“Tefsiri mesatar i Kur’anit fisnik” – Vëllimi 1
Autor: Dr. Vehbetu Zuhejli
Përktheu: Dr. Musli Vërbani
–
Kemi një numër simbolik të ligjeve sheriatike të cilat janë ligjësuar për një kohë të caktuar dhe në rrethana të caktuara, pastaj janë shfuqizuar:
– Në bazë të interesit shoqëror,
– në bazë të përshtatjes së kushteve të zhvillimit dhe
– në bazë të ndryshimeve të cilat paraqiten në shoqëri.
Nga një prizëm tjetër, janë shfuqizuar edhe si rikujtim për begatitë e Allahut, ashtu që nëpërmjet ligjësimit, reformon ligjet nga një ligj në një ligj tjetër edhe më të mirë dhe i trajton njerëzit varësisht prej kushteve dhe rrethanave.
Shfuqizimi i ligjit nuk ka ndodhur për shkak të mosdijes së ligjësimit të ligjit të mëhershëm e pastaj të ligjësohet ligj i mëvonshëm i cili do të jetë në fuqi deri në ditën e gjykimit, por vepron në ligjësim duke rregulluar çështjet varësisht siç e kërkon nevoja dhe i përshtatet gjendjes dhe rrethanave të cilat do të jenë në të ardhmen.
Allahu është i Vetmi i Cili ka mundësi për çdo send, ligjëson ligj të përkohshëm, pastaj ligjëson ligj tjetër. Kjo për të qenë të kënaqur njerëzit, e pastaj duke i përgatitur në mënyrë graduale për të marrë përgjegjësi legjislative.
Allahu i Lartmadhëruar thotë:
Ajetet 106 dhe 107:
Ne nuk abrogojmë (pezullojmë) asnjë nga argumentet tona, apo ta hedhim në harresë e të mos sjellim edhe më të dobishëm se ai, ose të ngjashëm me të. A nuk e ke ditur se Allahu është i plotfuqishëm për çdo send? (106) A nuk e ke ditur se vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve e i tokës, dhe se pos Allahut nuk keni as mbrojtës as ndihmëtar. (107)
Pastaj Allahu ka replikuar me jehudët të cilët e mohojnë shfuqizimin në sheriat, ku thotë:
Ajeti 108:
A doni të pyetni të dërguarin tuaj sikurse u pyet më parë Musai? Ai që e ndërron besimin me mosbesimin, ai tanimë e ka humbur rrugën e drejtë. (108)
Që do të thotë: O ju jehudë të cilët e mohoni shfuqizimin e ligjeve, a po dëshironi që të kërkoni nga i dërguari i juaj ashtu siç kanë kërkuar prindërit tuaj jehudë nga Musai a.s.? Ata kanë kërkuar nga Musai që të shohin drejtpërdrejtë Allahun.
Kush e humb besimin në Kur’an dhe dyshon në ligjet e tij dhe kërkon diçka tjetër, ai veçse e ka humbur rrugën e drejtë.
Prej shembujve të shfuqizimit në sheriatë:
– Në fillim, namazi ka qenë i ligjësuar që të falet nga dy rekate në mëngjes dhe nga dy rekate në mbrëmje. Kjo formë e faljes ka qenë si lehtësim për njerëzit dhe mëshirë për ta, nga shkaku se ka qenë fillimi i epokës së islamit. Ende nuk e kishin përjetuar ëmbëlsirën e namazit dhe nuk e kanë kuptuar hijeshinë e lutjeve në të.
Kur zemrat e tyre janë qetësuar me namaz, Allahu i ka shtuar (rekatet dhe namazet) ashtu siç njihen sot.
Kjo ka ndodhur nga Urtësia e lartë e Zotit.
Çështja e parë e cila është shfuqizuar në Kur’an është kibleja. Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Ngado që e drejtoni fytyrën, në atë drejtim është Allahu.” I dërguari i Allahut është falur në drejtim të Mesxhidi Aksasë, nuk është falur në drejtim të Qabes. Pastaj Allahu i Lartmadhëruar e ka urdhëruar të ndryshojë drejtimin dhe të orientohet në drejtim të Qabes.
Prej shembujve të shfuqizimit është edhe ndalimi i alkoolit në katër faza:
– Në fazën e parë, Kur’ani për alkoolin thotë:
“Edhe nga frutat e hurmës dhe të rrushit nxirrni prej tyre pije (lëngje) dhe ushqim të mirë. S’ka dyshim se edhe në këtë ka fakte (mbi fuqinë e Zotit) për njerëzit që kanë menduar.” (En-Nahl: 67)
Përdorimin e lëngut të rrushit dhe hurmës e ka konsideruar të mirë dhe jo si pije dehëse.
