte pasardhësve të tij ajetet (argumentet e fesë), t’ua mësoj atyre librin e Allahut dhe urtësinë (urtësi është çdo dituri e cila plotëson shpirtrat, qoftë ajo dituri dituri shkencore, qoftë dituri e ligjeve të sheriatit) dhe që t’i pastrojë me ato njohuri nga ndyrësira e idhujtarisë.
Lutjen e përfundonte me Lavdërim ndaj Allahut: Ti o Zoti ynë i fuqishëm nuk mund të mposhtesh, Je i Urtë dhe di çdo gjë për krijesat. Allahu i Madhërishëm thotë:
Ajetet 127-129:
Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabes luteshin): “Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di!” (127) Zoti ynë, bëna neve dyve besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë, njerëz të bindur ndaj Teje, na e mëso manasikun (rregullat e adhurimit) dhe falna neve, vërtetë Ti je Falësi, Mëshiruesi!” (128) Zoti ynë, dërgo ndër ta, nga gjiri i tyre të dërguar që t’u lexojë atyre ajetet Tua, t’u mësojë atyre librin dhe urtësinë, e t’i pastroj (prej ndyrësisë së idhujtarisë) ata. S’ka dyshim se Ti je ngadhënjyesi, i dijshmi. (129)
Për të sqaruar më mirë këtë koncept, pejgamberi a.s. ka thënë: “Lutja e babit tim Ibrahimit dhe vëllait tim Isait dhe ëndërrimi i nënës sime është plotësuar në këtë lutje fisnike të Ibrahimit a.s.”.
Pejgamberi a.s. ka qenë rezultat i realizimit të kësaj lutjeje. Pasuesit e librit e dinë këtë por nuk e kanë pranuar Muhamedin a.s. për shkak të urrejtjes, padrejtësisë dhe arrogancës së tyre.