– Pastaj (në fazën e dytë) Allahu për alkoolin dhe bixhozin ka potencuar se në to ka mëkat të madh edhe pse prej tyre mund të realizohen të mira materiale dhe përfitime ekonomike.
– Pastaj (në fazën e tretë) e ka ndaluar alkoolin dhe dehjen para faljes së namazit.
– Pastaj, (në fazën e katërt dhe të fundit) Allahu e ka ndaluar alkoolin me ndalim të prerë dhe përgjithmonë deri në ditën e kijametit.
Prej shembujve të shfuqizimit:
Ndëshkimi për prostitutën, ka qenë që ajo të mbyllet në shtëpi deri në vdekje. Më shumë ka qenë ndëshkim turpërimi me fjalë, duke e nënçmuar dhe duke i rënë me papuçe.
Pastaj është vendosur dispozita e fundit për prostitutën, ndëshkimi me njëqind të rëna.
Në fillim të islamit, kur muslimanët ishin në numër të vogël, ishin të dobët dhe nuk ishin të gatshëm për luftë me idhujtarët, janë urdhëruar që të mënjanohen prej idhujtarëve, të falin dhe të durojnë nga armiqtë duke u larguar prej tyre dhe duke mos luftuar, varësisht siç e kërkonte nevoja.
Allahu i Madhërishëm thotë:
“Merre të lehtën, urdhëro në të mirë dhe largohu nga injorantët.” (El-Earaf: 199)
Pastaj Allahu e ka ligjësuar dhe e ka lejuar luftën për të mbrojtur veten dhe fenë islame dhe për të përjetuar ndihmën dhe triumfin. Allahu i Lartmadhëruar thotë: “U është lejuar atyre të cilët luftojnë, nga shkaku se u është bërë padrejtësi dhe Allahu ka mundësi t’u ndihmojë deri në fitore.” (El-Haxh: 39)
Qëndrimi i pasuesve të librit ndaj muslimanëve dhe qëndrimi i muslimanëve ndaj njëri-tjetrit
Jehudëve nuk u mjafton vetëm urrejtja ndaj arabëve dhe popujve tjerë, dëshirë e tyre është që muslimanët të largohen nga feja e tyre dhe të kthehen në ngatërresat dhe devijimet e tyre. Ata kanë thënë: Vetëm ne (jehudët) hyjmë në xhenet. Këtë mendim e kanë të krishterët për veten e tyre, duke pretenduar se në xhenet do të hyjnë vetëm ata.
Nga ana tjetër jehudët dhe të krishterët i kritikojnë të tjerët dhe e mohojnë se grupi tjetër është në fenë e vërtetë si f.v. me akuza të ndërsjella dhe duke i mohuar kulturat tjera. Këtë e dëshmojnë ajetet në vijim:
Ajetet 109-113:
Shumë ithtarë të librit (jehudi, krishterë), edhe pasiqë iu është bërë e qartë e vërteta, nga vetë zilia e tyre personale dëshiruan që pas besimit tuaj t’iu kthejnë në mosbesimtarë, pra ju lini dhe largohuni prej tyre derisa Allahu ta sjellë urdhrin e vet. Allahu ka mundësi për çdo send. (109) Kryeni faljen (namazin) dhe jepeni Zekatin, e çfarëdo të mirë që e përgatitni për veten tuaj, atë e gjeni te Allahu. S’ka dyshim Allahu përcjell çdo veprim tuajin. (110) Ata edhe thanë: “Kurrsesi nuk ka për të hyrë kush në Xhenet, përveç atij që është jehudi ose i krishterë! Ato janë fantazi të tyre! Thuaju: “Sillni argumentin tuaj (çka thoni) poqese jeni të drejtë? (111) Nuk është ashtu (si thonë ata), po ai që iështë dorëzuar Allahut dhe është bamirës, ai e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij, për ata nuk ka frikë, as nuk kanë pse të mërziten. (112) Jehudët thanë se të krishterët nuk kanë të mbështetje në asgjë (nuk kanë fe të vërtetë). Edhe të krishterët thanë se jehudët nuk janë të mbështetur në asgjë, e duke qenë se ata të dy palët e lexojnë librin. Po kështu si thëniet e tyre, thanë edhe ata që nuk dinin (idhujtarët për Muhamedin). Po në ditën e gjykimit për atë që ata nuk pajtoheshin, Allahu gjykon ndërmjet tyre. (113)
Shumica e jehudëve dhe e të krishterëve dëshirojnë që muslimanët të largohen nga feja e tyre dhe të bëhen pabesimtarë pasi që ishin bërë besimtarë. Kjo për shkak të zilisë ndaj tyre. Këtë mundohen ta realizojnë duke hedhur dyshime në fe dhe duke hedhur dyshime te besimtarët. Ata kanë sugjeruar nga njëri-tjetri që të besojnë në fillim të ditës dhe të mohojnë në fund të ditës, ashtu që muslimanët të zhgënjehen dhe të dobësohet besimi i tyre.
O ju besimtarë, falni ata dhe largohuni nga veprimet e tyre dhe duroni derisa të vjen ndihma e Allahut për ju dhe t’u lejohet lufta dhe do të vjen urdhri për çështjen e tyre, vrasja për fisin Kurejdha dhe largimin e fisit Nadirë. Allahu ka mundësi të realizojë fitoren.
Ibn Abasi thotë: Ajeti ka zbritur për një grup të jehudëve të cilët pas betejës së Uhudit u kanë thënë muslimanëve: ”A nuk po e shihni se çka ju ka ndodhur? Po të ishit në të drejtë nuk do të kishit pësuar disfatë, pra, më mirë është që të ktheheni në fenë tonë”.
Prej faktorëve të fitores janë:
– Falja e namazit në mënyrë të plotë,
– dhënia e zekatit për meritorët,
– bamirësia.
Çdo herë kur të bëni mirë do të shihni shpërblim nga Zoti juaj.
Allahu i di të gjitha veprat tuaja. I sheh veprat qofshin të mëdha, qofshin të vogla. Nuk mund t’i fshihet asgjë. Nuk mund t’i fshihet as e keqja as e mira.
Namazi dhe zekati janë prej shkaktarëve me të rëndësishëm për të fituar në këtë botë, po ashtu janë prej faktorëve për të fituar lumturi në botën tjetër.
Jehudët kanë thënë: Në xhenet do të hynë vetëm jehudët.
Të krishterët kanë thënë: Në xhenet do të hynë vetëm të krishterët.
Secili grup e mohon tjetrin. Kjo ambicie e tyre është e pabazë dhe e pavlefshme. Nuk ka dobi prej saj, ose përndryshe ju dy grupe ejani dhe na dorëzoni argumente për atë që pretendoni, nëse e thoni të vërtetën.
Pastaj Allahu u është përgjigjur atyre: Jo, kurrsesi jo – Përgjigja është kundrejt pretendimit të tyre – Ai i cili hyn në xhenet është: ai i cili ka bindje në Allahun, është i sinqertë në veprimet e tij, i kryen detyrat me sinqeritet, është i sinqertë në besimin e tij. Ata e kanë të siguruar shpërblimin te Zoti i tyre. Për ta nuk ka frikë dhe pikëllim në botën tjetër, përkundër adhuruesve të idhujve dhe putave të cilët kanë frikë për të ardhmen e tyre dhe pikëllim nga jo çka zbret (prej ajeteve) për ta.
Ka ndodhur një konflikt në mes të pasuesve të librit. Nuk u ka mjaftuar vetëm ajo të cilën e cekëm më lartë:
– Jehudët kanë vazhduar duke thënë: Te të krishterët nuk ka asgjë në çka duhet bazuar, ata nuk besojnë në Mesihun (Isaun) për të cilin ka përgëzuar Tevrati. Mesihu për të cilin ekziston përgëzimi (në Tevratë) ende nuk ka ardhur, ata e presin paraqitjen e tij. Kthimi i tij është sundim për bijtë e Israilit.
– Të krishterët kanë thënë: Jehudët nuk kanë asgjë të përbashkët me fenë e vërtetë. E kanë mohuar çështjen se me zbritjen e Mesihut plotësohet sheriati i jehudëve. Ata e thoshin këtë përderisa janë pasues të librit, kërkojnë dhe bëjnë ftesë në leximin e tij dhe besojnë në të.
– Idhujtarët e idhujve të cilët nuk dinin asgjë i thoshin këto mendime për secilën fe. Nuk ka asgjë te të tjerët. Përderisa Allahu do t’i gjykojë të gjithë ata në ditën e gjykimit, duke gjykuar drejt në kundërthëniet e tyre dhe për çka janë konfrontuar dhe kanë pasur konflikte.
Shkaku i zbritjes së ajetit
Ky ajet ka zbritur për jehudët e Medines dhe për të krishterët e Nexhranit, kur një delegacion i Nexhranit ka shkuar te Muhamedi a.s., aty kanë shkuar edhe rabinët jehud. Është zhvilluar një debat i nxehtë deri sa e kanë ngritur zërin lartë kundër njëri-tjetrit.
Jehudët kanë bërtitur: Nuk keni asgjë të përbashkët me fenë. Dhe e kanë mohuar Isaun dhe Inxhilin.
Të krishterët kanë thënë: Ju nuk keni asgjë të përbashkët me fe. Dhe e kanë mohuar Musain dhe Tevratin.
Për këtë arsye ka zbritur ky ajet.